E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat i domosdoshëm



Thëniet e anëtarit të Kryesisë së Bankës Federale Gjermane, Tilo Sarrazin, kanë nxitur debatin për emigrimin dhe integrimin e të huajve në shoqërinë gjermane.

Me shprehjet e tij polemike Tilo Sarrazin, anëtar i Kryesisë së Bankës Federale, i ka shkelur kufijtë. Punëdhënësi i tij zbatoi konsekuencat, duke e degraduar në një pozicion më të ulët. Por, duhet thënë se nuk është detyrë e kryesisë, që merret me paratë, të përzihet në debatin politik aktual për migracionin. Fakti që pjesa më e madhe e popullsisë gjermane ka të njëjtin mendim me Sarrazinin, nuk do të thotë se ai ka të drejtë me gjithçka, që thotë. Por disa nga ato, që thotë, janë të vërteta, çka dhe e komprometon Sarrazinin. Dhe tani që ai ka mbyllur gojën, debati vazhdon. Dhe kjo nuk është keq.

Pavarësisht indinjatës për tonin e përdorur nga Sarrazini zgjedhja e fjalëve dhe kritikat e padiferencuara, polemika e tij është një sinjal, që duhet marrë seriozisht. A ka qenë politika e integrimit në Gjermani deri tani e gabuar? Pse e kanë gjermanët kaq të vështirë të pranojnë se Gjermania është vend migrantësh? Çfarë duhet të ndodhë që masat, të cilat merren për integrimin të jenë efektive dhe të mbërrijë edhe tek ata, që jetojnë në shoqëri paralele dhe e ndiejnë veten mirë atje?

Shprehjet e diskutueshme të Sarrazinit kanë hapur një debat të domosdoshëm, i cili është mbajtur i shuar për të mbetur brenda korrektesës politike. Ose për ta thënë më qartë: Gjermania nuk ka problem me të gjithë migrantët në përgjithësi, por me një pjesë të vogël të migrantëve, në radhë të parë të paarsimuarit nga Turqia. Kush kritikon sot hapur shoqëritë paralele në qytetet e mëdha gjermane, vuloset menjëherë si ksenofob. Nga ana tjetër shoqatat e migrantëve nuk duan të venë re se traditat e ngurtësuara të disa familjeve migrante bien ndesh me parimet bazë të rendit shoqëror gjerman, të cilat nuk bazohen në ndarje, por në pjesëmarrje në arsim, tolerancë fetare dhe komunacion.

Sidoqoftë, më shumë se deri tani. Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur është takimi për integrimin, që zhvillohet që prej vitit 2006 nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme, i cili ka mbledhur në tavolinë shoqata, institucione dhe sipërmarrje, prej nga kanë dalë shumë vendime për masat, që duhen marrë, si për shembull kurset e integrimit, në të cilat pjesëmarrësit nuk marrin njohuri vetëm për gjuhën gjermane, por edhe për sistemin politik; kurse për të nxitur mësimin e gjuhës, praktika në ndërmarrje, ndihmë për fëmijët që në moshë të hershme për të mësuar gjuhën, për të ekuilibruar deficitet që para fillimit të shkollës. Pjesëmarrja nuk është vetëm vullnetare. Autoritetet mund të ndihmojnë migrantët që të marrin pjesë në to. Dhe kush refuzon, duhet të presë që t`i zvogëlohen ndihmat financiare. Ato çka mungojnë në planin e takimit të integrimit janë objektiva të matshme dhe periudha kohore për masat e integrimit. Këtë duhet ta marrin tani në dorë qytetet, landet dhe komunat dhe ta vënë në vijë shpejt. Dhe ka shumë mundësi që kështu debatet për temën interesante të integrimit të mbeten atje, ku e kanë vendin, në bisedat e hapura dhe me argumente dhe jo në tavolinat e kafeneve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›