E Diel, 1 Nëntor 2026

Blomeyer - ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë

Ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës do të jetë Dr. Peter Blomeyer. Pas njoftimit për largimin e Ernst Reichel nga Kosova, Berlini zyrtar nuk ka pritur gjatë dhe ka gjetur pasardhësin e tij i cili në Kosovë do të përfaqësojë Bundesrepublikën, raporton Zëri.

Blomeyer është lindur në vitin 1959, është i martuar dhe ka një karrierë të pasur diplomatike edhe kur Ballkani dhe sidomos shqiptarët janë në pyetje.

Në vitet 1990-91 ai ka kryer Akademinë e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë kurse mëpas ka punuar për këtë ministri dhe ka vazhduar edhe në Ambasadën gjermane në Tokio të Japonisë për t’u emëruar si zëvendësambasador i Gjermanisë në kryeqytetin shqiptar në Tiranë në vitet 1998-2001, fazë kjo e njohur edhe si e vështira e luftës në Kosovë.

Pas shërbimit në Tiranë, Blomeyer ka punuar si zëvendësshef referati në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për të shkuar në Riad si zëvendësambasador në vitet 2004-2007 dhe më pas në Berlin si udhëheqës i referatit për të drejtat e të huajve në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Në vitin 2010 ai u emërua Ambasador i Gjermanisë në Kongo, kurse nga mesi i këtij muaji ai do të jetë Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›