Flasin vetëm për zgjedhjet e nëntorit

(E plotësuar) Ka përfunduar takimi në Bruksel mes kryeministrave Thaçi- Daçiq.
“Dy kryeminsitrat kanë diskutuar dhe janë pajtuar që zgjedhjet e 3 nëntorit të mbahen në mënyrë të rregullt dhe të ketë sa më shumë pjesëmarrje”, thuhet në deklaratën e baroneshës Ashton.
Nuk është arritur ndonjë marrëveshje për telekomin dhe energjinë. “Puna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, ka njoftuar Ashton.
----
Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka informuar se dialogu mes Thaçit e Daçiqit ka filluar rreth orës 14:40.
Para takimit me homologun e tij nga Serbia, kryeministri Thaçi ka shprehur optimizmin e tij se do të arrihet marrëveshje për çështjen e telekomit si dhe ka paralajmëruar se do të qartësohet çështja e zgjedhjeve lokale dhe pjesëmarrja e serbëve në komunat veriore.
Madje, Thaçi ka shprehur besimin e tij se marrëveshje mund të arrihet edhe për çështjen e energjisë, edhe pse në këtë temë palët nuk kishin arritur përparime të mjaftueshme, siç ishte rasti me telekomin.
Kryeministri Thaçi ka përmendur disa nga hapat pozitiv, sipas tij që Serbia dhe Kosova po ndërmarrin për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
....................
Maja Kocijançiq, zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, pak para takimit të sotëm Thaçi Daçiq ka thënë se telekomi dhe energjia janë pika të diskutimit në takimin që pritet të fillojë në orën 14, mirëpo nuk ka pranuar të thotë nëse është arritur pajtim për këto tema.
“Sot do të takohen edhe grupet punuese për telekom dhe energji. Unë pres që për këtë temë të flasin edhe Zonja Ashton dhe të dy kryeministrat, mirëpo më shumë për këtë në këtë moment nuk mund të them”, ka thënë Kocijançiq në Bruksel, transmeton REL.
Vazhdimi i takimeve në mes të kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton gjithnjë sipas Kocijançiq po bëhen pikë së pari për të diskutuar rreth nivelit të implementimit të marrëveshjës së 19 prillit.
“Baronesha Ashton do të takohet për të 14-ën herë me radhë me kryeministrin Daçiq dhe kryeministrin Thaçi. Sot në Bruksel ata do të bisedojnë rreth implementimit të marrëveshjës së prillit dhe për të parë se si të shkohet tutje. Në kotekst të këtij implementimi ju e dini që ne e kemi një plan. Ata do të shohin se cili është implementimi i deritashëm dhe çfarë është e nevojshme që të ndodh gjatë muajve të ardhshëm me qëllim që ai plan të implementohet në tërësi. Unë mendoj që kjo do të jetë pjesë kryesore e dialogut sot”, ka thënë zëdhënësja e Ashton.
Ajo gjithashtu e ka pranuar se edhe zgjedhjet si “një ndër pikat kryesore të marrëveshjes dhe planit për implementim” do të jenë pjesë e diskutimeve të sotme.
Maja Kocijançiq ka thënë gjithashtu se shefja e saj, Ashton është e gatshme që të vazhdojë punën për të trajtuar të gjitha pyetjet e mbetura pezull.
“Prandaj puna vazhdon”, ka thënë ajo. /Indeksonline/