E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: E kam bërë të qartë, ai (Edvini) duhet ta lërë karrigen


Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, tha gjatë një prononcimi për mediat, se "mandati i Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që sot është ndërprerë, pasi ka hyrë në fuqi statuti i partisë, çka ai ka qenë i detyruar ta pranonte gjatë punimeve të sotme të Asamblesë Kombëtare". Blushi kërkoi që "Rama të flasë politikisht për të shpjeguar pse nuk arritëm një rezultat pozitiv në këto zgjedhje, për politikën e tij të re përtej së .majtës dhe të djathtës", duke shtuar se "në fakt ne jemi një parti historikisht e majtë dhe duhet të pozicionohemi përherë kështu, në këtë moment dështoi edhe filozofia e Ramës dhe për rrjedhojë kemi dhe tani këtë rezultat që kemi". Në lidhje me mospraninë e mediave gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, Blushi deklaroi se "ky ishte një ogur i keq për opozitën, pasi filloi me një black out me mungesë informimi për publikun, çka edhe ka qenë rast i paprecedent në Partinë Socialiste. PS duhet të marrë frymë ndryshe dhe të shpjegojë edhe publikisht për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit për të gjithë votuesit shqiptarë që i besuan alternativës sonë", tha Blushi. Gjatë punimeve të sotme të Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, që po zhvillon punimet pa praninë e mediave, janë publikuar dy rezoluta, një e propozuar nga kryesocialisti Rama dhe një nga Ben Blushi. Në rezolutën e propozuar nga Rama thuhet se "rezultati i këtyre zgjedhjeve konsiderohet i papranueshëm për PS-në, pasi janë qartësisht një shprehje e manipulimit para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor", ndërsa në pikën tre të saj këto zgjedhje "konsiderohen me legjitimitet të cunguar, sepse nuk kanë shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar". Sipas kësaj rezolute, PS i konsideron zgjedhjet e parakohëshme si një mundësi objektive për t’i dhënë sovranit vullnetin e pakontestueshëm politik dhe qeverinë që ai meriton. PS do të luftojë me të gjitha mjetet ligjore dhe kushtetuese në një opozitë pa kompromis në parlamentin shqiptar“, përfundon rezoluta e propozuar nga kryesocialisti Rama. Ndërsa rezoluta e Blushit kërkon që PS të angazhohet të përgatisë një analizë të thellë të humbjes së këtyre zgjedhjeve nëpërmjet një platforme, ku të përcaktohen masat për përmirësimin e situatës dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të merren në një Kongres të Jashtëzakonshëm, pasi të jenë kryer të gjitha veprimet në forumet e zgjedhura të PS-së. “PS angazhohet të respektojë të gjitha regullat e status-quo lidhur me përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve dhe të funksionimit të forumeve të partisë“, thuhet më tej në këtë rezolutë, ku kërkohet gjithashtu që “grupi parlamentar i PS-së të kryejë veprimin e saj opozitar në Kuvend dhe distancohet nga çdo nismë dhe veprim për bojkotimin e parlamentit“. Dy rezolutat pritet të hidhen në votim në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, që vazhdon punimet në Tiranë.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›