Gripi i derrave, ministria porosit 300 mijë vaksina
Katër personat e konfirmuar me grip derrash në vendin tonë po trajtohen në shtëpi. Ndërkaq është gati e sigurt prekja nga A/H1N1 dhe për pesë të tjerë, të cilët kanë dalë pozitiv për virusin A. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bënë me dije dje se numri i mostrave të analizuara ka arritur në 190. Grupmosha e të dyshuarve varion nga 14-16 vjeç. “Janë trajtuar dy raste me tamiflu, ndërkohë që kur ka prekje në formë të lehtë, nuk është e nevojshme të përdoret doza. Ne kemi 1400 doza për momentin dhe nuk ka përse të ketë panik. Kërkesa jonë është që të kemi një stok prej 30 mijë dozash”, u shpreh Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP. Ajo nënvizoi se janë porositur 300 mijë vaksina, me të cilat do të trajtohen të gjithë grupet që i përkasin një kategorie të veçantë. Çka do të thotë se rreth 10% e popullsisë do të mund të mbulohen falas. Pjesa tjetër i bie ta sigurojë vetë. Specialistët sqarojnë se ndaj virusit A-H1N1 duhet të vaksinohen patjetër gratë shtatzëna, të gjithë ata persona që më parë kanë paraqitur sëmundje kronike, sidomos të mushkërive. Kjo pasi këta persona janë më të prirë, që një virozë të tillë ta kalojnë shoqëruar me komplikacione. Më tej, kontingjenti i popullatës me moshën 15-45, vjeç që janë personat më aktivë, si dhe të moshuarit. Instituti i Shëndetit Publik ka bërë me dije se tashmë ka gati programin e vaksinimit për kategoritë vunerabël. Për të paktën 6 muaj vendi ynë do të shënojë çdo ditë raste të infektuarish me gripin e derrave. Por se sa do të zgjasë në të vërtetë pandemia, këtë specialistët e kanë të vështirë ta thonë. Gjithsesi, OBSH-ja ka paralajmëruar se 1 ndër 5-6 persona mund të preket nga gripi, një pjesë e mirë e tyre nuk do të shfaqin komplikacione. Më të rrezikuarit për to janë të sëmurët kronikë, te të cilët në rast se simptomat neglizhohen pasojat mund të jenë edhe fatale. Sidomos për këtë kategori, mjekët bëjnë apel që të tregohet shumë kujdes qoftë edhe për një rritje temperature.