E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Ekonomia e betonit po nxit shpopullimin

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se qeveria e ka orientuar ekonominë shqiptare drejt ndërtimit, pasurive të paluajtshme, importeve dhe shërbimeve, duke sjellë, sipas tij, tkurrjen e sektorit industrial dhe dobësimin e kapaciteteve prodhuese të vendit.

Në një deklaratë për mediet, Blushi iu referua të dhënave të Eurostat, duke pretenduar se indeksi i prodhimit industrial në Shqipëri ka rënë nga 100 pikë në vitin 2021 në 84,7 pikë në vitin 2025, ose një rënie prej 15,3% në katër vite.

Sipas tij, Shqipëria ka një nga performancat më të dobëta në këtë drejtim krahasuar me ekonomitë europiane, ndërsa përmendi si shembuj vende si Serbia, Turqia, Greqia, Polonia dhe Danimarka, që sipas tij kanë shënuar rritje të prodhimit industrial në të njëjtën periudhë.

“Rama po çmonton industrinë për të betonizuar Shqipërinë”, deklaroi Blushi, duke e cilësuar modelin aktual si ekonomi të betonit dhe duke e lidhur atë me ndërtimin e kullave, resortet, pasuritë e paluajtshme, importet dhe shërbimet.

Blushi kritikoi gjithashtu politikat e qeverisë për bujqësinë, duke pretenduar se prej vitit 2017 është përgjysmuar numri i gjedhëve dhe të imtave, ndërsa rritja e importeve bujqësore ka shtuar varësinë e tregut vendas nga produktet e huaja.

Ai tha se kompanitë përpunuese shqiptare po përballen me mbiçmimin e lekut, rritjen e kostove të punës dhe prodhimit, si dhe konkurrencën ndërkombëtare, duke shtuar se rënia e eksporteve nuk mund të kompensohet nga të ardhurat dhe aktiviteti turistik.

Sipas Blushit, mungojnë politikat për industrializimin e vendit, zhvillimin e industrisë përpunuese, sektorit minerar dhe hidrokarbureve, si dhe për rritjen e eksporteve.

“Një kullë nuk është fabrikë. Një resort nuk është industri. Një import nuk është prodhim. Dhe një statistikë turistësh nuk është zhvillim ekonomik i qëndrueshëm”, u shpreh ai.

Blushi prezantoi gjithashtu drejtimet e Partisë së Lirisë për një ndryshim të modelit ekonomik, duke argumentuar se vendi duhet të orientohet drejt prodhimit dhe eksporteve, mbështetjes së ndërmarrjeve vendase dhe përdorimit të teknologjive të avancuara për krijimin e vendeve të punës.

Sipas tij, synimi duhet të jetë një Shqipëri “prodhuese dhe eksportuese”, ndërsa e konsideroi të nevojshme një përmbysje të modelit ekonomik që, sipas Partisë së Lirisë, është ndërtuar gjatë qeverisjes së Edi Ramës.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›