Blushi: Fal Ramën për shpifjet

Të bashkojë Partinë Socialiste
Ben Blushi i bën thirrje kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të marrë përsipër bashkimin e partisë përballë qeverisë dhe Kryeministrit Sali Berisha. Në një prononcim për “Top Channel”, deputeti dhe anëtari i Kryesisë së selisë rozë deklaroi se “duke falur të gjithë ata që shpifin në adresë time, është rasti të them dhe të përsëris atë ç’ka kam thënë se i takon zotit Rama që në një moment kritik ku ndodhet PS, por edhe për shkak se ai mori një mandat të dytë në krye të saj, të bashkojë PS, të gjejë një emërues të përbashkët dhe ky gjendet. “Ne mund ta mbarojmë këtë projekt vetëm si një parti e bashkuar europiane që nuk ndahet për gjëra të vogla, por bashkohet për interesa të mëdha”, theksoi Blushi. Kjo, vijoi ai, kalon përmes Parlamentit që është shtrati i opozitës dhe jo rruga. “Ne mund të bëjmë çdo gjë që duhet bërë në këtë situatë, por ka një pikë që duhet ta kuptojmë. Partia Socialiste ankohet se në zgjedhjet e 28 qershorit iu mohuan 2, 3 apo 4 mandate. Ju besoni se unë mund të jem dakord me një opsion që i humb PS-së edhe 64 mandate që i kanë mbetur?”, shtroi pyetjen Blushi. “Shpresoj, vijoi ai, që zgjidhja që mund t’i jepet krizës, t’i japë fund bojkotit. “Nëse tryeza e Presidentit do të kishte një efekt, ky do ishte përfundimi i bojkotit për arsye kushtetuese dhe politike, shoqëruar me hetimin e zgjedhjeve sipas rezolutës së Këshillit të Europës. Nuk ka asnjë kundërshtim nga ajo që ndodh dhe ajo çka them”, insistoi Blushi. Deputeti socialist deklaroi se Presidenti Topi ka shansin më të mirë për të zgjidhur krizën dhe për të dhënë përpara shqiptarëve imazhin e një kreu shteti përmbi palët. “është koha që Presidenti të tregojë autoritet dhe ai ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare që duhet ta shfrytëzojë dhe opinioni publik pret që ai të tregojë se është një President efikas dhe funksional”, thekson Blushi. I pyetur mbi akuzat e Ramës në lidhje me LMN-në, ai tha se “çdo shpifje ia vlen të përbuzet. Ka disa dallime midis meje dhe Edi Ramës, në mënyrën se si e shohim botën, politikën apo fatet e PS në përgjithësi. Me sa duket ka edhe diçka që shpif, që unë nuk e kam”. Blushi kritikoi Presidentin Bamir Topi duke thënë se ai deri më tani nuk ka treguar forcën e tij, nuk ka folur dhe ka qëndruar si struci kur duhet të fliste për Gërdecin apo për zgjedhjet.
#