E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e Gjimit nervozon banorët

Banorët kanë debatuar gjatë në lidhje me lojën dhe strategjinë që Gjimi është duke ndjekur në shtëpinë e “Big Brother”. Ata mendojnë se ai po bën lojë të dyfishtë, pasi një herë afrohet me njërin grup e herë me tjetrin. Ai dëshiron të bëjë aleanca me disa nga banorët, për të nxjerrë në nominim Jetmirin

Gjimi ka qenë në qendër të vëmendjes. Diskutime të shumta janë zhvilluar për të mes banorëve, por edhe në praninë e tij. Strategjia e lojës që po bën djali nga Miloti duket se ka ndezur debat të ashpër mes konkurrentëve. Sipas tyre, ai nuk po bën lojë të pastër dhe se po përpiqet të çojë në nominim Jetmirin, duke u munduar t’ua mbushë mendjen edhe disa banorëve të tjerë për këtë.
Thashetheme për Jetmirin
Seldi dhe Domenika flasin për sjelljen dhe fjalët që ka thënë Jetmiri. Domenika i rrëfen Seldit atë që kishte diskutuar me Mirin. Ata komentojnë sjelljen e tij, por pa lënë mënjanë edhe Erionin dhe vajzat e grupit tjetër. Domenika shprehet se nuk mendon se Erioni është i keq, ndërsa thekson se Jetmirin e kanë kundër. Pas këtij diskutimi, të dy dalin nga dhoma e gjumit. Seldi ulet në kolltuk, ku janë edhe të tjerët dhe bisedon me ta ndërsa Domenika shkon në ballkon dhe flet me nënën e saj për Jetmirin.
Jeta e vështirë e Seldit dhe Domenikës
Planet dhe intrigat që po thurin Seldi me Domenikën mbeten përgjysmë kur me ta bashkohet edhe Eduardi. Tema e bisedës ndërrohet dhe ata fillojnë të flasin mbi jetët e tyre. Të dy tregojnë për jetesën e vështirë vetëm me një prind, nënën, por edhe për mungesën që u ka shkaktuar largimi i babait. Sipas tyre, nëna nuk mund të zëvendësohet kurrë dhe se dashuria për të ka qenë dyfish, pikërisht nga mungesa e prindit tjetër. Ata diskutojnë edhe për familjet e baballarëve, të cilët i kanë takuar rrallë dhe për sakrificat që kanë bërë nënat e tyre, për të rritur të vetme e në varfëri fëmijët. Të dy të rinjtë kuptojnë se jeta e tyre ka pasur të njëjtin drejtim për të dy.
Nominimet e së shtunës
Që në fillim të javës, ndonëse e shtuna është ende larg, Gjimi dhe Domenika diskutojnë se cilët do të nominojnë këtë herë. është Gjimi ai që i afrohet Domenikës, si për të krijuar një aleancë me grupin e saj. Ata përpiqen të flasin me iniciale për të nominuarit e mundshëm. Gjimi rrëfen se ka ndërmend që të nominojë Hakiun ose përsëri Bertinën, nëse ajo nuk del, por për këtë gjë ende nuk e ka vendosur plotësisht. Domenika e pohon kur ai përmend emrin e Bertinës, duke shtuar frazën “deri sa të dalë”, ndërsa për Hakiun ajo mendon se është ende shpejt. Gjimi thotë se vendimin deri tani e ka marrë për Jetmirin, pasi ka gjetur edhe një banor tjetër i cili do ta votojë atë dhe shton se, nëse edhe grupimi i Domenikës, e nominojnë Mirin, arrijnë ta nxjerrin atë në nominim. Domenika duket skeptike, sepse mendon se të gjithë janë pro Mirit, por Gjimi nënqesh dhe shprehet se ia ka gjetur pikën e dobët Mirit, nervozizmi, gjë që duan ta arrijnë këtë fundjavë.
Pamela dhe Seldi, për planin
Edhe Seldi me Pamelën diskutojnë për pikën e dobët të Jetmirit, që duket sikur është vënë në shënjestër nga një pjesë e mirë e banorëve. Seldi mendon se largimi nga biseda dhe diskutimi i temave që bën Miri, është mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë atij. Ai tregon rastin e fundit kur të tjerët ishin mbledhur e diskutonin, ndërsa ai me Domenikën mungonin, gjë që bëri që më pas Miri të vinte e t’i pyeste se përse nuk ishin me ta. Edhe Pamela tregon se ka menduar që të qëndrojë indiferente ndaj tij dhe shton se do ta shohë njëherë në nominim se si do reagojë nga kjo gjë, pasi i duket se ai ka fituar një vetëbesim të tepruar. Ata diskutojnë edhe për Gjimin, të cilit nuk ia kanë kuptuar ende lojën, por që sipas tyre ka dalë në lojë më vete. Për Seldin kjo mund të merret si diçka pozitive. Në lidhje me Eduardin, Pamela përpiqet ta këshillojë Seldin që të mos bëhet xheloz gjatë lojës së Domenikës me të dhe Seldi e siguron për këtë gjë, duke shtuar në fund se kanë ardhur për lojë, por nuk harron të thotë se me Domenikën do përpiqet ta ruajë marrëdhënien edhe jashtë shtëpisë, pasi kanë shumë të përbashkëta e kjo e bën që ta pëlqejë më shumë.
Gjimi tregon për strategjinë
Gjimi dhe Seldi veçohen për të diskutuar në lidhje me strategjitë e lojës. Gjimi pranon që po bën një lojë të tijën dhe se ka vendosur të luajë kundër Jetmirit dhe Bertinës. Ai i kërkon tërthorazi që edhe ata të bashkohen me të dhe shton se dy banorët e përmendur do marrin nga gjashtë nominime, pasi me ta bashkohet edhe Olta. Gjimi tregon se Olta nuk e duron dot Bertinën. Seldi i kërkon që ta bindë për këtë plan dhe Gjimi i thotë se është shumë e thjeshtë në bazë të llogarive. Nëse të pestë bëhen bashkë e mbulojnë njëri-tjetrin, bashkë edhe me Oltën, atëherë e kanë të sigurt që kështu mund të heqin më të fortët e mbetur.
Debat mes Gjimit dhe Gracielës
Jetmiri, Graciela, Hakiu diskutojnë për Gjimin dhe për lojën që po bën ai. Me ta ndodhet dhe Olta me Bertinën, të cilat nuk flasin thuajse fare. Hakiu mendon se Gjimi po bën lojë të dyfishtë, pasi një herë afrohet me njërin grup e një herë tjetrin dhe mendon se ai ka për t’i nominuar kësaj here. Nisur nga kjo, Jetmiri thotë që edhe ata ta nominojnë Gjimin dhe shton se ai përveçse mashtrues, është edhe përllogaritës dhe thurës strategjish. Ata vendosin që këtë të shtunë, ta mendojnë njëherë Gjimin si një mundësi për ta nominuar. Gjimi del nga dhoma e rrëfimit dhe bashkohet me ta. Graciela fillon ta ngacmojë në lidhje me dhomën e rrëfimit dhe i thotë se loja e tij nuk i pëlqen e se po luan pisët. Graciela, duke diskutuar me Gjimin për lojën, fillon të ngrejë zërin e të thotë se loja me intriga nuk luhet. Të gjithë banorët sulmojnë Gjimin për lojën që po luan, ndërsa Graciela vazhdon të insistojë e flasë me zë të lartë që ai të bëjë lojë të pastër. Ajo madje e akuzon Gjimin se vetëm mashtron, duke u nisur se ai i thotë se u futën në dhomën e rrëfimit me Pamelën e Domenikën për mikrofonin. Ajo shton se ata dolën me fytyra të çuditshme e me siguri diçka ka ndodhur. Gjimi i thotë se gabohet, por edhe banorët e tjerë mbajnë kryesisht anën e Gracielës. Jetmiri thotë se s’duhet të luajë mes dy zjarreve, ndërsa Bertina se blen e shet gjithandej. Gjimi shton se ky është vetvetja e çdo gjë do duket kur të dalin e të shohin filmimet. Graciela i kujton Gjimit se javën e kaluar i ka thënë se këtu do luajë e s’do jetë vetvetja, por Gjimi e hedh poshtë gjë që e acaron më shumë Gracielën, e cila fillon të bërtasë edhe më shumë.
Akuza, debat dhe të vërteta
Jetmiri pyet Gjimin se përse po bisedonte në dhomën e rrëfimit. Gjimi i tregon se kur ishte me Pamelën dhe Domenikën siç ishte bërë plani më parë me Jetmirin, ato i kishin thënë se së bashku me votën e Edit dhe Kikës do nxirrnin në nominim Jetmirin. Ai shton se ato janë të sigurta se Valentina nuk del. Jetmiri e pyet nëse është i sigurt për këtë dhe Gjimi i siguron për vërtetësinë e fjalëve. Si Jetmirit edhe Hakiut duket që i ngelet mendja tek kjo gjë. Hakiu shkon të thërrasë Pamelën dhe Domenikën për t’u sqaruar. Ai u shpjegon vajzave për çfarë bëhet fjalë, duke u thënë se ato kanë marrë garanci se ai do nominojë Mirin. Domenika habitet dhe kthehet nga Gjimi se po luan pisët. Të gjithë mblidhen në kuzhinë e pyesin mirë Gjimin në lidhje me bisedën. Ata i kundërvihen Gjimit, duke treguar se çfarë i ka thënë njërit apo tjetrit. Hakiu acarohet dhe qëllon me grusht tavolinën, thotë se s’mund të luajë më këtu e largohet. Erioni dhe Pamela përpiqen të mbyllin bisedën. Pamela tregon se e vetmja e prekur më shumë nga ajo histori duhej të ishte ajo, pasi i kishin thënë se do marrë shtatë vota e duhet të jetë në nominm. Erioni thotë se kështu po e prishin gjithë lojën. Banorët thonë se, nëse Gjimi do ishte treguar i ndershëm me të gjithë, nuk do kishin arritur këtu. Erioni i tregon Seldit se çfarë po ndodh dhe mendon se kjo lojë është bërë shumë e ulët. Ai thotë se disa herë është bërë të dalë nga shtëpia, pasi nuk i pëlqenin këto klane të krijuara që në javën e dytë. Sipas tij, Gjimi ia bëri vetes duke luajtur nga të dyja anët, por në të njëjtën kohë edhe si pasojë e lojës që bënin të tjerët me të duke e përdorur. Seldi pyet se përse Gjimi tregoi për lojën e dyfishtë dhe Erioni shpjegon se tregoi se u vu përpara me pyetje nga të gjithë e nuk kishte se çfarë të bënte tjetër. Ata bashkohen me të tjerët. Seldi thotë se të gjithë po tregohen të ulët pasi e shesin njëri-tjetrin dhe duke filluar që nga dita tjetër, çdo gjë do ndryshojë. Në përgjithësi, banorët duken të kënaqur që kjo gjë doli në shesh. Ndërsa të gjithë diskutojnë, Gjimi qëndron i menduar dhe pa folur me askënd edhe pse në të njëjtin vend me ta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›