E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bler ka gënjyer dhe dezinformuar Parlamentin

Ish-ministrja laburiste, akuza të ashpra ndaj ish-shefit
Toni Bler “gënjeu” kabinetin e tij qeveritar dhe e çoi Parlamentin në një rrugë të gabuar në lidhje me luftën në Irak. Kjo ka qenë deklarata bombë e ish-ministres së kabinetit, Kler Short, para panelit që heton në lidhje me legjitimitetin e pjesëmarrjes së Britanisë së Madhe në luftën e Irakut. Short ka qenë sekretarja e zhvillimit ndërkombëtar dhe në dëshminë e saj, ajo në mënyrë të vazhdueshme akuzoi ish-kryeministrin Bler se e kishte “mashtruar” dhe “çorientuar” personalisht dhe se me kabinetin dhe Parlamentin ishte treguar mashtrues. Short tha se ish-kryeministri e kishte thyer kodin ministror, duke e dezinformuar Parlamentin dhe ndërkaq ajo akuzoi edhe ish-prokurorin e Përgjithshëm që i dha dritën jeshile luftës. Sipas saj, mëkati i ish-prokurorit ishte mosthënia e së vërtetës para kabinetit dhe rezervat që kishin të bënin me sulmin që ai ua fshehu të gjithëve. “Unë mendoj se ai e dezinformoi kabinetin dhe sigurisht të parën mua personalisht. Mendoj se ish-prokurori i Përgjithshëm duhet të vijë e ta pranojë një fakt të tillë”, ka vazhduar ish-ministrja e kabinetit. Ajo tha se kur merrte iniciativën për të bërë ndonjë pyetje në kabinet, Bleri thoshte që “ta mbyllte gojën”. Më pas, po sipas ish-ministres, kabineti kishte pësuar çarje dhe ministrat bisedonin nën zë me njëri-tjetrin, pa pasur guximin që t’i bënin pyetjet shqetësuese në sy të të gjithëve. Ajo hodhi poshtë edhe një pjesë të dëshmisë që dha Bler një javë më parë, sipas së cilës kabineti ishte informuar për çështjet më të rëndësishme të luftës dhe se ai kishte dhënë mbështetje formale për të. Short vetë vendosi që të jepte dorëheqjen, pasi e pa që nuk arriti dot të gjente përputhje në politikën që po ndiqte Bler. Por para se ta bënte një veprim të tillë, ajo ishte thirrur nga Bler, i cili i kishte kërkuar që të mos largohej në të njëjtën ditë që u largua edhe Robin Kuk, që në atë kohë ishte lideri i Parlamentit. Deputetja u largua nga posti përmes dorëheqjes në maj të vitit 2003, dy muaj pas sulmit, në shenjë proteste ndaj ngjarjeve. Nëntë muaj më pas, gjatë një vizite në Mozambik, Short deklaroi se Bler e kishte dezinformuar kur i kishte thënë se nuk kishte bërë asnjë parapërgatitje për luftën në Irak. Në fakt, sipas pohimeve të vetë Blerit para panelit një javë më parë, ai kishte kryer konsultime me këshilltarë të ndryshëm shumë kohë para luftës. Kler Short ka qenë një nga kundërshtaret më të rrepta dhe të drejtpërdrejta të luftës në Irak dhe këtë e tregoi edhe me dorëheqjen nga kabineti, në shenjë proteste ndaj vendimit për të hyrë në luftë. Në panelin që po heton për legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake priten të dëshmojnë edhe personalitete të tjera të rëndësishme të jetës politike të fillimviteve 2000, ndërkohë që Bler ka dëshmuar një javë më parë, duke mos u hequr asnjë presje veprimeve të tij të 6 viteve të shkuara.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›