Blushi: Mbështetje bujqësisë me 30 miliardë lekë çdo vit

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se Partia e Lirisë do të mbështesë bujqësinë me 30 miliardë lekë çdo vit.
Gjithashtu, ai premtoi 10 mijë euro grant për çdo biznes të ri bujqësor familjar e përjashtim nga taksat për 5 vite.
Në një deklaratë për mediet, Blushi u shpreh se, “sektori prodhues në vendin tonë ka hyrë në një fazë të rëndë recesioni”.
Ai iu referua të dhënave të Institutit Të Statistikave (INSTAT), të cilat sipas tij, “tregojnë se bujqësia ra për të katërtin vit radhazi në 2024 me minus 1.1%, ndërkohë që kontributi i këtij sektori jetik për ekonominë e vendit shënoi rënie me 4%”.
Blushi u shpreh se, “më 11 maj vota për koalicionin fitues “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” është votë për mbështetjen konkrete me pagesa direkte për bujqësinë dhe fermerin shqiptar, me subvencione për çdo kokë lopë, dele e dhi, si dhe për çdo hektar të mbjellë me perime, pemishte dhe ullinj”.
“Ne do të mbështesim bujqësinë me 30 miliardë lekë çdo vit dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim”, tha ai.
Blushi theksoi se, “mbështetja e blegtorisë do të realizohet me pagesa direkte për krerë dhe njësi prodhimi, për të 4-fishuar numrin e krerëve, shpendëve dhe prodhimin vendas”.
Gjithashtu, Blushi garantoi për “pagesë grant të menjëhershme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar të krijuar dhe përjashtim të tij nga taksat e tatimet për 5 vite”.