Blushi: PD mbështet të pasurit, ne të varfrit

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Elbasanit, Ben Blushi, kanë zhvilluar një takim me banorë të zonës së Fushë-Mbretit. Rama gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone u shpreh se, ata që do të hiqen nga puna deri më 23 Qershor do të rikthehen në punë me ardhjen e PS-së në pushtet.
“Kush hiqet nga puna deri më 23 Qershor, ne do t’i kthejmë të parët në punë. Kush hiqet nga puna se, nuk i shkon në miting, se nuk i shkon nga mbrapa PD-së, le të hiqet nga puna se do rrijë një muaj pa punë por do ta fitojë për katër vjet”, u shpreh kreu i PS-së.
Ndërsa Blushi tha se Elbasani është një nga qytetet më të papuna pasi sipas tij zyrtarisht numërohen 40 mijë qytetarë të papunë. “40 mijë qytetarë të papunë, rreth 1/3 e papunë. Elbasani është zyrtarisht qyteti më i papunë në Shqipëri. Më 23 Qershor votoni për të zhdukur papunësi, mjerimin, injorancën nga shkolla, për të zhdukur frikën, për të ulur taksën”, deklaroi deputeti i PS-së. Shkaku për nivelin e papunësisë, shtoi Blushi është korrupsioni dhe me luftimin e tij luftohet dhe papunësia. Më tej ai shtoi se, “PD po mbështet gjithmonë e më shumë të pasurit, ne mbështesim të varfrit.”./Indeksonline/