Blushi: Qeveria fitoi 90 milion euro nga shitja e energjisë
Anëtarët e Komisionit të Sigurisë akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të situatës hidroenergjetike dhe për shkaktimin e përmbytjeve të vazhdueshme në zonën e Shkodrës. Për këtë arsye, anëtarët e komisionit kërkuan sqarime për masat e marra këtë vit nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe për garancitë për mospërsëritjen e situata të ngjashme edhe gjatë këtij sezoni.
Deputeti Ben Blushi u shpreh se qeveria ka mbajtur nivelin e ujit në hidrocentrale në nivele të larta, për ta shitur atë në vendet fqinje. Arsyeja kryesore e përmbytjeve në Shkodër dhe në zonat përreth ishte fakti që në atë periudhë, ndryshe nga çka qenë traditë, janë mbajtur kuotat në nivel shumë të larta. I mbajtët shumë larta, për të vetmen arsye, për të shitur energjinë. Nga informacionet që kam, nga eksporti i energjisë janë fituar 80-90 milionë euro atë vit. Nga nevoja për të mbushur gropat e buxhetit të shtetit, janë mbajtur kuotat të larta për të shitur energji si i vetmi produkt që mund të shesë sot për të balancuar buxhetin e shtetit, theksoi Blushi.
Anëtari i Komisionit të Sigurisë, ngriti shqetësimin se mbajtja e nivelit të lartë të ujit, rrezikon të përsërisë situatën. Për shkak se e keni menaxhuar keq , të ardhurat që realizuat nëpërmjet energjisë, rezultuan më të vogla se dëmshpërblimi që do të dorëzonit ti dëmtuarve. Nëse fituat 80-90 milionë euro, dëmi shkoi gati 100 milion euro, por kjo është gjë tjetër. Nëse i mbani kuotat të larta në sezon, se reshje do të ketë, në janar, mund të ndodhë e njëjta gjë, tha Blushi.
Nga ana e tij ministri Nasip Naço garantoi se janë marrë të gjitha masat për mospërsëritjen e përmbytjeve. Ajo që unë garantoj është që sot si ministër i METE të jeni mëse të bindur se Rregullorja do të zbatohet siç është shkruar në vitin 1988 dhe i ka qëndruar edhe kohës. Këtu është edhe drejtori, jemi të bindur se do të zbatojmë vetëm atë rregullore dhe ska për të pasur përmbytje për shkak të keq menaxhimit, deklaroi Naço. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Dogjani, ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës sqaroi se në rastet e fatkeqësisë natyrore është i pamundur evitimi i dëmeve.
Në fjalën time kur deklarova se përmbytje nuk ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit të kaskadës të Drinit, nuk iu referova fjalës sime, as politikanëve, por iu referova specialistëve tanë më të mirë, specialistëve të digave, që menaxhimi vitin e kaluar ka qenë sipas rregullores. Janë hapur dhe ruajtur kuotat sipas rregullores. Pjesa tjetër është fatkeqësi dhe ne do ta pranojmë se ka edhe fatkeqësi. Nuk i dëshirojmë , por edhe si ndalojmë dot, tha Naço. Anëtarët e Komisionit të Sigurisë kërkuan seancë dëgjimore edhe me kryeministrin Sali Berisha për të dhënë një panoramë më të plotë për punën e të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse për administrimin e situata hidrike që mund të paraqiten gjatë dimrit dhe për shmangien e përmbytjeve nga shirat.
Fierza nuk ka ujë, jo më të shkaktojë përmbytje
Nga Kukësi, Bashkim Shala
Deklaratat e ministrit të Energjetikes për përmbytjet ngjasojnë si ironike dhe të pa vend pasi Shqipëria po kalon një krizë thatësire si ajo e viteve 2006-2007. Në Kukesin e Vjetër kanë filluar të ngrenë krye rrënojat, të cilat përveç nostalgjisë për banorët e vjetër të qytetit, janë edhe një alarm për sektorin energjetik në Shqipëri. Qyteti i vjetër i Kukësit shtrihej në kuotën e 258 metrave mbi nivelin e detit, nga 360 metra që është Kukësi aktual. Kështu që dalja në skenë e rrënojave do të thotë se kemi të bëjmë me kuotën e 258 metrave të nivelit të Liqenit të Fierzës, ose vetëm 16 metër larg nga siç thuhet Pika e vdekjes.
Specialistë të HEC-it të Fierzës deklarojnë se kriza energjetike që po kërcënon Shqipërinë parashikohet të jetë e gjatë në kohë. Buletini meteorologjik afatgjatë që disponon HEC-i i Fierzës parashikon një vjeshtë pa shira, dimër të thatë e të ftohtë me borë në gjysmën e janarit dhe mungesë reshjesh në pranverë, verë e vjeshtën e ardhshme. Nga ana tjetër, prurjet janë në nivele minimale, vetëm 60 metër kub ujë në sekondë. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, Shqipëria do të përballet me mungesë energjie elektrike dhe zgjidhja e vetme do të jetë importi.
