E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-PS zyrtarizojnë marrëveshjen për ligjet që kërkojnë 3/5

Denis Dedej

Zyrtarizohet marrëveshja midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për kryerjen e reformave në vend. Ka qenë kryeministri Sali Berisha, ai që ka pranuar dje se midis partive politike ka një marrëveshje pas negociatave të zhvilluara nga të mandatuarit e dy partive më të mëdha politike. Detajet e kësaj marrëveshje do të bëhen të ditura në ditët në vijim, pasi është parashikuar që për secilën fushë të ketë një konsensus të përbashkët. Ditën e sotme anëtarët socialist të Komisionit të Ligjeve do ti dërgojnë homologëve të tyre demokratë një axhendë të plotë për miratimin e ligjeve që kërkojnë vota me shumicë të cilësuar. Paraditen e djeshme, anëtari i PS-së në Komisionin e Ligjeve, Pandeli Majko, ka sqaruar se do të jetë sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, që do të dorëzojë propozimin. Duke qenë se ne diskutuam edhe kalendarin e punimeve të komisionit, por edhe në vazhdim , brenda ditës  së sotme , do të keni nga nënkryetari zoti Xhafaj, propozimet tona. Lidhur me axhendën  se si e shikojmë ne shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve që janë depozituar nga qeveria dhe kërkojnë 3/5 e votave,- ka sqaruar Majko.

Çpo ndodh në PS

Mbi këtë propozim ka pasur një mbledhje midis juristëve të Partisë Socialiste ku është diskutuar mbi qëndrimin zyrtar që do tu jepet zyrtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë arsye, ekspertët socialistë kanë vendosur që draftin ta miratojnë në kryesinë e grupit parlamentar socialist, pasi kryetarët dhe nënkryetarët socialistë, që drejtojnë komisionet e përhershme, duhet të jenë në dijeni mbi përmbajtjen e draftit apo të bëjnë propozime rreth saj. Ndaj është parashikuar që paraditen e sotme të ketë një mbledhje ku të miratohet përfundimisht propozimi zyrtar i Partisë Socialiste për miratimin e ligjeve me 3/5 dhe do tua dërgojnë Partisë Demokratike. Oferta e socialistëve do të publikohet vetëm pasi ajo tu jetë dorëzuar më parë demokratëve. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se drafti do të ketë propozime të detajuara mbi mënyrën se si do të punohet në komisione. Edhe në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit është rënë dakord që ligjet që kërkojnë mbi 3/5 e votave të  deputetëve të kalojnë për rishqyrtim në komisione dhe datat e diskutimit të tyre janë lënë të pavendosura, pasi pritet propozimi i socialistëve.

Çpo ndodh në PD

Nga ana tjetër, kreu i mazhorancës ka pranuar se midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në mënyrë të padiskutueshme,  ka pasur, ka dhe do të ketë kontakte, duke e konsideruar këtë si një gje normale. Këto kontaktet janë të domosdoshme, për të diskutuar për çështje, të cilat janë të një rëndësie të caktuar të dyanshme.  Është e sigurt, që çdo propozim të opozitës ne e shqyrtojmë me seriozitetin e merituar. Ky është qëndrimi ynë konstant,  i përhershëm, doktrinar, programor i PD.  Ndaj dhe këtu, nuk ka asgjë për tu çuditur për sekretesën, këtu nëse diskutohet, diskutohet për tema, të cilat janë bërë publike dhjetëra herë qindra herë nga ju, – sqaroi kryeministri Berisha mbi paktin e arritur nga negociuesit për ligjet që kërkojnë 84 vota. Krahas konsensusit të gjetur midis socialistëve dhe demokratëve për miratimin e këtyre ligjeve, një tjetër marrëveshje parashikon ngritjen e një komisioni për reformën parlamentare dhe një për reformën zgjedhore.

Negociata për çdo çështje, jo për një pakt të vetëm

Megjithëse kryetari i Partisë Socialiste ka propozuar disa ditë më parë një pakt prej 10 pikash Për një Shqipëri si gjithë Europa, Partia Demokratike ka preferuar që të trajtojë rast pas rasti çështjet që kërkojnë një konsensus. Në këtë mënyrë, negociuesit e mandatuar nga selia blu dhe ato të selisë rozë në diskutimit midis tyre, larg vëmendjes së medias, po diskutojnë midis tyre për çdo çështje që kërkon një konsensus. Fillimisht konsensusi midis dy partive politike është gjetur për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Më pas marrëveshja e tyre është zgjeruar, në të cilën u përfshinë në diskutimet e mëvonshme ngritja e tryezës për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Negociata pa kushte duket se kanë funksionuar midis dy partive politike, pasi në një periudhë të shkurtër prej mandatimit të përfaqësuesve nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë arritur disa marrëveshje të cilat prej më shumë se një viti qëndronin pezull. Mësohet se në ditët në vijim do të ketë të tjera diskutime midis negociuesve për emrin e Avokatit të Popullit dhe për çështje teknike që kanë të bëjnë me funksionimin e komisioneve të posaçme parlamentare.

Kush janë dy negociatorët kryesorë

Oerd Bylykbashi, PD

Negociatori i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ndonëse nuk është i pranishëm në jetën parlamentare, ai është njeriu i besuar i kryeministrit Berisha, pasi mban edhe postin e drejtorit të kabinetit në kryeministri. Me profesion jurist, 37-vjeçari është angazhuar në komisionet e posaçme parlamentare për reformën zgjedhore dhe ka marrë pjesë në misione të vlerësimit të zgjedhjeve si përfaqësues i OSBE-ODHIR. Duke qenë se ka njohuri në fushim e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi, është vendosur nga mazhoranca për të udhëhequr nën emrin e tyre negociatat me opozitën, duke i besuar në këtë mënyrë një çështje tepër delikate të kohëve të fundit, siç është reforma zgjedhore.

Damian Gjiknuri, PS

Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, është një prej personave që po koordinohet më nga afër me përfaqësues të mazhorancës për çështjen e reformave. Ai gjithashtu informon kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe koordinohet me të mbi qëndrimet që do mbahen në tavolinën e negociatave. Juristi 39-vjeçar ka qenë bashkëhartues i Kodit Zgjedhor në komisionin e reformës zgjedhore në vitin 2008. Duke qenë se ka njohuri mbi çështjet zgjedhore, Gjiknuri është i mandatuar nga Partia Socialiste për të përfaqësuar këtë parti gjatë negociatave. Deputeti socialist është anëtar i Komisionit të Ligjeve dhe bashkëpunon me juristët e tjerë socialist për hartimin e draft-propozimeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›