E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Shpopullimi pasojë e keqqeverisjes

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushim tha sot se Shqipëria po përjeton tragjedinë më të rëndë demografike në historinë e saj moderne.

Në një deklaratë për mediet, Blushi tha se të dhënat më të fundit të Eurostat janë aktakuza më e rëndë ndaj politikave antikombëtare dhe shpopulluese të qëllimshme të qeverisë.

“Shifrat e EUROSTAT flasin qartë dhe rrëzojnë çdo propagandë. Pas vitit 2013, ritmi i emigrimit neto është rritur me mbi 55% krahasuar me periudhën 2002–2013”, tha ai.

Ai nënvizoi se ky fenomen është pasojë e keqqeverisjes.

“Ky është produkti i drejtpërdrejtë i keqqeverisjeje që ka vrarë shpresën, ka varfëruar shumicën dërrmuese të shqiptarëve, ka rrënuar ekonominë, ka falimentuar bujqësinë, ka asgjësuar konkurrencën e ndershme dhe ka zëvendësuar meritën me korrupsionin, klientelizmin dhe kapjen e shtetit, përfshi kapjen e drejtësisë”, tha ai.

Blushi u shpreh se Partia e Lirisë e konsideron shpopullimin si plagën më të rëndë kombëtare dhe e lidh atë me politikat e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Ai prezantoi gjithashtu pesë prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë.

“Pesë Prioritetet tona madhore për 4 milion shqiptarë plus që mbështesin familjet e reja, dyfishojnë pagat dhe pensionet, krijojnë vende të reja pune me dinjitet, mbështesin bujqësinë, arsimin, me synin shndërrimin e Shqipërisë në fuqi prodhuese eksportuese rajonale, ndalin shpopullimin dhe ndihmojnë të rinjtë të ndërtojnë jetën në vendin e tyre, me dinjitet dhe të sigurte”, tha Blushi.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›