E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 46-të për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Mbrëmjen e sotme u zhvillua në Tiranë protesta e 46-të radhazi për investimin turistik të planifikuar në Zvërnec, ku qytetarë e aktivistë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas në bulevard drejt Kryeministrisë ku në podiumin e improvizuar u mbajtën edhe fjalime.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Mes pankartave që protestuesit mbanin në duar u dhanë mesazhe të kërkesave ku e panegociueshme është dorëheqja e kryeministrit dhe thirrjet për ndryshimin e sistemit politik.

Në protestën para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre, duke përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie tranzitore, ndryshime kushtetuese, si edhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj kritikoi reagimet e kryeministrit Edi Rama ndaj protestës, duke thënë se protestuesit nuk janë njohur nga ai si qytetarë të revoltuar, por si agjentë.

Vatnikaj përsëriti kërkesën kryesore të protestës, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ritheksoi edhe kërkesën për kufizimin e mandateve të kryeministrave.

Aktivistja Luçiana Kokaj u shpreh se protestat që po zhvillohen në Tiranë, i kanë arritur qëllimet për të cilat nisën.

Kokaj tha se protestat në Tiranë bënë që Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, t’ia vendosë si detyrim qeverisë pranimin dhe shqyrtimin e disa prej kërkesave të protestuesve.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, të pranishmit marshuan në akset kryesore të kryeqytetit duke përmbyllur protestën.

Protesta e 46 në Tiranë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 13

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›