E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Blushi: Strategji rigoroze për administrimin e borxhit publik


TIRANË, 9 janar /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se, “borxhi Publik i Shqipërisë është në kushtet më të pafavorshme dhe ky është një alarm që duhet të shqetësojë çdo shqiptar”.

Një një konferencë të përbashkët me Sekretarin për Çështjet e Financave dhe Ekonomisë, prof. Petraq Milo dhe kryetaren e LGI, Esmeralda Demiraj, Blushi u shpreh se, në krahasim me vitin 2013, borxhi publik është rritur nga 6.3 miliardë euro në vitin 2013 në 13.7 miliardë euro në fund të tremujorit të trete të vitit 2024.

“Ndërsa borxhi për frymë në euro në vitin 2013 ishte 2180 euro në vitin 2024 është 5694 euro për frymë, ose me një rritje në 2,6 herë”, tha Blushi.

Blushi theksoi se, “sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendet e rajonit Shqipëria ka një nivel nga më të lartit të borxhit publik në përqindje të Prodhimit të Përgjithshëm”.

Blushi shtoi se, “një strategji rigoroze e administrimit të borxhit është e domosdoshme për të arritur një ulje graduale të borxhit publik”.

“Ulja e borxhit do të kërkonte rritje më të lartë ekonomike dhe sidomos të të ardhurave publike, që kërkon një luftë rigoroze kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Do të kërkonte mos miratimin e PPP të reja me mbështetje buxhetore ose me ofertë të pa kërkuar, si dhe mos krijimin e detyrimeve të tjera të papaguara të institucioneve qendrore dhe vendore. Do të kërkonte gjithashtu përmirësimin e treguesve financiarë të ndërmarrjeve publike dhe në veçanti të sektorit energjetik, si dhe masa të tjera për të përmirësuar treguesit e performancës qeverisëse”, tha Blushi.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›