Blushi e Malaj, kërkesë për të mbledhur kryesinë
Tetë anëtarë të kryesisë dhe sekretariatit kanë paraqitur një kërkesë për thirrjen e mbledhjes së këtij forumi
Në kërkesë janë paraqitur 5 pika për rend dite. Statuti, jo pengesë për mbledhjen e kryesisë. Vendimi merret sot
Katër ditë nga mbajtja e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, dy kandidatët e vetëshpallur për kryetar të kësaj force, Ben Blushi dhe Arben Malaj, të mbështetur edhe nga disa përkrahës të tyre, kërkojnë mbledhjen e kryesisë së partisë.
Me anë të një letre dërguar kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, dhe sekretarit për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, Blushi dhe Malaj, duke siguruar edhe firmat e 6 anëtarëve të tjerë të kryesisë dhe sekretariatit ekzekutiv, kërkojnë mbledhjen e menjëhershme të këtij forumi të lartë drejtues për të shqyrtuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që, sipas tyre, do të qartësonin situatën në këtë parti, në këtë moment shumë të rëndësishëm dhe delikat, siç është mbledhja e kongresit, hapja e garës për kryetar partie, si dhe zgjidhja e kryesisë së grupit parlamentar.
Kërkesa
Kërkesa që, përveç Blushit dhe Malajt përmban edhe firmat e Mimoza Hafizit, Eva Allushit dhe Saemira Pinos si anëtare kryesie dhe të Kastriot Islamit, Andis Harasanit dhe Edlira Haxhiymerit si sekretarë, i referohet nenit 27 të statutit, sipas të cilit "Kryesia e PSSH-së mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj".
"Duke qenë se ky forum i lartë partiak nuk është mbledhur prej një kohe të gjatë, duke qenë se jemi në prag të Kongresit të Jashtëzakonshëm, si dhe në kushtet kur mandati i kryetarit të PSSH-së është ndërprerë, vlerësojmë të nevojshme thirrjen e kryesisë për të diskutuar një sërë çështjesh organizative", - thuhet në letrën që 8 drejtuesit e lartë të PS-së i drejtojnë Ruçit dhe Xhafajt.
Pesë janë çështjet që shtrojnë për diskutim në mbledhjen e kryesisë 8 firmëtarët e kësaj kërkese. Pika e parë e rendit të ditës që kërkojnë të imponojnë ka të bëjë pikërisht me organizimin dhe konstituimin e grupit parlamentar të kësaj force, i cili në fillim të shtatorit duhet të nisë veprimtarinë e tij parlamentare.
Por një çështje e rëndësishme që kërkojnë të përfshijnë në mbledhjen e kryesisë është ajo për të ndryshuar rendin e ditës së mbledhjes së kongresit të së shtunës, duke përfshirë në të edhe një pikë të tretë, për të miratuar paketën e ndryshimeve statutore.
Me anë të kësaj pike, ata synojnë që të shmangin tensionin që mund të krijojë diskutimi i ndryshimit të rendit të ditës në kongres përpara një mase të madhe delegatësh, për të futur në të edhe pikën e ndryshimeve statutore.
Gjithashtu, për të mbetur tek kongresi, ata parashtrojnë si një pikë diskutimi në mbledhjen e kryesisë edhe hapat që janë marrë dhe po merren për përgatitjen dhe administrimin e kongresit të 29 gushtit.
Po në të njëjtën linjë, ata i propozojnë kryesisë që ekipi organizativ i kongresit të marrë masat për garantimin e transparencës gjatë kësaj mbledhjeje, pra, zhvillimin e kongresit me dyer të hapura, pavarësisht se çështjet që mund të diskutohen në të janë organizative ose jo.
Çështja e fundit që propozohet për t'u diskutuar, natyrisht është ajo që ka të bëjë me procesin pas kongresit dhe që ka të bëjë me fushatën elektorale në parti për zgjedhjen e kryetarit.
Tashmë pritet përgjigja e strukturave drejtuese të partisë, të cilat pasi të shqyrtojnë kërkesën, duhet të vendosin për mbledhjen ose jo të kryesisë. Çdo gjë duket se do të varet nga vullneti i palëve për ta mbledhur këtë forum, pasi statuti i partisë nuk përcakton asnjë klauzolë për thirrjen e mbledhjes së kryesisë.
Në të përcaktohet se kryesia thirret nga kryetari i partisë, por ai nuk ka parashikuar një rast të tillë, ku kryetarit të partisë i është ndërprerë mandati. Burime pranë selisë rozë bënë të ditur se, deri dje në darkë nuk ishte vendosur asgjë në lidhje me fatin e kësaj kërkese, dhe se çdo gjë mund të përcaktohet sot.
Pikat e propozuara për mbledhjen e kryesisë
1. Thirrjen dhe organizimin e Grupit Parlamentar në prag të hapjes së sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë.
2. Përfshirjen në rendin e ditës së Kongresit të disa ndryshimeve në statutin e PSSH-së.
3. Përgatitjen dhe administrimin e kongresit.
4. Garantimin e transparencës gjatë ditës së kongresit.
5. Diskutime për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të PSSH-së.
DODA: Rama të rikandidojë, statuti e lejon
Situata e nxehtë brenda strukturave dhe anëtareve të partisë socialiste po merr një drejtim nga qendra në bazë. Ethet e Kongresit të Jashtëzakonshëm kanë përfshirë dhe anëtarët në rrethe, ku po bëhen përgatitjet e fundit për datën 29 gusht.
Një nga përfaqësuesit e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste dhe një nga figurat më të njohura të Partisë Socialiste në Shkodër, Ndue Doda, ka shprehur hapur qëndrimin e tij pro rezolutës, cila do të diskutohet në këtë kongres, por dhe shprehu hapur opinionin e tij në lidhje me procedurat që duhet të ndiqen në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste.
Sipas Dodës, e rëndësishme për momentin, është pikërisht diskutimi i situatës brenda selisë rozë dhe rezolutës së paraqitur, dhe jo të votohet për ndryshimin e statutit, një gjë e tillë duhet të realizohet në një moment tjetër, kur të qetësohen dhe debatet brenda selisë,"- është shprehur Doda.
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me qëndrimin e tij personal për një rikandidim të mundshëm të kreut aktual, Edi Rama për postin e kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Doda u shpreh se një vendim i tillë nuk është në kundërshtim me statutin.
Kush e njeh siç duhet statutin e PS-së, aty është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Për mendimin tim, Rama duhet të rikonadidojë sërish, pasi statuti e lejon në pikën dy të tij", - ka përfunduar Doda.
Në këtë mënyrë, tashmë 112 delegatët e Shkodrës, të cilët do t'i drejtohen kryeqytetit për në Kongresin e Jashtëzakonshëm të kësaj force politike, kryejnë përgatitjet e fundit për të marrë pjesë në një takim, në të cilin pritet që të mos mungojnë dhe debatet. A.Dushi