Alibia e Dajtit: Donin të më vrisnin, reagova për vetëmbrojtje
Avokati i Dritan Dajtit, ka takuar dje në mesditë klientin e tij në dhomën e spitalit të burgut ku po mjekohet
Qeleshi: Klienti im nuk mund të japë sqarime në gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhet
TIRANË- "Ishin disa persona me maska dhe me armë ndër duar të cilët donin të më vrisnin dhe unë reagova duke u vetëmbrojtur". Ky është pretendimi i ngritur nga Dritan Dajti, tashmë i dënuari me 25 vite burg dhe i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë dhe shoqëruesit të tij Ledion Mara.
Këtë pretendim ai e ka shprehur gjatë takimit një orësh me mbrojtësin e tij ligjor të zgjedhur nga familja, avokatin Arben Qeleshi brenda dhomës së Spitalit të Burgut, ku mjekohet për tri plagët që ka në trup.
Rreth orës 11:10 minuta, kur avokati Qeleshi është paraqitur pranë institucionit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ku ka marrë autorizimin për leje takimi me klientin e tij Dritan Dajti brenda ambienteve të Spitalit të Burgut.
Pas marrjes së këtij autorizimi, Qeleshi ka hyrë nga dera e hekurt e Spitalit të Burgut rreth orës 12:30 minuta për të takuar klientin e tij, dhe nga aty ka dalë rreth orës 13:30 minuta me një fletore në duar, në të cilën kishte mbajtur shënim pretendimet dhe kërkesat e klientit të tij.
Me të dalë nga dera e Spitalit të Burgut, avokati Qeleshi i pyetur nga "Shekulli" tregoi për gjendjen shëndetësore të klientit të tij, Dritan Dajti dhe pretendimin për ngjarjen. "Dritan Dajti, më tha se ditën e ngjarjes persona me maska dhe me armë në duar donin ta vrisnin, prandaj kishte reaguar në atë mënyrë.
Nuk e dinte që ishin efektivë policie, por, kishte menduar se janë ndonjë bandë grabitësish që donin t'i merrnin lekët që kishte me vete",-nënvizoi avokati për "Shekullin".
Sipas tij, klienti i dënuar me 25 vite burg tashmë, ditën e ngjarjes, kishte pasur me vete në makinë rreth 150 mijë euro, të cilat janë zhdukur dhe nuk ndodhen të pasqyruara në asnjë proces verbal. "Për këtë "vjedhje" do të kërkojmë llogari tek institucionet përkatëse të cilët janë marrë me administrimin dhe sekuestrimin e provave të gjetura në vendin e ngjarjes, menjëherë pas arrestimit të Dritan Dajtit",- theksoi Qeleshi.
Në lidhje me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit për vrasjen e katër efektivëve të policisë, mbrojtësi ligjor i Dajtit, kërkoi përshpejtimin e ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e predhave të plumbave nga trupi i klientit të tij.
"I kam kërkuar institucionit të Spitalit të Burgut që të përshpejtojnë procedurat për ndërhyrjen kirurgjikale ndaj Dritan Dajtit për heqjen e dy plumbave që ai i ka ende në trup. Përveç institucionit të burgut, kemi kërkuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Krimeve të Rënda të krijojnë kushtet e nevojshme dhe të japin leje që klienti im Dajti të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale të heqjes së dy plumbave që ka në trup në repartin e Urgjencës ose të Neurokirurgjisë.
Pasi njëri nga plumbat, konkretisht ai që ka në fund të shtyllës kurrizore në krahun e majtë të legenit i ka shkaktuar edhe paralizimin e këmbës dhe rrezikon që mos të ngrihet më në këmbë", - tha avokati.
Ai ndodhej i shtrirë në krevat dhe nuk lëvizte fare. Edhe nevojat personale Dritan Dajti i kryente nga krevati me ndihmën e personelit mjekësor të Spitalit të Burgut, pasi vetë nuk mund të lëvizte fare nga krevati",-theksoi avokat Qeleshi për "Shekullin" para derës së hekurt të Spitalit të Burgut në kryeqytet.
Avokati:
"Dajti nuk mund të pyetet në këtë gjendje"
Në fund të fjalës së tij, mbrojtësi ligjor i Dajtit konfirmoi se "në atë gjendje që ishte Dritan Dajti nuk mund të merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të presim heqjen e plumbave nga trupi i tij pastaj mund të lëmë takim për marrjen e tij në pyetje". Sipas avokatit, gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit, nuk është e përshtatshme për të dhënë shpjegime, për shkak të plumbave që ka ende në trup.
Mësohet se avokat Qeleshi kishte takuar edhe mjekët specialistë të Spitalit të Burgut të cilët e kanë njohur me gjendjen e përgjithshme shëndetësore, duke e vënë në dijeni edhe për ekzaminimet mjekësore të kryera nga institucioni i burgut, për të cilat avokati i Dajtit ka shprehur vlerësimet dhe falënderimet e tij për personelin mjekësor.
Familja
I refuzohen Dajtit ushqimet, vetëm rrobat
TIRANË- Po mesditën e djeshme, ka qenë i vëllai i Dritan Dajtit i cili për disa minuta ka pritur para derës së hekurt të Spitalit të Burgut në tentativë për t'i dërguar të vëllait rroba dhe ushqimet.
Këto të fundit personeli i Spitalit të Burgut nuk ia ka pranuar vëllait të Dajtit, duke ia marr për t'ia dorëzuar të dënuarit me 25 vite burg vetëm rrobat. Ndërsa, ndërresat e palara punonjësit e sigurisë së Spitalit të Burgut ia kanë dhënë familjarëve të Dajtit për pastrim.
Ndërkohë, dy ditë më parë ishte vetë bashkëshortja e Dajtit e cila është paraqitur për të disatën herë pranë institucionit të akuzës, duke kërkuar leje për ta vizituar bashkëshortin. Leje kjo e cila i është refuzuar për të tretën herë.
Më pas, pas këtij refuzimi bashkëshortja e Dritan Dajtit i është drejtuar Avokatit të Popullit me një ankesë për mos lejimin e takimit të bashkëshortit dhe mos futjen e ushqimeve brenda në dhomat e Spitalit të Burgut.
Policia
Më tepër se 150 komente të rreth 460 personave i janë referuar sipas prokurorisë në një dosje për ta
"Denoncohen" përkrahësit e Dajtit dhe Marës në Facebook
TIRANË- Policia e kryeqytetit, kallëzon në prokurori miqtë e Dritan Dajtit dhe Ledion Mares të cilët i kanë shpallur "luftë" efektivëve blu në komentet e tyre në rrjetin social të njohur me emrin Facebook.
Zyrtarët e Drejtorisë së Policisë, kanë dorëzuar paraditen e djeshme në Prokurorinë e Tiranës një dosje të mbushur me komente të miqve të Ledion Mares të hapur në Facebook. Në adresë të efektivëve blu kanë mbërritur deri edhe kërcënime me vrasje.
Më aktivi për kërcënimet e lëshuara në adresë të policisë, duket se ka qenë njëri nga miqtë e Marës i identifikuar me emrin Danile Coco që ka regjistruar vend banimin e tij në Angli.
Ai ka publikuar një deklaratë të tij, ku jep shpërblim deri në 20 mijë euro për identifikimin e njërit nga agjentët e policisë që mendohet se ka marrë pjesë në operacionin e arrestimit të Dajtit dhe kunatit të tij Ergest Xhoxhi. Sipas policisë, fansat e të riut Mara, që u vra gjatë operacionit policor më 7 gusht në plazhin e Durrësit, por edhe persona të tjerë që përkrahin policinë, vazhdojnë të kërcënohen me njëri-tjetrin, secili në frontin e tij dhe me fjalorin e rrugës.
Kërcënimi i hapur por edhe detaje të tjera që flasin për skenarë hakmarrjeje, arratisje të dytë të Dajtit i kanë detyruar zyrtarët e Policisë së Tiranës të vendosin nën mbikëqyrje këtë faqe.
Po ashtu ata kanë vendosur të dërgojnë në prokurori çdo material që hidhet aty, duke nisur kështu hetimet për kërcënime ndaj punonjësve të policisë.
Në komentet që miqtë dhe ata që identifikohen si punonjës policie të hedhura në Facbook lëshohen thirrje për hakmarrje dhe vrasjes mes tyre, duke lëshuar fyerje dhe sharje të ndryshme drejt njëri-tjetrit.
Gjithashtu, edhe në adresë të "Shekullit" kanë ardhur kërcënime të vazhdueshme për arsyen e pasqyrimit të lajmit të vrasjes së Ledion Marës dhe arrestimit të Dritan Dajtit.
Ndërkohë, policia në referimin e dosjes së dërguar në Prokurori ka renditur rreth 460 komente të kryera në këtë faqe interneti nga rreth 150 persona të ndryshëm, të regjistruar me emra dhe foto të ndryshme. Ndërkaq, në lidhje me këtë denoncim zyrtarë të lartë të policisë së kryeqytetit nuk kanë preferuar të japin komente
Vjedhja
Hajdutët dalin duarbosh nga banesa e policit
TIRANE- Hajdutët hyjnë për të vjedhur në shtëpinë e policit në Shkozë, marrin një celular dhe një krëhër me fishekë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e të hënës, kur së paku dy persona ende të panjohur kanë hyrë në ambientet e banesës së efektivit të Policisë me inicialet Sh. Rr, për ta bastisur.
Ngjarja është konstatuar në mesditë ndërsa dyshohet se nuk kishte shumë që kishte ndodhur. Shërbimet dhe oficerët e Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës mësohet të kenë nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Nga këqyrja e kryer dhe nga veprimet e punonjësve të komisariatit nr.1, është konstatuar se autorët kanë mundur të vjedhin një telefon celular "Nokia", në banesën e policit.
Bashkë me telefonin hajdutët kanë menduar se mund t'iu duhej edhe një krëhër pistolete që ishte e armës personale të policit, duke qenë se para nuk kishin mundur të gjenin në të duke u larguar më pas.