Braçe: Kriza ka rrëzuar buxhetin e shtetit
"Berisha të lexojë analizat e kabinetit të tij mbi treguesit fiskalë në vend që të vazhdojë teatrin me inagurimet"
TIRANË- Partia Socialiste vazhdon të denoncojë publikisht atë që ajo e quan fshehje të së vërtetës mbi ekonominë e vendit që qeveria bën ndaj qytetarëve. Sipas Deputetit Erion Braçe, gjatë një konference për shtyp, një pjesë e mirë zërave të të ardhurave në buxhetin e shtetit rezultojnë me rënie të konsiderueshme.
"Prej disa muaj, Sali Berisha po refuzon të dëgjojë rekomandimet e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë, të FMN e BB, për masa të shpejta e të forta për të rikuperuar pasojat e krizës ekonomike globale, por tashmë edhe të krizës për shkak të shpërdorimeve të tij qeveritare.
Të ardhurat në buxhet po bien muaj për muaj brenda tyre. Të ardhurat tatimore po bien ditë për ditë po brenda tyre, të ardhurat nga TVSH, tatim fitimi, akciza, po bien frikshëm, në 7 muaj me 10 mld lekë të reja.
Nga ato që quhen taksa familjare mungojnë 2.9 mld, duke transferuar krizën pushtet më pushtet në familje më familje.
Të ardhurat nga dërgesat e emigrantëve kanë rënë deri më 40 për qind", - tha Braçe. Tregues të tjerë të cilët sipas tij shënojnë shifra negative janë deficiti tregtar dhe deficiti buxhetor, i cili po rritet tej të gjitha limiteve të vendosura me ligj nga kuvendi, duke arritur në 443 milionë dollarë.
"Në vend që të lexojë vetë analizat e kabinetit të tij mbi treguesit fiskalë të 7 mujorit, të cilave po i referohemi, Sali Berisha vazhdon teatrin e tij absurd të inaugurimeve për vepra për të cilat arka e shtetit nuk ka para", - shtoi ndër të tjera Braçe.
Një tregues tjetër tejet alarmant sipas tij është edhe ecuria e monedhës vendase, e cila, ndryshe nga praktika e viteve të kaluara, ku në muajt e vëres këtë vit është duke u zhvlerësuar nga dita në ditë. "Monedha vendase, leku, në muajin e saj më të mirë dhe nën efektin e supozuar të prodhimit vendas, po zhvlerësohet me orë", - tha ai.
Duke bërë publike realizimet në investime që disa ministri kanë realizuar gjatë muajve janar-korrik 2009, Braçe theksoi se, boshatisja e arkës së shtetit pasqyrohet më së miri nga niveli i ulët i investimeve publike.