E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi humb në qarkun e tij, PS e Korçës voton rezolutën Rama

Asambleja e PS-së së Korçës mbështet rezolutën "Rama" dhe kërkon rikandidimin e tij për kryetar. Blushi, debate me anëtarët



TIRANË - Ben Blushi ka paraqitur dje zyrtarisht në Korçë kandidaturën për kryetar të Partisë Socialiste, por në të njëjtën ditë ka humbur edhe mbështetjen e vetë partisë së qytetit të tij. Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së së qytetit të Korçës, është miratuar me shumicë të dukshme votash rezoluta "Rama", si dhe është kërkuar rikandidimi i Edi Ramës për kryetar të partisë. Në mbledhje ka qenë i pranishëm edhe vetë Blushi, i cili ka debatuar ashpër me anëtarët e asamblesë së qytetit të tij, të cilët janë shprehur hapur se mbështesin Ramën dhe jo atë.
Mbështetja

Asambleja e Partisë Socialiste të qytetit të Korçës është mbledhur paraditen e djeshme me kërkesë të ish-deputetit Niko Faber. Ky i fundit ka mbledhur firmat e një të tretës së anëtarëve dhe ka kërkuar mbledhjen. Në asamble ka marrë pjesë edhe deputeti i PS-së së Korçës, Ben Blushi.

Qëllimi i asamblesë së djeshme ishte që Partia Socialiste e Korçës të miratonte një rezolutë dhe qëndrim unik që do ta përfaqësonte në Kongresin e Jashtëzakonshëm të 29 gushtit. Që në fillim të mbledhjes, anëtarët që e kërkuan, paraqitën rezolutën e tyre. "Qëllimi i mbledhjes ishte mbështetja e rezolutës "Rama" të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, si dhe kërkesa që Edi Rama të rikandidojë për kryetar të partisë. Në asamblenë e Korçës u propozua një rezolutë që mbështet plotësisht rezolutën e Asamblesë Kombëtare. Në këtë rezolutë u shpreh mendimi se zgjedhjet e 28 qershorit ishin të manipuluara e të deformuara dhe ato nuk shprehin vullnetin e popullit.

Edhe këtë herë Sali Berisha dhe Partia Demokratike vunë dorë mbi zgjedhjet, duke ndryshuar rezultatin. Kjo është një nga arsyet e forta që Partia Socialiste, edhe pse doli forcë e parë dhe e majta mori më shumë vota popullore, ne nuk i fituam zgjedhjet e 28 qershorit",- tha dje për "Shekulli"-n Niko Faber. Sipas tij, pjesa më e madhe e anëtarëve të asamblesë së Korçës kërkuan rikandidimin e kryetarit të partisë, Edi Rama.
Por, deputeti i Korçës, Ben Blushi, e ka kundërshtuar fuqimisht këtë rezolutë.

"Ben Blushi ndërhyri fort, në mënyrë të veçantë që në rezolutë të mos viheshin emra dhe konkretisht të mos shprehej miratimi i asamblesë për rikandidimin e Edi Ramës",- tha Faber. Në këtë moment, anëtarët e asamblesë i kanë kërkuar Blushit që të shprehet konkretisht nëse ai do të kandidojë apo jo për postin e kryetarit të partisë.

Kandidimi
I vënë përpara presionit të anëtarëve të asamblesë, Blushi ka pohuar që ai do të kandidojë për postin e kryetarit të partisë dhe për këtë ka mbështetjen e disa prej anëtarëve të asamblesë së Korçës. "Ju nuk mund të mbështesni kandidimin e Ramës, ai është përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve. Kandidatët e paraqitur në zgjedhje ishin caktuar prej tij dhe jo prej partisë. Me këtë rezolutë që ju doni të miratoni, u prisni rrugën e kandidimit njerëzve të tjerë brenda PS-së, që synojnë postin e kryetarit",- u ka thënë Blushi anëtarëve të asamblesë. Kandidimi i Blushit ka sjellë debate dhe batuta në sallë, kur disa prej anëtarëve i kanë thënë Blushit: Kandidimi është një torbë që nuk mund ta mbash dot.

Një tjetër kërkesë e Blushit ishte që të hiqej emri i Ramës nga rezoluta dhe kjo gjë u hodh në votë. Votimi rrëzoi propozimin e Ben Blushit. Anëtarët e asamblesë u shprehën se PS-ja është një parti e hapur dhe se gjithkush që plotëson kriteret mund të kandidojë për postin e kryetarit të partisë. Bazuar në këtë koncept, Blushi i ka kërkuar që të bëhet një shtesë në rezolutë, ku të thuhet, "Partia Socialiste e Korçës përshëndet edhe kandidatët e tjerë për postin e kryetarit të partisë, si zoti Blushi dhe zoti Malaj". Ky propozim i Blushit gjeti mbështetje në asamblenë lokale dhe u përfshi në rezolutë.
Në përfundim, asambleja e Korçës ka hedhur në votë dokumentin që do të paraqitet në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste dhe është vendosur që të miratohet propozimi i paraqitur nga ish-deputeti Niko Faber. "Ideja kryesore është se asambleja u mblodh me synimin për të mbështetur rezolutën dhe këtë e bëri, pra u arrit qëllimi",- tha dje Niko Faber.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›