Berisha riktheu reformën e Enver Hoxhës
Ish-pronarët kundër qeverisë për projektvendimin e marrjes së tokës nga pronarët dhe dhënies së saj me qira për 99 vjet
TIRANË- Shoqata e ish-pronarëve ka cilësuar projektvendimin e ri të qeverisë Berisha për marrjen e tokës si një reformë të dytë agrare, pa asnjë ndryshim nga ajo e zhvilluar në vitin 1946 nga Enver Hoxha. Pak kohë më parë, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, ka pohuar se qeveria po harton një projektvendim, sipas të cilit pronarëve që zotërojnë toka dhe që nuk i punojnë, ato do t'iu sekuestrohen nga komunat dhe më pas do iu jepen me qira personave të tjerë.
Por kryetari i shoqatës kombëtare të të shpronësuarve, "Pronësi me Drejtësi", Rapo Hajredin Danushi ka pohuar se është një shkelje e hapur e ligjit. "Është mohim i të drejtës së pronës. Ky veprim ndaj atij që e ka tokën e tij të trashëguar t'ia heqësh dhe t'ia japësh kooperativës bujqësore, do të thotë të përsërisësh reformën agrare të 1946 të Enver Hoxhës",- është shprehur Danushi.
Sipas tij, projektvendimi parashikon që toka t'i jepet me qira personave të tretë për një afat prej 99 vjetësh. "Pra i bie që të ikin nja tre a katër breza dhe të harrohet toka dhe kështu ajo bëhet pronë shtetërore. Ne nuk e kemi lënë dhe as kemi për ta lënë qeverinë shqiptare që të bëjë si të dojë me çështjen e pronave",- u shpreh Danushi. Sipas tij, aplikimet e këtyre procedurave janë për të mbuluar dështimet e qeverise me çështjen e përcaktimit të titujve të pronësisë në vend.
"Kjo që po bëhet sot është rezultati i ligjit 7501, një ligj që nuk ecën. Prandaj fillon Sali Berisha me këto metodat e tjera"-, u shpreh kryetari i shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Danushi është shprehur se kjo mënyrë të vepruari nga ana e qeverisë do të sjellë pakënaqësi dhe reagime nga ana e pronarëve të tokës. Ai i kërkon qeverisë që të zgjidhë menjëherë çështjen e përcaktimit të qartë të titujve të pronësisë pasi është e vetmja mënyrë për vënien e demokracisë së vërtetë në vend.