E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi me Arvizun, mungon në darkën e kryesisë së PS. Rama niset nesër në SHBA

DURRES - Kryeministri dhe njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama mblodhi dje, në një darkë, anëtarët e kryesisë së PS-së. Në këtë darkë mungoi Ben Blushi, i cili kishte të planifikuar më parë një tjetër darkë, por me ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu. Rama me anëtarët e kryesisë u gostitën nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili shtroi edhe darkën, në hotel "Leonardo", pranë Shkëmbit të Kavajës. 

Burimet thanë për "Gazeta Shqiptare" se anëtarët e kryesisë kanë ngrënë peshk e kanë pirë verë. E ndërkohë biseda nuk u është shmangur dot edhe porosive politike të kryeministrit Rama. Sipas të njëjtave burime, Rama ka porositur ministrat dhe deputetët që tashmë të sugjerojnë dhe të gjejnë drejtorët kryesorë në dikasteret që kanë filluar të plotësojnë vendet e lëna bosh, pas dorëheqjeve të stafeve politike, të ministrave të mëparshëm. Një tjetër diskutim ka qenë edhe situata e kriminalitetit në vend, për të cilën Rama ka kërkuar prej Tahirit që të vijojë me punën që ka nisur, në mënyrë që të mbahet premtimi që u është dhënë shqiptarëve, për vendosjen e qetësisë dhe sigurisë në 300 ditët e para të mandatit qeverisës. 

Në fakt, ky takim i Ramës me kryesinë ishte i planifikuar prej kohësh, por mundësia u gjet vetëm mbrëmë. Madje, darka ishte menduar të bëhej pikërisht ditën që qeveria e re bëri betimin në selinë e Presidentit. Por për shkak të intensitetit të punës, pas një seance të stërgjatë parlamentare, Rama mendoi që ta zhvillonte këtë mbledhje në një kohë më të qetë. Aty ishin të pranishëm: Gramoz Ruçi, Taulant Balla, Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Ilir Beqaj, Blendi Klosi, Lindita Nikolla, Mimi Kodheli, Arta Dade, Bashkim Fino, Ditmir Bushati, si dhe zv.kryeministri Niko Peleshi, kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. 

Kryeministri Rama pritet që nesër të niset për në SHBA, ndaj edhe ka preferuar që të komunikojë nga afër dhe me qetësi me bashkëpunëtorët e tij, për të lënë edhe detyrat përkatëse. Gjatë ditëve të mungesës së Ramës, ministrat do të bëjnë gati reformën strukturore të ministrive, për të parë se kush do të shkurtohet dhe kur do që qëndrojë. Pas kthimit në atdhe nga SHBA, kryeministrit Rama do t'i duhet të merret edhe me shpërndarjen e kryetarëve të komisioneve parlamentare, por nga ana tjetër, burimet thonë se do të ketë ndryshime në strukturimin e komisioneve. Nuk dihet nëse kjo do të bëhet tani urgjente, pasi duhet të bëhen rregullime në rregulloren e Kuvendit më parë. Ndërkohë, ende nuk është përzgjedhur edhe kryesia e grupit parlamentar, gjë që duhej të ishte bërë tashmë. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›