E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëviktimizimi s'hyn fare në punë

Një farë vetëviktimizimi i mbrujtur me binomin qarravitjekërcënime, si ai për të cilin fl asin këto radhë, ndoshta nuk do t’ia vlente për t’i ngrënë kohë lexuesit, po qe se do të përdorej thjesht si një prezantim i gjendjes së mjerueshme ku gjendet opozita aktuale. Nuk do t'ia vlente, edhe po qe se nuk do të vazhdonte të trumbetohej gjatë vizitës së suksesshme në Bruksel të kryeministrit të ri të Shqipërisë. Por, pas artikulimit të këtij lloj vetëviktimizimi shtrohet një pyetje, që lidhet për riformimin e një opozite moderne.
Kur kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur së fundmi në PE theksonte përgjegjësinë më të madhe për të ardhmen europiane të vendit tonë, nuk kurseu të shprehej edhe një herë për atë çfarë kishte deklaruar pak ditë më parë, kur paraqiste këtu, në Kuvend, Programin e Qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Europiane (2013 - 2017): "Do të sigurohemi që opozita do të përfitojë çdo të drejtë që ne na u mohua gjatë tetë viteve në opozitë". Dhe, pa dyshim, kjo siguri ka vlerë të madhe jo vetëm për statusin e kundërshtarit politik të maxhorancës parlamentare të re, por edhe për vetë këtë të fundit. Sepse, siç ka thënë Benjamin Disraeli, ish-Kryeministër i Britanisë së Madhe, "Asnjë qeverisje nuk mund të ketë siguri të gjatë pa një opozitë shumë të fortë". Në këtë kuadër, ky status nuk mund të kuptohet me shpirtgjerësinë apo frymën liberale që mund ta karakterizojë shumicën ndaj opozitës, por sidomos me disponimin për bashkëpunimin dhe vullnetin politik reciprok, çka vlerësohet se përmbledh në mënyrë sintetike tiparin e vërtetë të një regjimi.
Mirëpo, me gjithë optimizmin që ka shfaqur në këtë drejtim kryeministri Edi Rama, fillimet e kësaj legjislature nuk po duken shumë premtuese. Nuk po duken të tilla, po të mbajmë parasysh qëndrimin e ish-kreut të Partisë Demokratike dhe të disa kolegëve të tij (de jure jo me vartës të vet), të zgjedhur nën të njëjtën logo, veçanërisht gjatë seancës maratonë dydatëshe për diskutimin e Programit qeverisës dhe për miratimin e Kabinetit Qeverisës të drejtuar nga Edi Rama. Për t'i qëndruar vështrimit të mësipërm nuk mjaftojnë deklaratat në vazhdimësi agresive të Sali Berishës, për t'u kujtuar të tërëve demek, aftësinë apo kapacitetet e sërës së vet në tërheqjen zvarrë të etërve të kryeministrit Rama, të asaj sëre që me sa kuptohet, s'e mbakërka dot vendi në karriget e kufizuara të parlamentit, apo të ndjerë në një pozicion inferior ndaj pushtetit qeverisës të deputetëve të tjerë. Me këtë lloj qëndrimi, që ka pak gjasa të përmirësohet së shpejti, kjo sërë e Sali Berishës nuk qenka në gjendje të mbajë parasysh se një demokraci e tipit kushtetues nuk ia fal "të gjithë" pushtetin shumicës. Jo, ca e ca të kësaj sëre u mësuan ta mbanin atë për interesat e veta, me hir e me pahir. Dhe, tani kërcejnë në reflektime brutale ndaj goditjes që u dha populli gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Goditjes jo thjesht për të zbatuar një rregull elementar në shoqëritë demokratike, që është rotacioni periodik i pushtetit, por për të mos u dhënë më mandat tjetër qeverisës, që i realizuar si dy të parat do ta shtynte përfundimisht vendin për në humnerë.
Për të plotësuar dhe mbështetur më tej këtë vështrim të vagullt, duke mbajtur në dorë kronometrin e kësaj kohe të shkurtër parlamentare, mund të përmendim edhe deklaratat e kryetarit 2-mujor të partisë mbi 22-vjeçare, që i vënë kapakun vlimit të nxehtë në "tenxheren" e kësaj force politike. Pas miratimit me një shumicë pothuajse të cilësuar të programit qeverisës dhe dhënies së pëlqimit përbërjes së Këshillit të Ministrave, si edhe pas bërjes së betimit të anëtarëve të kabinetit të ri qeveritar te Presidenti i Republikës, ai, pra Lulëzim Basha, nxitoi të dilte në një konferencë shtypi, gjatë së cilës akuzoi kryeministrin Rama dhe maxhorancën parlamentare për sulme dhe kërcënime ndaj opozitës, duke u bërë thirrje që të ndërpresin rrugën e nisur. Përndryshe - sipas tij - do të përballeshin me reagime të atilla, pasojat e të cilave i merrnin vetë me mend. Por, meqë që nga çdo gjë e pakuptimtë, ireale, nuk pritet ndonjë reagim, stepje dhe as keqardhje, askund dhe te askush nuk u panë shami të qullura në lot. Nuk u vunë re as portrete të trembura nga parandjenja të këqija, apo buzë të përpëlitura nga cingërima drithëruese. Përse kështu? E po ishte thjesht një vetëviktimizim, që bënte opozita me gojën e kryetarit de jure të saj, vënë në lëvizje sidomos nga fjalët dhe gjestet e çartura të kryetarit ende de facto të Partisë Demokratike.
Sidoqoftë, e gjithë kjo, që ngërthen edhe kërcënime, me shpresën për t'i vënë stërkëmbëshin qeverisë së re në startin e saj, më keq akoma, për të rrokullisur popullin që ua tregoi vendin atje ku duhej ta kishin qysh katër vite më parë, domethënë në opozitë, për të krijuar atmosferë destabilizimi në vend, që këtij t'i refuzohet statusi zyrtar i kandidimit në BE, pra e gjithë kjo, nuk është pa rëndësi. Nuk është pa rëndësi, sepse tregon në fund të fundit që kapacitetet njerëzore të kësaj force politike nuk mund të gjallojnë e gjenerojnë frymën e re që kërkon koha. Madje, këto kapacitete të tkurrura dhe të atrofizuara paraqesin politikanë-karikatura. Paraqesin, pra, jo liderë politikë, të cilët duhet të bashkëdrejtojnë shtetin në rrugët e së ardhmes. Paraqesin politikanë-karikatura, që pandehin se mund të krijojnë apo rigrumbullojnë publik me vulgaritete, intriga, nënçmime, kurthe dhe primitivizma. Paraqesin pra, jo liderë politikë, të cilët duhet ta dinë mirë se sharjet që u bëhen njëri-tjetrit, fyerjet dhe përplasjet e "gërryejnë" kulturën politike deri në shkallë të palejueshme. Paraqesin politikanë-karikatura, që i përbetohen popullit për ndryshime dhe pastaj shfrehin mllefe, që pohojnë makiavelizmin e tyre. Paraqesin pra, jo liderë politikë, të cilët kërkesën për ripërtëritje morale dhe materiale e konsiderojnë kurrfarë liturgje, por vetëm si kërkesë reale serioze. Paraqesin politikanë-karikatura, që deri tani përdorën dhe poseduan të gjitha mjetet ekzistuese të trashëguara nga socializmi dhe disponuan gjithë pasurinë e vendit, për të sunduar me lehtësi të pasurueshme. Paraqesin pra, jo liderë politikë, të cilët mbështeten te vlerat reale, te respektimi i parimeve morale, te zhvillimi i procedurave demokratike dhe te ndërtimi i një shoqërie civile të modelit perëndimor, çka përbëjnë bazën e përparimit tonë.
Këtij lloj vetëviktimizimi, të mbrujtur në binomin qarravitje-kërcënim, për të cilin po flasim, ndoshta nuk do t'ia vlente për t'i ngrënë kohë lexuesit, po qe se do të përdorej në çelje të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Shqipërisë thjesht si një prezantim i mjerueshëm i gjendjes ku është katandisur pjesa më e madhe e asaj, që aktualisht përbën opozitën politike të vendit. Nuk do t'ia vlente vërtet, edhe po qe se nuk do të vazhdonte të trumbetohej ky lloj vetëviktimizimi edhe gjatë vizitës së suksesshme në Bruksel të kryeministrit të ri të Shqipërisë, ku organe të zgjedhura si Parlamenti Europian, si edhe titullarë të Komisionit Europian, të Këshillit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian, të Organizatës së Aleancës Politiko-Ushtarake të Atlantikut të Veriut etj. janë inkurajuar për t'i qëndruar Shqipërisë sonë në krah drejt pranimit të saj në këtë organizëm të quajtur deri tani 'supranacional'. Mirëpo, çuditërisht, këtu përsëri del në skenë vetëviktimizimi. Pasi në konferencat e shtypit me kryeministrin tonë, nga Barroso u theksua që reformat qeverisëse në Shqipëri duhet të përshpejtohen jo për t'i bërë nder Brukselit, por popullit shqiptar, duke shprehur gjithashtu besimin që në dhjetor të këtij viti do t'i akordohet parimisht Shqipërisë statusi zyrtar i shumëpritur dhe pasi Rasmussen u tregua optimist për forcimin cilësor të mëtejshëm të marrëdhënieve të NATO-s edhe me një prej shteteve anëtare të kësaj Organizate - Shqipërisë, duke këshilluar që të shohim nga e ardhmja dhe jo ta kthejmë vështrimin nga pas, del në skenë përsëri kryetari i opozitës politike në Shqipëri, Lulëzim Basha, i cili nuk mund të mos nxitonte të deklaronte gatishmërinë e forcës së tij politike për të kontribuar edhe ajo në integrimin europian të Shqipërisë.
Por... kordat e zërit nuk e lanë të artikulojë më tej garancitë për dhënien e një kontributi të tillë, duke ia shndërruar ligjëratën në avazin e zakonshëm të këtyre muajve, të këtyre ditëve. Sipas tij, Rama duhej të kthehej në Shqipëri me mend në kokë dhe me këmbë në tokë, duke hequr dorë nga urrejtja dhe fryma konfliktuale ndaj opozitës. Në të vërtetë, se kush duhet të heqë dorë nga urrejtja, mëritë, zilitë, kërcënimet partiake etj., etj., këtë e kanë të qartë tashmë jo vetëm këtu, mes nesh, por edhe përtej kufijve të Shqipërisë, ndonëse në pluralizëm zhvillohet një lojë e çuditshme ndërmjet demagogut dhe masës. Ajo që mbetet për t'u parë është se sa shpejt do të duhet që partitë e opozitës aktuale të riformohen apo të rithemelohen, domethënë, nga parti të sunduara prej një njeriu apo klani rreth tij, të kthehen në forca autentike dhe sociale, që dinë të tregojnë jo muskujt ndaj kundërshtarëve politikë, por vizione në përshtatje me kohët moderne. Dhe këto forca sigurisht që dikur do të zënë vend natyrshëm. Natyrshëm, sepse ata që drejtojnë opozitën tash për tash, pas një harku kohor do t'u ngjajnë atyre pak njerëzve, të cilët në qytetin ku këmbanat lajmëronin orën e saktë dhe të gjithë mbështeteshin apo i kryenin veprimet sipas fushës së këtij sahati, ata vazhdonin t'i mbanin akrepat mbrapa, derisa u braktisën nga të gjithë në vetminë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›