E Martë, 3 Nëntor 2026

Boçi: Dyfishohen çmimet e referencës së pronave, shtohet barra fiskale e familjeve dhe bizneseve

Grupimi i Rithemelimit të Partisë Demokratike, u shpreh të martën kundër rritjes së çmimeve të referencës për pronat.

“PD është kundër taksimit që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve”, tha nënkryetari i këtij grupimi Luçiano Boçi .

“Nëse po mendoni të blini një apartament në Tiranë, në varësi të zonës do tu duhet të paguani nga 5 deri në 76 përqind më shumë. Nëse aktualisht keni një apartament apo biznes në Tiranë po kaq do të rritet edhe taksa e përvitshme që do paguani. Kjo ndodh sepse janë rritur çmimet e referencës me vendim qeverie, botuar tashmë në fletoren zyrtare për 32 zonat kadastrale të Tiranës”, tha Boçi.

Sipas tij, “rritja e çmimeve fiskale do të sjellë automatikisht rritje të pagesës vjetore të taksës së apartamenteve, të njësive tregtare dhe ndërtesave të tjera, pasi taksa llogaritet mbi vlerën e shtëpisë apo të dyqanit”.  

Zoti Boçi tha se ”Ajo që bie në sy në këtë rritje ekstreme është fakti se zonat që dikur njiheshin si të lira, si Unaza e Re, Fabrika e Miellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht etj do t’i kushtojnë qytetarit 76% më shumë ose 450 euro për metër katror”.

Ai kujtoi se për një kohë të gjatë këto zona kanë qenë të preferuara për familjet e reja apo ata që vinin nga rrethet me mundësi modeste financiare. “Pas këtij vendimi qëndrojnë interesat oligarkike në ndërtim, sepse pas kësaj rritjeje vetëm ndërtuesit e mëdhenj do të mund të investojnë. Të dëmtuarit e mëdhenj janë qytetarët shqiptarë dhe ndërtuesit e vegjël”, nënvizoi Boçi.

“Partia Demokratike është kundër këtij taksimi që shton barrën fiskale të familjeve dhe bizneseve. Këto taksa janë një ekzekutim i mundësisë për kursim të familjeve shqiptare, shkollim të fëmijëve dhe një tjetër shtysë drejt falimentit për mijëra biznese të vogla. Me ardhjen tonë në drejtimin e vendit ne do t’i ulim të gjitha këto taksa dhe e cilësojmë rritjen e tyre një masë çnjerëzore të qeverisë Rama”, përfundoi  nënkryetari i grupimit të Rithemelimit të PD Luçiano Boçi.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›