Berisha: Rama dhe Veliaj detyruan institucionet të paguajnë për incineratorin e Tiranës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Rama dhe Veliaj detyruan institucionet qendrore të paguajnë për incineratorin e Tiranës.
Ai vuri në dukje se Rama dhe Veliaj janë përgjegjës për zhdukjen e 130 milionë eurove për incineratorin e Tiranës.
“Edi Rama, në apologjinë e vjedhjes më të madhe të shekullit, e quajti mangësi dhe nevoja, vjedhjen në 6 vite në djegësin e Tiranës, të 130 milionë eurove. 128 milionë prej të cilave duhet të shpenzoheshin për ndërtimin e plotë të djegësit të Tiranës. Rama dhe Veliaj janë përgjegjës kryesorë për faktin se janë zhdukur 130 milionë euro dhe gjurmët e djegësit të Tiranës nuk ekzistojnë”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, Edi Rama përpiqet gjithashtu “të mbyllë vjedhjen dhe krimin e shëmtuar me djegësin e Elbasanit, me të cilin iu vodhën qytetarëve nga klani i plehrave, me në krye vetë Ramën, 28 milionë euro, dhe tani ka ngelur një rrangallë pa funksion, çka dëshmoi qartë djegia e malit të plehrave në Elbasan, pikërisht ditën kur Rama tha se ai ekziston”.
Ish-kryeministri renditi edhe institucionet e vendit, që sipas tij, janë detyruar të paguajnë për incineratorët.
“Përveç bashkive të qarkut, për kompaninë Rama-Veliaj kanë paguar edhe Ministria e Kulturës, Gjykata e Lartë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Policisë së Shtetit, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qendra e Formimit Profesional, INUK dhe Mirlinda e AKSHI-t apo Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, Spitali Distrofik, etj”, u shpreh Berisha.
Për këtë arsye, Berisha iu bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen në mbrojtje të pasurive të tyre publike, “të ngrihen kundër kupolës së mafies së rrezikshme të plehrave, të kryesuar nga Edi Rama”.
/rtsh.al/