PS: Buxheti s'është realist, do ndryshohet sërish

Deputetët e majtë, kundër ndryshimeve në buxhet: Keni bërë llogari me rritje ekonomike 6% kur INSTAT thotë 2%
TIRANË - Ndryshimet e miratuara së fundmi nga qeveria në buxhetin e këtij viti konsiderohen të pamjaftueshme nga opozita. Në fjalën e mbajtur në foltoren e Kuvendit, të majtët theksuan faktin se ndryshimet janë bërë të domosdoshme për shkak të krizës që kjo qeveria e ka zhytur, sipas tyre, ekonominë e vendit. Madje, duke i cilësuar si jo në përputhje me realitetin në terren, të majtët paralajmëruan për rregullime të tjera të pritshme në muajt në vijim.
"Ja ku po jua them këto se në dhjetor të vitit 2010 do të vini këtu për të ndryshuar përsëri këtë buxhet. Atëherë do të keni 6 për qind deficitin buxhetor dhe një borxh sa 64 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto", - tha deputeti i Shkodrës, Ilir Beqja.
Në të njëjtën linjë qëndroi edhe, Arben Malaj. Ai tha se, treguesit që kanë të bëjnë me borxhin publik dhe deficitin të paraqitura për miratim janë të pavërteta, duke shtuar se qeveria po fsheh krizën ekonomike që ka përfshirë vendin. Sipas Malajt, nëse nuk merren masat e nevojshme, deri në fund të vitit mund të përballemi me një borxh publik deri në 65 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. "Nëse qeveria nuk do të veprojë sot, nesër do të jetë shumë vonë", - tha ai.
Krahas rishikimit të mëvonshëm të buxhetit, Erjon Braçe u fokusua edhe tek treguesit që, sipas tij, detyruan mazhorancën që të bënte shkurtime drastike të shpenzimeve. "Qeveria sapo shpjegoi se shkaku përse Kuvendi duhet të shkurtojë sot 40 miliardë lekë shpenzime është ekonomia reale. Qeveria kishte parashikuar këtë vit një rritje ekonomike prej 6 për qind.
Zyra e Statistikave të Qeverisë thotë se në 3 muaj është 2 për qind. Me këtë nivel të ri të PBB-së, të zvogëluar me tre herë, llogaritë nuk dalin. Deri tani, në 6 muaj, qeveria ka paguar duke marrë borxh. E keqja nuk mbaron këtu. Me treguesit e paraqitur, qeveria ose do të vijë sërish në shtator të shkurtojë shpenzime të tjera pse do të duhet të marrë edhe më shumë borxh", - tha Braçe.
Pjesë debatit është bërë edhe deputeti Taulant Balla, i cili gjatë fjalës së tij komentoi marrëveshjet e huave të miratuara disa ditë më parë nga qeveria në vlerën e rreth 3.2 miliardë eurove. Sipas Ballës, nuk bëhet fjalë për kredi në këtë shumë por vetëm për rreth 84 milionë euro, nga katër banka të ndryshme.
"Ne u interesuam pranë këtyre institucioneve ndërkombëtare bankare dhe morëm prej tyre informacionin e saktë të vlerës së kredive: Banka Europiane e Investimeve - 50 milionë euro; OPEC - 30 milionë dollarë; Banka Islamike e Zhvillimit - 10 milionë dollarë dhe të gjitha së bashku shkojnë arrijnë rreth 82 milionë Euro", - tha Balla.