E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: FMN vlerëson reformat në vend

Një ditë pas daljes së liderit të opozitës, Rama, që deklaroi se FMN deklaron se korrupsioni në Shqipëri është rritur, Bode e lexon në mënyrë tjetër këtë raport

Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar është lexuar në mënyrë të ndryshme nga opozita dhe nga mazhoranca. Gjatë ditës së Mërkurë lideri i opozitës, Edi Rama, bëri të ditur se në këtë raport të FMN-së vlerësohet se treguesi i korrupsionit në vend gjatë periudhës 2005-2008 është dyfishuar. Ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se nuk ka asnjë vlerësim për korrupsionin në vend nga ana e FMN. Bode tha se raporti bën vlerësime tepër pozitive për Shqipërinë. “Sipas këtij raporti, Shqipëria po arrin në lartësi të reja të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror. Në vitet e fundit PBB për frymë është rritur më shumë se dy herë, rezultat si në asnjë vend tjetër në tranzicion, rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë ka qenë 96 %, 17 vendet në tranzicion kanë një rritje mesatarisht prej 50 %. Vendet Baltike, që kanë rritjen më të lartë ekonomike mes vendeve në tranzicion, kanë një rritje prej 74 %, vendet e BE-së me 50 %, ndërkohë që vendet e tjera me ekonomi emergjente dhe në tranzicion kanë një rritje prej vetëm 38 %”, - tha Bode. Në fjalën e tij Bode ka sulmuar liderin e opozitës Edi Rama, duke deklaruar se “në këtë raport prej 107 faqesh nuk përmendet asnjëherë fjala korrupsion. Por nga ana tjetër, të gjithë raportet e ndërkombëtarëve për korrupsionin e rendisin Shqipërinë në pozicione të disfavorshme. Shqipëria mbetet një nga vendet me nivelin më të lartë të korrupsionit në rajon dhe në botë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›