E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrogat, në buxhet mungojnë 40 mln euro

Kryeministri dhe ministri i Financave rrëfehen para FMN: “Këtë vit, asnjë lek shtesë për paga. Rriten vetëm pensionet”

Është tërësisht e paqartë se në çfarë zëri në buxhetin suplementar është parashikuar rritja e pagave dhe pensioneve që sipas ministrit të Financave është 6 miliardë lekë për këtë vit.

Gjatë tre javëve të para të gushtit, mjekë, mësues etj., pritën me padurim të mësonin se sa u qe rritur paga pas llogarive të shumëfishta me përqindje. Por pritja duket se do t'i shkojë huq. Këtë javë, qeveria informoi përmes letrës së mirëkuptimit Fondin Monetar Ndërkombëtar se shpenzimet e qeverisë për paga nuk do të ndryshojnë me buxhetin suplementar. Më herët, kryeministri Berisha pati deklaruar me bindje të plotë “rritjen e pagave” dhe pati sharë çdo lajm që fliste për të kundërtën si “lajm i medias së mafias” apo “shpifje e opozitës”.

“Për të ulur impaktin shoqëror të rritjes së çmimeve të ushqimeve, ne do të përdorim fondin rezervë për paga e pensione (4.6 miliardë lekë për të financuar subvencionime të pjesshme për segmentet më të dobëta të popullatës”. Por nëse shohim në buxhetin suplementar kemi një ulje të fondit te kontigjencës për politika pagash nga 4.6 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim të vitit në 2 miliardë lekë. Është tërësisht e paqartë se në çfarë zëri në buxhetin suplementar është parashikuar rritja e pagave dhe pensioneve që sipas ministrit të Financave është 6 miliardë lekë për këtë vit.

Nga ana tjetër, për të shmangur spiralen paga-çmime-inflacion, ne do të mbajmë shpenzimet për personelin, përfshirë pagesat për sigurimet shoqërore, në nivelin e vendosur që në fillim prej 68 miliardë lekësh”, - thotë qeveria në letrën që i dërgon FMN-së. Letra është firmosur nga kryeministri Berisha, ministri i Financave Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani.

Merr këtu fund një debat shumëmujor mes medias dhe qeverisë, si dhe mes vetë medias mbi rritjen e pagave. Qeveria pati deklaruar fillimisht rritjen e pagave, por nuk publikoi ndonjë vendim që të sanksiononte rritjen, kush përfitonte dhe sa përfitonte. Edhe kur u miratua buxheti shtesë, në të cilin duhej të sanksionohej rritja e fondit për paga, tabelat shoqëruese u publikuan me vonesë, me shpresë se nuk do ta vërente kush. Por tani që buxheti i ndryshuar u publikua në fletoren zyrtare, dallohet qartë se zëri i shpenzimeve për personelin, ku hyjnë pagat dhe pagesat e sigurimeve shoqërore për administratën publike, nuk ka ndryshuar fare. Ai vijon të jetë 68 miliardë lekë (euro 557 milionë), i pandryshuar nga buxheti i fillimvitit.

Historia e mosrritjes së pagave

Qeveria pati planifikuar në fillim të vitit buxhetin më të madh në historinë e vendit me deficitin më të lartë që nga viti 1998, kryesisht për të financuar rrugën Rrëshen-Kalimash. Te buxheti i fillimvitit qe planifikuar edhe fondi rezervë më i lartë në shumë vite, fond që duhej të përdorej për rritje pagash e pensionesh, në rast se punët ecnin mirë. Por punët nuk ecën mirë, për shkak se Bechtel-Enka kërkoi 210 milionë euro shtesë për ndërtimin e rrugës, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh i shqetësuar për faktin se deficiti i lartë prej 7.9% të PBB-së i programuar në fillim të vitit mund të shkatërronte ekonominë shqiptare. Për pasojë, qeveria u këshillua të ulë shpenzimet me 235 milionë euro, duke e ulur deficitin e përgjithshëm në 5.2% të PBB-së. Që në çastin kur u njoftua detyrimi i qeverisë për të ulur deficitin, FMN deklaroi gjithashtu se “nuk ka para për rritje pagash” dhe se në vend të politikës së parapëlqyer të rritjes së bollshme të pagave, qeveria duhej të mendonte të rriste shpenzimet për pensione dhe asistencë sociale, masë që kërkon shumë herë më pak para sesa rritja e pagave dhe që ndihmon shumë më tepër njerëz. Qeveria iu bind kësaj këshille, por nuk e pranoi kurrë publikisht. Përkundrazi, pati një pafundësi deklaratash këmbëngulëse se pagat do të rriteshin nga 1 korriku nga 4 në 15%, ku mjekët e mësuesit do të përfitonin rritjen maksimale, ndërsa administrata qendrore do të përfitonte rritjen minimale, të mjaftueshme për të mbuluar inflacionin e lartë të këtij viti. Paqartësia nëse pagat qenë rritur apo jo, u shtua kur qeveria miratoi disa vendime që ndryshonin strukturën e administratës së institucioneve të ndryshme publike. Vendimet kryhen përgjithësisht për t'i dhënë titullarëve të institucioneve dorë të lirë për të pushuar njerëz nga puna e për të punësuar njerëz të rinj. Media i interpretoi këtë vendime si strukturë e re pagash dhe i paraqiti si rritje pagash. Pati edhe vendime të tjera për rritjen e pagës minimale ligjore si dhe rritjen e pagës minimale për efekt të sigurimeve shoqërore, të cilat u prezantuan nga qeveria si rritje pagash, por që në fakt qenë rritje taksash.

Vetëm gati dy muaj pas publikimit të buxhetit të ndryshuar, bëhet e ditur se fondi i pagave mbetet ai që ka qenë në fillim të vitit, gjë që do të thotë se nuk do të ketë asnjë lek shtesë për 106 mijë punonjësit e shërbimit publik në Shqipëri. As mjekët, as mësuesit e as policët nuk do të marrin ndonjë shtesë në rrogë. Një gjë është e sigurt, paratë për rritjen e pagave këtë vit i hëngri rruga “Rrëshen-Kalimash”. E vlerësuar në fillim se do të kushtonte 418 milionë euro, tani pritet të kushtojë 630 milionë euro, gjithmonë në rast se deri në fillim të vitit 2010, kur të përfundojë, Bechtel-Enka nuk do të kërkojë para të tjera shtesë. Shtesa e fondeve në këtë projekt është edhe dëshmi e menaxhimit më të keq të mundshëm të një projekti të përmasave të tilla. Kontrata me kompanitë sipërmarrëse u nënshkrua para përfundimit të studimit inxhinjerik, gjë që i dha të drejtë sipërmarrësve të diskutonin kostot gjatë zbatimit të kontratës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›