Bode: Financimi I kredisë patent sigurie dhe besimi për ekonominë

Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi sot gjatë një konference për shtyp, se financimi i kredisë nga institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare është një patentë sigurie dhe besimi për ekonominë dhe qeverinë shqiptare. Sipas Bodes, Deutche Bank dhe Alpha Bank shpallen fituese për financimin e kredisë së kërkuar prej 250 milion euro për qeverinë shqiptare, financim i cili do të mbështesë programin e miratuar nga Kuvendi për buxhetin e vitit 2009. "Nevoja për një kredi të tillë kushtëzohet nga dy faktorë dhe i shërben gjithashtu dy qëllimeve që kanë të bëjnë me realizimin me sukses të programit të investimeve publike për vitin 2009, ndërsa përbën një instrument të përshtatshëm, shumë të nevojshëm për të reaguar përballë efekteve të krizës globale, krizës financiare që ka përfshirë sot tregjet ndërkombëtare", deklaroi Bode. Kreu i Financave publike u shpreh se interesit iu përgjigjën shtatë institucione bankare ndërkombëtare me reputacion, si Deutsche Bank, Alpha Bank, Raiffeissein Bank, CreditSuisse, Citibank, J.P. Morgan dhe BNP Paribas. Pas vlerësimi të ofertave paraprake, 3 oferta rezultuan më të mirat dhe në përputhje me kërkesën për financim, janë Deutsche Bank, së bashku me Alpha Bank në vend të parë, Raiffeissen Bank në vendin e dytë dhe CreditSuisse në vendin e tretë. "Asnjëra prej ofertave nuk ofronte shumën e kërkuar nga qeveria. Në këto rrethana, Ministria e Financave do të mandatojë Deutsche Bank së bashku me Alpha Bank, për të siguruar financimin prej rreth 250 milion-300 milion euro në formën e një "kredie - sindikatë" dhe do t’i rekomandojë fituesve të përfshijnë në transaksion edhe Raiffeissen Bank dhe CreditSuise, të cilat gjithashtu paraqiten oferta konkurruese", nënvizoi Bode. Sipas tij, kredia do të ketë një maturim tre vjeçar, me opsionin që lejon të rifinancohet pas vitit të parë pa asnjë lloj penaliteti, çka do të thotë mundësi për të shfrytëzuar një konjukturë më të përshtatshme të tregut financiar botëror nga pikëpamja e interesave dhe afateve të ofruara. "Shpresojmë që tregu financiar ndërkombëtar të normalizohet dhe Shqipëria të mund të hyjë në tregun e Eurobonove, përmes kësaj shume, duke paguar para kohe kredinë e marrë gjatë këtij viti dhe duke e shndërruar atë në një eurobono me interesa dhe afate më të përshtatshme për vendin tonë, për qeverinë shqiptare", tha Bode. Ministri i Financave shtoi se interesi i kredise në këtë fazë është indikativ dhe do të caktohet në momentin kur grupi i bankave financuese të ketë mbledhur sasinë e kërkuar. "Sigurisht që do të jenë interesa konkurruese dhe do të reflektojnë nivelin e interesave që ka tregu ndërkombëtar, si dhe nivelin e risqeve që ka ky sot, por ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se ky interes do të jetë dukshëm më i ulët nga tregu i brendshëm", vlerësoi ministri Bode. Ai theksoi se ky është një lajm shumë pozitiv për ekonominë shqiptare. "Shqipëria është ndër të rrallat vende që ka mundur që në këtë periudhë të krizës financiare botërore, të dalë në tregun ndërkombëtar me sukses dhe të mund të sigurojë një ofertë, të mund të marrë kredi nga bankat ndërkombëtare", tha Bode. Sipas tij, kjo përbën një instrument shumë të përshtatshëm për të kapërcyer problemet, impaktet e mundshme të krizës financiare botërore edhe në ekonominë e vendit tonë.
Larg krizëz
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi se Shqipëria është ende larg vorbullës së krizës financiare globale. Duke u ndalur në një ndër analizat e fundit të publikuara nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili e radhit Shqipërinë në grupin e vendeve të rrezikuara nga kriza, Bode ka sqaruar se faktori i vetëm që shihet me rrezik mesatar në këtë grup është niveli i remitancave. Ndërkohë, sipas tij, sistemi financiar dhe investimet janë në klasifikime të kënaqshme. Z. Bode tha se analiza e bërë nga FMN-ja i përket një periudhe përpara muajit janar, kur ne ende klasifikoheshim në grupin e vendeve të varfra. "Por tani Shqipëria ka dalë nga ky grup dhe renditet në grupin e vendeve me të ardhura mesatare", tha Bode. Kreu i Financave publike, duke iu referuar vizitës së Shefit të misionit të FMN-së në Tiranë, Gerëin Bell, një javë më parë, tha se ai është njohësi më i mirë i Shqipërisë dhe e konfirmoi një gjë të tillë. Gjatë fjalës së tij, ministri i Financave pranoi ngadalësimin e aktivitetit tregtar për importet dhe eksportet, megjithatë ai konstatoi se vendi ynë është larg prekjes nga kriza globale. "Aktiviteti tregtar ka një farë tkurrje dhe kjo vjen në tregtinë ndërkombëtare, e cila impaktohet në dy aspekte, në uljen e nivelit të eksporteve mineraleve dhe çmimeve të mallrave të importuara", vijoi Bode. Sipas tij, gjatë dymujorit të parë të këtij viti kemi rënie të vëllimit të eksporteve, për shkak të rënies së eksporteve të mineraleve, ndërsa është vënë re edhe një rënie e volumit në vlerë të importeve për shkak të rënie së çmimeve. Ai theksoi se tregtia e brendshme paraqitet mjaft mirë dhe taksa e TVSH-së, e cila mat qarkullimin e mallrave brenda vendit, rezultoi gjatë 2 mujorit të këtij viti 15 % më e lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke u ndalur në masat e marra nga qeveria, ministri Bode renditi situatën e mirë që paraqitet sistemi bankar, kredinë e marrë nga qeveria, i cila i mundëson buxhetit të shtetit të jetë një faktor stabilizues. "Kredia e marrë nga qeveria në institucionet financiare ndërkombëtare mundëson jo vetëm realizimin e investimeve publike, por i krijon hapësira biznesit për kredi nga bankat që operojnë në vendi tonë", deklaroi Bode. Sipas tij, kredia prej 250 milionë eurosh do të përdoret vetëm për investime, kryesisht në shëndetësi, infrastrukturë, arsim, por edhe në fushën e mbrojtjes.
...