E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani: Qytetarët shqiptarë udhëtojnë të lirë në çdo skaj të vendit

"Qytetarët shqiptarë, falë angazhimit të  strukturave profesioniste, udhëtojnë të lirë në çdo skaj të vendit, në çdo orë të ditës", u shpreh sot në Kuvend ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. "Sot nuk ka më banda me kapuç në akset e rrugëve të Tepelenës, Mirditës, Burrelit, çka i bën qytetarët shqiptarë  më të sigurtë se kurrë, tha ministri Nishani, i cili hodhi poshtë akuzat e pabaza të opozitës ndaj Policisë së Shtetit, si një institucion i cili prej kohësh është ligjërisht jashtë vendimmarrjes politike të Qeverisë. Duke vlerësuar vullnetin politik të maxhorancës, si dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar, Nishani tha se "Policia e Shtetit, që nuk ndikohet dhe komandohet nga grupet kriminale, i ka ofruar një nga standardet më të arrira Shqipërisë dhe shqiptarëve në konceptin e sigurisë publike dhe të individit". Ai vuri në dukje se ky institucion ka bërë të mundur që të gjitha ato grupe kriminale, që  katër vite më parë eliminonin biznesmenët në punët e tyre të ndershme dhe zotëronin trafiqet në të gjitha hapësirat e vendit, sot janë pas hekurave të burgut, duke u përballuar me drejtësinë. Ministri Nishani vlerësoi Raportin më të fundit të Departamentit të Shtetit, paraqitur në Kongresin Amerikan, i cili ve në dukje "përparimet e dukshme të Qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikut, si një qeveri që ka marrë masa të ashpra dhe të drejta ndaj të gjithë atyre që organizonin trafiqet e paligjëshme në këtë vend". Në Raportin e Zyrës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, vijoi ai, "Shqipëria përmendet me nota pozitive si një vend, i cili tashmë është shmangur nga tranzitimi i trafikut të drogës drejt Europës". Z.Nishani vlerësoi Raportin e fundit të Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, i cili, krahas problematikës, vlerësonte si një nga çështjet më thelbësore që ka të bëjë me burimet njerëzore që shërbejnë brenda Policisë së Shtetit, mënyrën e përzgjedhjes së kuadrove mbi kritere tërësisht të standardeve. Si mjaft të sukseseshme janë vlerësuar dhe reformat e fundit në Policinë e Shtetit, ku siç informoi z. Nishani u përjashtuan nga policia të gjithë ata drejtues që dekonspironin kolegët e tyre, që organizonin trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore. "Në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ka patur vetëm 18 vrasje, çka përbën minimumin historik të 18 viteve të fundit, ku strukturat e Policisë së Shtetit rihapën dhe zbuluan 81 vrasje të vjetra", tha Nishani, ndërsa nënvizoi se falë profesionalizmit dhe bashkëpunimit, sot nuk ka asnjë jetë të humbur të punonjësve të policisë nga 180 punonjës policie të rënë gjatë tetë viteve të qeverisje socialiste. Duke përmendur sulmet ndaj drejtuesve të policisë së Qarkut të Fierit, pas arrestimit të fundit të Bandës së Aldo Bares, si dhe sulmet ndaj drejtuesit të Policisë së Qarkut të Korçës, pikërisht atëhere kur goditën grupet kriminale të trafikut të drogës, siç ishte banda e "Çobenjve", Nishani siguroi qytetarët e Fierit, të Korçës e kudo për një mbështetje të fortë dhe siguri për to. "Pavarësisht sulmeve dhe kërcënimeve, ne jemi të vendosur të jemi në shërbim të të jetës së shtetasve shqiptarë, sepse jemi të vendosur të vazhdojmë politikën e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar", tha ministri Nishani në seancën plenare të Kuvendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›