E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Ndryshimet në buxhet konsolidojnë financat publike

"Ekonomia shqiptare nuk ra në recension, duke mbetur e vetmja ekonomi në rajon dhe ndër të paktat më gjerë që nuk provuan një recension ekonomik, por që ulën ritmet e zhvillimit, si pasojë e presioneve në ekonominë e tregjeve globale", shpjegoi ministri Bode, gjatë diskutimit në parim të ndryshimeve të propozuara në buxhetin e shtetit për vitin 2011.
      
"Efektet e krizës ekonomike globale në vendet e eurozonës u ndjenë edhe në ekonominë tonë dhe kjo pasqyrohet në nivelin e të ardhurave, të cilat do të jenë rreth 14 miliardë lekë më pak se parashikimi në fillim të këtij viti, por normat e interesit janë të stabilizuara", deklaroi Bode.
     
Sipas tij, pavarësisht një trendi në rritje të inflacionit për 5-mujorin e parë të këtij viti, Banka e Shqipërisë garanton se inflacioni do të mbetet brenda objektivave +3, -1 të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë dhe dukshëm më të ulëta nga presionet inflacioniste që po shkaktojnë rritje çmimesh në ekonomitë e vendeve të tjera të rajonit.
    
Por, kreu i financave publike siguroi se rritja ekonomike e vendit do të jetë pozitive dhe më e lartë se një vit më parë. Rritja ekonomike për vitin 2011, bëri të ditur Bode, do të jetë 5%.
     
Duke u ndalur në projektin e buxhetit për pjesën e dytë të vitit, Bode tha se shkurtimet në buxhet parashikohen 18.3 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat do të jenë 14 miliardë lekë më pak se parashikimi në fillim të vitit. "Shkurtimet e parashikuara në këtë p/buxhet suplementar nuk do të prekin prioritetet, që do të thotë investimet publike, por shpenzimet administrative në të gjitha institucionet", deklaroi kreu i financave publike.
     
Bode siguroi gjithashtu se borxhi publik i vendit nuk do të pësojë rritje, por do të mbetet në të njëjtët parametra prej 59.7 % dhe se deficiti buxhetor do të jetë 3.5 %.
     
"Ky deficit nuk implikon angazhimet e buxhetit të shtetit në tregjet rajonale të cilat ndodhën në një periudhë destabilizimi dhe rritje të kostove në mënyrë progresive", tha Bode.
     
"Konsolidimi fiskal duhet të jetë objektivi thelbësor i masave të ndërmarra dhe i praktikave tona në menaxhimin e financave publike. Jo se një deficit dhe një borxh i rritur do të implikonte kosto eksesive në buxhetin e shtetit, por sepse sensibiliteti i opinionit ndërkombëtar dhe botës së biznesit është i tillë që vlerëson dhe çmon masat energjike të ndërmarra nga qeveritë në përmbushjen e objektivave për të stabilizuar rritjen e mëtejshme të borxhit publik", vijoi Bode.
      
Në këtë kuadër, tha ai, se ne vijmë me një paketë ndryshimesh që reflekton nevojën për konsolidim të mëtejshëm financiar të buxhetit dhe për mundësitë më të mëdha për t’i garantuar hapësira më të gjera ekonomisë private dhe biznesit.
     
Ministri Bode u shpreh se edhe këtë vit do të ketë rritje të pagave dhe pensioneve. Sipas tij, fondi për pensionet, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, nga 54 miliardë lekë në vitin 2005, në vitin 2011 llogaritet 135 miliardë lekë.  
    
Në buxhetin e shtetit për vitin 2011, të ardhurat llogariteshin 362 223 milionë lekë, shpenzimet 409 035 milionë lekë dhe deficiti 46 812 milionë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga pushteti vendor llogariteshin 31 772 milionë lekë.
    
Ndërkohë, pas diskutimeve në parim, Kuvendi miratoi në parim p/ligjin "Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.355, datë 2.12.2010 "Për buxhetin e vitit 2011". /Start/

                                                                                             2011-07-07 14:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›