Ankimimi i PS-së, Kolegji Zgjedhor vendos nesër
Kolegji Zgjedhor ka vendosur që të japë nesër vendimin në lidhje me ankimimin e Partisë Socialiste për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 284 qendra votimi në Tiranë.
Pas mëse 4 orë, trupa gjykuese ka dëgjuar argumentat e paraqitura nga përfaqësuesit e dy partive politike PD dhe PS si dhe ato të përfaqësueses së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Ndërkohë më herët trupa gjykuese pranoi administrimin e provave të paraqitura nga Partia Socialiste, prova që sipas kësaj force politike tregon edhe manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë.
Partia Sociliaste ka vënë në dispozicion të trupit gjykues analizën e tabelave të 284 qendrave të votimit, ku ajo pretendon manipulim si dhe një raport të Komisionit të Venecias.
Gjithashtu PS-ja ka marrë si argument për pavlefshmërinë raste të zgjedhjeve në vitin 2007 në komunat Kolsh, Armen, Shals dhe Bushat.
Në herët përfaqësuesi i PS-së Damin Gjiknuri pasi paraqiti në Kolegj të gjitha argumentat e PS-së i bëri thirrje këtij të fundit të urdhërojë KQZ-në të marrë në shqyrtim pavlefshmërinë e vendimit të saj të datës 25 qershor, duke e argumentuar këtë rrëzim me problemet e vërejtura në tabelat e 284 qendrave të votimit, apo edhe me mospërputhjen e numrit të votuesve me fletët e votimit të gjetura apo të munguara në qendrat respektive. Gjiknuri theksoi se kërkesa e PS-së iu dorëzua KQZ-së brenda afatit ligjor të ankimimit të vendimit.
Ndërsa përfaqësuesi i PD-së Ivo Kaso i ka kërkuar sot Kolegjit të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet pasi sipas tij nuk ka shkaqe që zgjedhjet të cilësohen të pavlefshme.
Në këtë padi Partia Socialiste i kërkon Kolegjit Zgjedhor që të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të marrë në shqyrtim kërkesën e PS-së për shpalljen të pavlefshëm të vendimit që shpalli fitues me 93 vota Lulzim Bashën dhe të hedhë poshtë rezultatin e zgjedhjeve vendore në Tiranë.