E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Opozita ka gënjyer për projektin e Jalës

Në seancën e sotme plenare Ridvan Bode ministër i Financave, ka folur për projektin në bregdetin e Jalës duke deklaruar se opozita ka gënjyer për Jalën. Sipas Bodes e pavërteta e deklaruar nga opozita do të zbardhet në raportin e 19 shkurtit. 

TIRANE- Ministri i Financës Ridvan Bode përjashtoi ekzekutivin nga problemet e dala në administrimin e projektit për menaxhimin e bregdetit të Jalës. Në cilësinë e guvernatorit shqiptarë në këtë bankë Bode tha se gjithçka ka lidhje me procedurat e brendshme të saj. Sipas tij përshpejtimi në prishjen e ndërtimeve u bë pas kërkesës së autoriteteve të Bankës Botërore.

Ministri i Financave Ridvan Bode në fjalën e tij në seancën plenare u shpreh se “opozita në mënyrë të përsëritur po abuzon me një të pretenduar raport të Bankës Botërore lidhur me projektin e Jalës. Ju konfirmoj se ka një problem në këtë projekt, por nuk ka të bëj me qeverinë shqiptare është një procedurë e brendshme e Bankës Botërore e cila në dizenjimin e këtij projekti nuk ka marrë në konsideratë rregullat e saj të brendshme. Gjithçka çfarë thuhet është një abuzim i cili kërkon të bëjë përgjegjëse qeverinë shqiptare për gjoja korrupsion në administrimin e këtij projekti” përfundoi Bode.

Në lidhje me akuzat për njollat e ndërtimit të influencuara nga interesa korruptive, Bode tha se asgjë nuk ka lidhje me projektin e qeverisë aktuale duke njoftuar se e pavërteta e deklaruar nga opozita do të zbardhet në raportin e 19 shkurtit.

“Projekti nuk konsiston në njolla të vëna nga qeveria, ai konsiston në përfundimin e një studimi dhe dhënien në kompetencë autoriteteve lokale për të përcaktuar njollat e ndërtimit, ky ishte transformimi që u bë projektit” theksoi ministri Bode.

Televizioni prestigjioz amerikan “Fox News” dy ditë më parë transmetoi prishjet në bregdetin e Jalës si një akt korruptim në qendër të të cilit tregohej dhëndri i kryeministrit Berisha Jamarbër Malltezi. Sipas këtij televizioni Malltezi në rolin e menaxherit e kishte furnizuar bankën me të dhëna të rreme për të mbuluar një histori të tërë korrupsioni.

Për këtë temë në emisionin e televizionit NEWS24, “5 Pyetje nga Babaramo”, ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i ka mohuar faktet e publikuara në “Fox News” lidhur me implikimin e Malltezit në një aferë korruptive në bregdetin e Jalës.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›