PS,Gjoni:Cdo vdekje në Bulqizë, aktakuzë ndaj qeverisë
TIRANE- Pas incidentit të fundit në minierën e Bulqizës ku humbi jetën minatori Behar Toci, Partia Socialiste ka denoncuar paaftësinë e qeverisë për kushtet skllavëruese e cnjerëzore të punës së minatorëve në Shqipëri, vecanërisht në Bulqizë e Burrel.
Ilir Gjoni, anëtari i asamblesë së PS, në një deklaratë për shtyp denoncoi korrupsionin dhe heshtjen për të disatën herë të qeverisë e cila neglizhon cdo masë që do parandalonte humbjen e jetës së shqiptarëve, ndërsa akuzoi qeverinë për vdekjen e minatorit Behar Toci.
“Humbja e jetës së minatorit Behar Toci nuk mund të konsiderohet më si aksidentale, ajo dhe 19 jetët e humbura më parë në këtë minierë janë kronikë e vdekjeve të paralajmëruara dhe shembull i qartë i paaftësisë, indiferencës dhe heshtjes vrastare të qeverisë”-theksoi Gjoni, përpara gazetarëve.
Partia Socialiste ka theksuar se cdo vdekje në Bulqizë është aktakuza direkte e qeverisë, dhe vdekjet e njëpasnjëshme të minatorëve shpjegojnë indiferencën e kryeministrit Berisha për t’ju përgjigjur thirrjeve të Opozitës për të dhënë llogari para Kuvendit lidhur me këtë shqetësim.
(e.n/News24/Balkanweb)