E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Paratë e investimeve, Rama i përdor për rritje pagash



Ministri i Financave ka dalë dje para shtypit për të hedhur poshtë akuzat e bëra nga kryetari i bashkisë, Edi Rama, për shpërndarjen jo të drejtë të fondeve për pushtetin vendor. Ministri Ridvan Bode ka sqaruar me shifra fondet që ka thithur pushteti vendor dhe ka deklaruar se ato janë dyfishuar. Ministri Bode tha dje se pushteti qendror ka trefishuar fondet për vendorët, por ata nga ana e tyre kanë dyfishuar pagat, duke prekur kështu investimet. Ministri Bode denoncoi dje akuzat e Ramës, duke deklaruar se

ai po përpiqet të krijojë krizë politike dhe të destabilizojë jetën shoqërore, politike, ekonomike të vendit

Me shifra konkrete mbi fondet e akorduara nga pushteti qendror për pushtetin vendor, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka hedhur poshtë dje të gjithë akuzat e bëra nga kreu i bashkisë, Edi Rama, mbi keqshpërndarjen e fondeve për vendorët. “Jam përpara jush për të treguar me shifra të vërtetën e fondeve dhe investimeve dhënë pushtetit lokal nga qeveria, si dhe për të denoncuar destabilitetin social që kërkon të krijojë kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama”, - tha Bode. Pretendimit se qeveria po mban një qëndrim jo dashamirës ndaj pushtetit lokal përmes ndryshimit apo mosmbështetjes aq sa duhet me fonde publike, ministri Bode preferoi t’i përgjigjet me shifra konkrete. Bode theksoi se buxheti i pushtetit lokal është rritur me një ritëm më të lartë në raport me buxhetin e qeverisjes qendrore. “Në vitin 2005 buxhetet lokale kishin një vlerë totale prej 19 miliardë e 598 milionë lekësh. Në vitin 2009 shuma e buxheteve lokale kaloi 40 miliardë lekë ose më saktë 40 miliardë e 374 milionë lekë. Kjo rritje është me një ritëm më të lartë se rritja e buxhetit qendror, pra një rritje me mbi 2.2 herë, në një kohë që buxheti qendror është rritur me 87%”, - ka bërë të ditur ministri Bode. Sipas tij, në vitin 2005 të ardhurat nga taksat vendore përbënin 9.6 miliardë lekë, ose 9 miliardë e 613 milionë lekë. Në vitin 2009 të ardhurat nga taksat vendore janë 12 miliardë e 850 milionë lekë me një rritje prej 30%, kur të ardhurat qendrore me taksa të përgjysmuara janë rritur 92%. Ministri Bode tha se rritja e buxheteve në këto parametra ka bërë që shpenzimet e pushtetit lokal nga rreth 20 miliardë lekë që ishin në vitin 2005 të shkojnë në 42 miliardë e 500 milionë lekë në vitin 2009. Ministri Bode tha dje se pushteti qendror ka 3-fishuar fondet për vendorët, por ata nga ana e tyre kanë dyfishuar pagat, duke prekur kështu investimet. Bode tha se gjatë vitit 2005 të gjitha shpenzimet operative të pushtetit lokal kapin shumën prej 6.6 miliardë lekësh. Në vitin 2009 shpenzimet operative të bashkive dhe të komunave shkojnë në 12.5 miliardë lekë. Pra me një rritje gati 2 herë, në një kohë ku të gjitha shpenzimet operative të qeverisjes qendrore janë rritur me vetëm 20% në 4 vite. “Shpenzimet për pagat në vitin 2005 ishin vetëm 5 miliardë e 955 milionë lekë, ndërkohë gjatë vitit 2009 ato janë 12 miliardë e 300 milionë lekë. Pra kemi një rritje prej 2 herë të pagave të bashkive, të cilat marrin grante nga pushteti qendror dhe shtojnë numrin e administratës, pra një lëvizje në kah të kundërt me filozofinë dhe praktikat e qeverisjes qendrore, e cila, edhe pse ka rritur me 70% nivelin e pagave të administratës publike, për shkak të pakësimit të numrit të saj, fondi i pagave të buxhetit është rritur vetëm 15% në 4 vite”, - ka deklaruar ministri Bode. Shifrat e dhëna dje nga ministri Bode, sipas tij, dëshmojnë për një përdorim jo efikas të rritjes së fondeve që qeveria qendrore i ka adresuar pushtetit lokal. “Rritja prej rreth 2 herë e granteve që qeveria qendrore i akordon pushtetit lokal është përdorur jo për të rritur vëllimin e investimeve të bashkive dhe komunave, por për të rritur shpenzimet operative dhe pagat”, - tha Bode. Sipas tij, ka një rritje prej rreth 12 miliardë lekësh të dhëna nga buxheti qendror në adresë të atij lokal dhe këto 12 miliardë lekë janë përdorur tërësisht për paga dhe për shpenzime operative të bashkive, kur duhet thënë se bashkitë e mëdha nuk kanë marrë ende funksione shtesë në shërbime publike. Elbasani e ka pasur ujësjellësin, Korça e ka pasur ujësjellësin po kështu baskitë e tjera. Tirana me Durrësin, as e kanë pasur dhe as nuk e kanë dhe nuk ka asnjë justifikim dyfishimi i shpenzimeve operative të bashkive.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›