E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa i mirë debati politik!



Javët e fundit gjendja politike në vend ka pasur një lloj tensioni. Jo aq për faktin se opozita nuk është paraqitur ende në Kuvend, sepse fundi i fundit kjo gjë ka kohë që po ndodh. Më shumë, sepse pasi kërkoi të hapeshin kutitë e votimit, ajo iu drejtua protestës së rrugës, më mirë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për ta përforcuar kërkesën e saj me lëvizje masive protestuesish. Në njëfarë mënyrë ka shenja që beteja politike të dalë nga forumet, nga gazetat, nga mediat në përgjithësi, nga tribunat institucionale dhe politike, për të shkuar drejt ballafaqimeve në rrugë, me mitingje nga të dyja palët.

E rrezikshme.

Pa dyshim që nuk është kjo rruga e zgjidhjes dhe as nuk besoj se klasa politike e vendit tonë nuk është pjekur aq, nuk ka stokuar aq përvojë në ndërgjegjen e vet kolektive sa ta çojë naivisht rrjedhën e ngjarjeve politike në këtë kah. Në të vërtetë, kështu nuk ka veçse të humbur. Nuk është se humbet vetëm politika, se kjo nuk do të ishte ndonjë problem i madh, puna është serioze, sepse rrezikojmë të humbasim ne si qytetarë.

Deri këtu gjërat njihen dhe nuk kam thënë asgjë të re. Mirëpo që në orët e ditët që zhvillohej mitingu a protesta para ndërtesës së Kryeministrisë, e më pas, të folurit politik nisi të përforcohej shumë dhe të bëhej boll i ashpër dhe me tone agresive. Më pas, Kryeministri Berisha, në foltoren e Kuvendit, e drejtoi në mënyrë të drejtpërdrejtë të folurin e vet në planin e komunikimit politik drejt drejtuesit të partisë socialiste në opozitë, Edi Rama, mënyrës së jetesës së tij duke e akuzuar për ushtrim dhune dhe më tej se kaq formuloi akuzën e kapjes së Partisë Socialiste nga interesa punisto-mafioze, të lidhura me transaksione trojesh, leje ndërtimi, mosrespektim të drejtash pronësore etj. Pak më vonë, grupi i deputetëve socialistë që nuk paraqiten për të zënë kolltukët e tyre në sallën e Kuvendit, i konsideroi të papranueshme këto sulme, ndërsa vetë kryetari i partisë, pak ditë më vonë e drejtoi sulmin e vet me terma shumë të fortë e fjalë të ashpra, tani ndaj kryetarit të qeverisë.

Edhe kjo histori dihet.

U përdorën epitete denigruese, sigurisht. Nga të dyja palët. Toni ishte me majë të mprehtë. Nga të dyja palët. I personalizuar. Nga të dyja palët. Pa dyshim që nëse dy njerëz të zakonshëm i drejtohen kështu njëri-tjetrit, të tjerët do të ishin munduar t’i përmbanin.

Në shtyp u shfaqën menjëherë ulësit e gjakrave. U paraqitën moralistët që bënë të shokuarin nga gjuha e përdorur, nga etika problematike e komunikimit mes dy politikanëve apo midis zëdhënësve të tyre. U shfaqën ruajtësit e moralit publik, të cilëve nuk u pëlqeu gjuha e përdorur.

Këtu dëshiroj të ndërhyj.

Pa dyshim është mirë që edhe komunikimi politik të jetë po aq i sjellshëm sa edhe ai i dy grave pensioniste që kanë shkuar për të bërë pazar te cepi i rrugës.

“Si je zotrote?

Mirë - mirë.

Po zotninë si e ke?

Mirë - mirë.

Po kalamaj, të mëdhenj e të vegjël? Mirë - mirë. I gjithë kallaballiku mirë?

Mirë - mirë, pra, mirë”.

Gjithmonë nuk do të rresht së përsërituri se tjetër është etika familjare, fqinjësore, fetare dhe tjetër ajo e politikës. Duket se është e papranueshme, por kjo që them përbën një nga standardet më bazike të analizave të komunikimit politik. Kur dy individë grinden në jetën e zakonshme me shkëmbime fjalësh që e kalojnë kufirin e etikës familjare apo fqinjësore apo të pushuesve në një hotel bregdetar apo malor, ka shenja se gjendja mund të shkojë për keq. Duket se debati oral mund të jetë si ato retë e zeza që grumbullohen për të prodhuar pastaj rrufe e furtuna.

Kurse në komunikimin politik nuk është gjithmonë kështu. Komunikimi verbal politik i tendosur, që kalon parametrat e etikës së jetës së zakonshme, në raste të caktuara mund të bëhet një faktor i dobishëm për stabilizimin dhe për qetësimin e situatës të tendosur politike.

Dhuna verbale politike ndonjëherë e përkeqëson tensionin fizik politik, por herë të tjera, po kjo dhunë verbale bën që tensioni politik të kanalizohet drejt shkëmbimit të fjalëve dhe jo drejt përballjes fizike. Dhuna verbale shpesh është as më shumë e as më pak, por vetë ilaçi i kurimit të simpotave të dhunës fizike.

Fjala zëvendëson veprimin trupor. Është një zëvendësim jetëdhënës për demokracinë. Lufta reale mes palëve, e kam fjalën, në planin fizik, protestues në rrugë, shndërrohet në shkëmbim fjalësh, fjalish, të cilat sado të forta, të nxehta dhe agresive që të jenë, përsëri e kalojnë konfrontimin drejt e në rrafshin semantiko-linguistik.

Lidhur me këtë, kam një qëndrim tjetër nga sa mbajnë moralistët dhe mbrojtësit e një etike të kulluar në debatin politik. Jo se nuk jam i tillë. Absolutisht do të dëshiroja që i foluri politik t’i ngjante atij që i përmbush më së miri kriteret etike. Por, puna nuk është te dëshirat tona, puna është se jemi para fakteve dhe duhet të analizojmë se sa këto fakte shkojnë në njërin apo në tjetrin drejtim të koniunkturës dhe të ekuilibrave politikë.

Po ta shoh problemin në këtë plan, do të thosha se ky debat i tensionuar politik ka pasur disa pasoja ose mund të ketë disa pasoja, që paradoksalisht i shërbejnë qytetarit.

Nga njëra anë, sikurse thashë, kemi një proces zëvendësimi. Është i bekuar ky proces.

Zëvendësimi i veprës nga fjala. Thuhet se ka ndodhur një hap i madh emancipimi kur engjëlli e kapi për mënge Abrahamin, i cili kishte shkuar në një lëndinë pylli për të therur djalin e tij, Isakun, dhe për ta bërë kurban për Zotin.

“Mos! - i tha engjëlli. - Ti e bëre tënden, e tregove gatishmërinë tënde për t’i treguar nënshtrim Zotit, tani në vend t’i bësh kurban djalin, bëj këtë qengj. Rëndësi ka akti i kurbanit, jo ajo që bëhet kurban”.

Kështu ndodhi atëherë, thotë miti, dhe lindi simboli zëvendësues, kurbani simbolik. Fjala është një kurban simbolik. Nuk duhet marrë si i vërtetë.

Kush nuk do të dëshironte nga qytetarët që çështjet të zgjidheshin jo me konfrontime në rrugë, por me debate verbale?

Ecim më tej. Debati brenda komunikimit politik të tanishëm u personalizua. Moralistët kanë të drejtë që shqetësohen, sepse nëpër libra dhe manuale thuhet se lufta politike në shoqëritë demokratike nuk është personale, por është mes kampesh, për idetë, për programe politike.

Naivitet i pastër.

Përtej kësaj që nuk kam vend as kohë për ta shpjeguar këtu, mund të thuhet se personalizimi përsëri është një mekanizëm i uljes së tensionit politik mes militantësh kur ky tension ka rrezik të zbresë në rrugë, sikurse e shtyjnë të ndodhë kështu edhe disa tipa që kur konflikti shpërthen e kanë zakon të fshihen apo të ikin nga sytë këmbët.

Pra, akti i personalizimit është mekanizmi i dytë zbutës, sepse duke u drejtuar edhe ndaj ngjarjeve apo sjelljeve jopolitike të kundërshtarit, në mënyrë reciproke, kryen një zhvendosje simbolike të konfliktit nga zona e rrezikshme e tensionimit politik masiv drejt horizonteve jopolitike, por familjare, historike, bile edhe drejt çështjeve pronësore etj.

Në një rrafsh tjetër mund të thuhet se personalizimi i debatit solli dashje pa dashje edhe një lloj ngjyre institucionalizimi të tij. Rierdhën në forma të zbutura institucionet në skenën e komunikimit politik. Nga njëra anë foltorja e Kuvendit, e Këshillit të Ministrave, e Partisë Demokratike, nga ana tjetër ajo e Partisë Socialiste, e Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht se nuk janë në raportet e normalizuara që duhet të kenë institucionet me njëra-tjetrën, përsëri në vend të njerëzve që shëtisin apo qëndrojnë në çadra mbi bulevard, pamë politikanë dhe politikane që përdorin foltore institucionesh.

Akuzat juridike nga të dyja palët vërshuan. Qeveria akuzon individë në grupet drejtuese të opozitës si të lidhur me transaksione imobiliare të paligjshme, duke përfituar nga fakti se opozita është aktualisht qeveria e kryeqytetit, kurse opozita u bën thirrje individëve të akuzuar që ta hedhin në gjyq për shpifje akuzuesin.

Çfarë të keqeje ka për ne si qytetarë, fakti që mes fjalëve të ashpra, sinonimeve të forta, ironive, çka nuk është veçse shkuma e debatit politik, ana më e parëndësishme e komunikimit politik, atje ku iu mbeten sytë joprofesionistëve në analizën e të folurit politik, të dalin edhe të dhëna, të vërteta ose jo (kjo do të shihet më pas) për interesa, lobingje financiare dhe ekonomike?

Për qytetarin, asgjë të keqe, përkundrazi. Fjalët ikin e vijnë, por në tensionin e debatit, kundërshtarët janë të detyruar të relatojnë fakte konkrete.

Asgjë të keqe, përkundrazi të mirë.

Së pari, sepse të dyja palët po u drejtohen gjykatave. Ah, erdhën përsëri gjykatat! Ja, pra, se pa to asgjë nuk bëhet. Dashur pa dashur, në një shtet të së drejtës nuk bëhet pa to. Te ato duhet drejtuar edhe për korrupsionin e vërtetuar ose jo, edhe për legjitimitetin e zgjedhjeve, të vërtetuar apo jo, edhe për shpifjen e konsumuar apo jo. Ja ku erdhi fundi i debatit. Te gjykatat. Por, ne sikur i kishim anashkaluar gjykatat, duke mos i besuar ato?

Së dyti, sepse marrim vesh se si bëhen shpërndarjet e të mirave publike në duart e privatëve. Komunikimi i ashpër politik nxjerr boll të dhëna dhe fakte për to. Ne si qytetarë nuk i dimë, sepse, megjithëse e kemi kërkuar që mbledhjet e këshillave të territorit të bëhen të hapura për publikun lokal (falë Zotit teknologjia e lejon këtë!), ato bëhen si të mbyllura në kala. Në këtë mënyrë komunikimi politik po na mëson të dhëna të shumta se si funksionojnë institucionet që bëjnë kalimin nga pronat publike te ato private.

Së treti, përsëri te gjykata. Gjykata do të ketë shumë punë. Ca se do të gjykojë nëse ka ose jo korrupsion, ca se do të gjykojë nëse ka ose jo shpifje. Po ç’të keqe ka këtu? Përse fundja i paguajmë gjyqtarët tanë? Aq më shumë se edhe po nuk pati elemente korruptive, urojmë që Shqipëria të jetë vend i pastër nga korrupsioni, përsëri kupton qytetari nga pak se si mblidhen grupet e interesit rreth politikës, si lidhja politike ka edhe mbështetje ekonomike pas, se si vendosen urat e marrëdhënies midis botës së pasurisë dhe botës së parasë, në mos paçim prirje për t’u njehsuar në segmente të caktuara.

Ja pra se përse nuk jam dakord me moralistët në lidhje me komunikimin politik, sado uroj që gjuha e politikës të ketë sa më pak epitete të ashpra negative, që gati sa nuk po thonë:

“Shëëët! Po na zgjoni fëmijët nga gjumi! Mos përdorni atë fjalor se na edukoni jo mirë kalamajtë!”

Agresiviteti verbal mund të jetë pikërisht një nga mekanizmat e shkrehjes së tensionit politik. A nuk po shohin qytetarët se gjithçka sillu e vërtitu një fund ka: në gjykatë. Pra, në institucion. A nuk po bëhen të ndërgjegjshëm këto javë se nëse jeta do t’i ngjante logosit politik, atëherë konvejeri i dhunës, këtë herë jo verbale, do të prodhonte dhunë gjithnjë e në rritje? Fundja, si është më mirë për qytetarët: Që klasa politike të jetë e ndarë në të majtë e në të djathtë, quajini si të doni, dhe t’i bëjnë konkurrencë e transparencë njëra-tjetrës përpara publikut apo që përtej së majtës dhe të djathtës, t’i përmbyllin aktet e tyre, në një mjedis ku asgjë nuk shfaqet para publikut, brenda një konsensusi dhe paqeje tërësore? Pa dyshim që e para është më mirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›