Bode kundër Fullanit, politikat monetare pengesë për zhvillimin ekonomik
Ministri i Financave kritikon për herë të parë politikat monetare të Bankës së Shqipërisë, duke e cilësuar politikën e bankës si penguese për ekonominë. Politika monetare është pasive. Zhvillimi në zonën euro ka një dinamizëm shumë të shpejtë dhe këtë duhet ta bëjë
edhe banka qendrore, për të qenë në të njëjtin rekord dhe për të mos u kthyer në pengesë për rritjen ekonomike, deklaroi dje ministri i Financave Ridvan Bode në takimin e zhvilluar nga Banka e Botërore për qëndrueshmërinë e ekonomisë në Shqipëri. Reagimi i ministrit vjen pas sugjerimeve të guvernatorit Fullani për uljen e borxhit publik, pak ditë më parë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës.
Borxhi
Borxhi publik në Shqipëri zë 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, por ky borxh nuk është problematik dhe financat publike janë në gjendje të shlyejnë borxhin, ka deklaruar dje ministri i Financave. Deklarata është bërë gjatë një konference të organizuar nga Banka Botërore, ku Bode është ndalur në analizimin e borxhit publik dhe atij të jashtëm. Gjatë fjalës së tij Bode është shprehur se tashmë borxhi publik nuk është më problematik, pasi ka filluar të ulet, duke arritur në 60% të GDP-së. Borxhi publik është ulur, ka arritur në 60% të GDP-së, duke mos qenë më problematik, ka deklaruar ministri Bode. Duke folur edhe për borxhin e jashtëm, Bode ka theksuar se vendi ka kapacitet për ta shlyer atë, pasi është me afat të gjatë.
Deklarata
Ministri i Financave Ridvan Bode, ka kritikuar për herë të parë publikisht politikën monetare të Bankës së Shqipërisë duke e quajtur atë pasive. Me çshihet zhvillimet ne zonën euro kanë një dinamizëm shumë të shpejte dhe këtë duhet ta bëjmë edhe ne edhe banka për të qenë në të njëjtin akord dhe për të mos u kthyer në pengesë të rritjes ekonomike, u shpreh Bode. Bode tha se ekonomia po pengohet nga kostoja e lartë e parasë dhe i ka bërë thirrje bankave private, të ulin interesat e kredive. Për shkak të konkurrencës ekonomike tashmë norma e rentabilitetit të biznesit po vjen duke u zvogëluar dhe kreditimet në norma të larta të interesit, sigurisht krijon probleme, u shpreh Bode.
Fullani për borxhin
Buxheti i shtetit rezulton të jetë 5. 3 miliardë lekë. Stimuli fiskal ka pasur ritme më të përmbajtura në katër mujorin e parë të vitit, duke dhënë një kontribut më të ulët në aktivitetin ekonomik gjatë kësaj periudhe. Politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter stimulues, por në një masë më të vogël se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Bankës Qendrore deficiti buxhetor është 5.3 miliardë lekë, duke u ngushtuar në masën 47 për qind në terma vjetorë. Aktiviteti i ulët ekonomik është pasqyruar në rritjen e ulët prej rreth 3 për qind të të ardhurave buxhetore gjatë katër muajve të parë të vitit. Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore regjistruan një reduktim me rreth 2 për qind nga niveli i shënuar një vit më parë. Banka e Shqipërisë vijon të tërheqë vëmendjen se, megjithë ndikimin pozitiv afatshkurtër që mund të gjenerojë stimuli fiskal, qëndrueshmëria afatgjatë e sektorit publik duhet të mbetet udhërrëfyesi kryesor i politikës fiskale. Mësimi i nxjerrë nga situata aktuale problematike që ka përfshirë shumë shtete të Bashkimit Evropian, është domosdoshmëria për konsolidimin e financave publike dhe për këtë qëllim marrja e masave të rëndësishme korrektuese në një kohe sa më të shpejtë, është një objektiv me rëndësi strategjike. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi raportin mujor të Politikës Monetare vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 5.25 për qind. Sipas Bankës së Shqipërisë muajt e parë të vitit 2010 janë karakterizuar nga përmirësimi i aktivitetit ekonomik në nivel botëror, i ilustruar nga rritja e shpejtë e ekonomive të vendeve në zhvillim dhe nga rritja e moderuar e ekonomive në një pjesë të vendeve të zhvilluara. Rigjallërimi ekonomik është shoqëruar me rritjen e aktivitetit tregtar, ndërkohë që bankat qendrore dhe autoritetet fiskale kanë vijuar të mbështesin kërkesën agregate nëpërmjet politikave lehtësuese.
Bode: BSH të ulë normën bazë të interesit
Ministri i Financave i kërkon Bankës së Shqipërisë të ulë normën bazë dhe të ndjekë zhvillimet në tregjet monetare ndërkombëtare, ndërsa ju bën apel bankave të rrisin kreditimin dhe të ulin normat e interesit. Në fjalën gjatë konferencës së Bankës Botërore, Bode kritikoi mjaft hapur atë që e konsideroi pasivitet të Bankës së Shqipërisë dhe që, sipas tij, po bëhet pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit. Bode kritikoi edhe politikat kreditore të bankave, duke ju kërkuar atyre të ndjekin me realizëm zhvillimet në tregjet financiare dhe monetare dhe të mbështesin sektorin privat, në një moment kur rentabiliteti i biznesit po bie. Ndërsa përsëriti angazhimin për uljen e borxhit, nga ana tjetër Ministri i Financave këmbënguli se do të ruhen politikat fiskale stimuluese. Sektorët që do të kenë prioritet në mbështetjen e qeverisë, sipas Bodes, do të jenë hidroenergjitike, bujqësia dhe turizmi.
Berisha: Reforma në bashkëpunim me BB
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar Bankën Botërore si partnerin kryesor të Shqipërisë, e cila ndan me vendin tonë një histori suksesi . "BB shoqëroi Shqipërinë me mbështetje të gjithëanshme në 20 vjet, ndau me këtë vend sukseset dhe mos sukseset, por në tërësi ndan me shqiptarët një histori suksesi", tha ai. Berisha tha se Shqipëria ka nevojë të fluturojë për ekonominë e saj. "Vendi është i angazhuar në një tërësi reformash që synojnë rritjen e shpejtë ekonomike të vendit si promotor kryesor i zhvillimit të tij. Kjo përpjekje e qeverisë bazohet në faktorë shumë të rëndësishëm. Shqipëria është vendi i potencialeve të mëdha që i ofron çdo investitori mundësitë më të mëdha me burimet e pashtershme natyrore", tha ai. Sipas kryeministrit, Shqipëria ka një forcë punëtore të admirueshme, të etur për kualifikim dhe e vendosur të përballet me të gjitha punët më të vështira. "Shqipëria ka të gjitha pontencialet për t'u vendosur në orbitën e vendeve të zhvilluara. Kushti i parë janë reformat, në arritjen e këtij qëllimi", shtoi ai. Berisha tha se qeveria ka ndërmarrë reforma të gjithanshme që kanë sjellë përmirësim madhor në klimën e biznesit.
Ornela Manjani