E Diel, 1 Nëntor 2026

BB jep alarmin, borxhi publik 60 për qind i GDP, rrezikon ekonominë në Shqipëri

Gill: Menaxhimi i financave publike paralajmëron se viti 2010 do të jetë i vështirë

Borxhi publik në Shqipëri, i cili përbën 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto cilësohet si një rrezik i lartë për financat publike. Alarmi është dhënë nga Banka Botërore e cila saktëson se vendet në zhvillim gjenden në krizë në të gjitha rastet kur borxhi publik

përbën nga 40 deri në 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas BB, financat publike rrezikohen shumë dhe ecuria e ekonomisë do të varet nga menaxhimi i tyre. Sipas të njëjtave burime vendet në zhvillim ku përfshihet edhe vendi ynë janë prekur më shumë nga kriza botërore e cila do të kapërcehet në mënyra të ndryshme, në vende të ndryshme. Gjithçka do të varet nga menaxhimi i financave publike të secilit vend.


Rreziku i borxhit
Kur vendet me të ardhura mesatare arrijnë një nivel borxhi nga 40 në 60 për qind, bëhet subjekt i asaj që ne e quajmë rreziku i borxhit, deklaroi kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Intermit Gill. Sipas tij niveli i borxhit publik në Shqipëri është shqetësues. Dikush mund të shohë nivelet e borxhit në vendet e zhvilluara të cilat janë edhe mbi 100 për qind dhe mund të thotë se pse edhe vendet si Shqipëria nuk mund të kenë një borxh të lartë. Eksperienca tregon se vendet në zhvillim me të ardhura mesatare nuk mund të tolerojnë nivele të larta borxhi. Dhe në rastin e Shqipërisë duhet të bëhet shumë kujdes sepse niveli i borxhit në Shqipëri është shumë më i lartë nga fqinjët tuaj të rajonit, u shpreh Gill. Sipas përfaqësuesit të Bankës Botërore, menaxhimi i financave publike paralajmëron se viti 2010 do të jetë i vështirë dhe se ecuria e ekonomisë në çdo vend do të varet kryesisht nga mënyra se si qeveritë do administrojnë financat publike. Vendet në zhvillim të Evropës janë prekur më fort nga kriza se çdo rajon tjetër në botë. Ne parashikojmë se edhe viti 2010 do të jetë i vështirë. Por ajo që po shohim është që nëse para krizës zhvillimi ekonomik në Evropë ishte uniform, kjo ka ndryshuar pas krizës. Vendet që po menaxhojnë më mirë financat e tyre publike po dalin më shpejt nga kriza dhe madje mund edhe tu rikthehen ritmeve të rritjes që kishin para krizës, theksoi Gill.


Financat publike
Menaxhimi i borxhit dhe rritja ekonomike është vënë ne fokus dhe të ekspertëve të FMN, të cilët në një analizë të ekonomive të vendeve në zhvillim ka pasqyruar të dhëna jo shumë entuziaste. "Qeveria duhet të bëjë kujdes me politikat fiskale, menaxhimi i flukseve hyrëse të kapitalit është një tjetër sfidë e qeverisë shqiptare, është rekomandimi i FMN për qeverinë shqiptare. Ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar parashikojnë një rritje prej 2.3 % të GDP gjatë vitit 2010 për Shqipërinë. Ekonomisti në Departamentin Evropian të Politikave dhe të Studimeve Rajonale të FMN-së, Johan Mathisen, tha dje gjatë një konference në Tiranë mbi parashikimet ekonomike të rajonit, se "Shqipëria është ndër vendet e pakta në botë që njohu rritje ekonomike gjatë vitit 2009, ndërsa për këtë vit rritja ekonomike për Shqipërinë parashikohet 2.3 %". Ndërkohë që vitin që vjen, sipas Mathisen, Shqipëria do të njohë një rritje më të madhe, që llogaritet në 3.3 %, por ai kërkoi politika të kujdesshme fiskale nga ana e qeverisë.


Investimet
Deri tani, Banka Qendrore nuk ishte kritikuar asnjëherë publikisht nga qeveria për mënyrën se si e administroi politikën monetare gjatë krizës. Banka Botërore do të investojë 12. 5 milion euro në fushën e energjetikës në Shqipëri. Mësohet se projekti do të ndihmojë tërësisht për të mbështetur komunitetin lokal në Shqipëri, që është buzë Adriatikut, për ta mbështetur atë për eficencën e energjisë pra me investime, projekte, studime. Ndërkohë do të ketë dhe një investim mbi një projekt pilot ku do të ndërtohet një impiant me energji të rinovueshme që do ti shërbejë një komuniteti të caktuar.  Gjithashtu qeveria po punohen për lidhjen e rrjeteve energjetike mes Shqipërisë dhe rajonit të Puglias nëpërmjet një lidhje interkonjeksionit nëndetare. Në të ardhmen do të ketë negociata edhe për furnizimin me ujra të rajonit të Puglias, pasi Shqipëria gëzon mjaft rezerva ujore ndërkohë që rajoni italian vuan prej kohësh mungesën e tyre.

OBT vlerëson politikat tregtare të Shqipërisë
Organizata Botërore e Tregtisë, në një raport  të posaçëm për Politikat Tregtare të Shqipërisë në dy dekadat e fundit,  ka vlerësuar klimën e të bërit biznes, stabilitetin makro-financiar të vendit, si dhe liberalizimin e tregjeve të mallrave, produkteve bujqësore dhe të shërbimeve. Kryeministri Sali Berisha, pjesëmarrës në takim u shpreh se do të vazhdojë rrugën e nisur të reformave, të liberalizimit të mëtejshëm të tregtisë, të rritjes së konkurrueshmërisë ekonomike. Shqipëria është i vetmi vend, që këto 4 muaj, krahasuar me 4 muajt e viti të kaluar, shënoi dyfishimin e eksporteve Made in Albania. Kjo do të thotë se tregtia për ne, nuk është rruga e mëndafshit, është rruga e artë dhe liria e saj. Pavarësisht se nuk jemi vend i ndihmave shtetërore, as edhe i parqeve të eksportit, apo i politikave të subvencionit të eksporteve, por ne duke krijuar një mjedis sa më të mirë për tregun për investimet, duke vendosur barrën fiskale më të ulët, vendi këto 4 muaj, për herë të parë në historinë e tij, shënon dyfishimin e eksporteve, deklaroi kryeministri. Sipas tij të gjitha marrëveshjet që ne kemi nënshkruar për tregtinë e lirë, janë kanale në të cilat ndodhin këto zhvillime. Dhe ne kemi nënshkruar me dhjetëra marrëveshje të tregtisë së lirë. Ne i zbatojmë ato. Kur ne nënshkruam marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë nuk ishin të paktë ata që u druajtën, se dihen kushtet e tregut turk. E vërteta është se ne e ratifikuam në parlament para Turqisë atë marrëveshje dhe u detyrova të loboj te miqtë e mi turq që ta ratifikoj atë marrëveshje. Marrëveshja u ratifikua, jek e jek shkoi. Përfituam, pa diskutim. Pra unë dua të shpreh nderimin e madh për këtë organizatë e cila ka vlerësuar Shqipërinë në mënyrë objektive të ndershme, sikundër dua të garantoj se ne jemi të vendosur që të zgjerojmë gjithnjë e më shumë hapësirat e tregtisë së lirë, të heqim çdo barrierë deklaroi Berisha. Sipas tij ne jemi ekonomi jo e madhe, por jemi ekonomi e re dinamike, entuziaste. E vërteta është se jemi ekonomi më globale se ekonomitë e tjera, se sa më i vogël të jesh, aq më global je, nuk ke zgjidhje, por nuk ke as humbje. Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë  që nga viti 2000, ndërkohë që vendi ynë ka nënshkruar  Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me shumë  vende.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›