E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësia, nivele rekord në eurozonë

Papunësia vazhdoi të rritet në eurozonë për muajin prill, në nivelin 10,1 për qind, niveli më i lartë ky në më tepër se një dekadë. Politikëbërësit evropianë kishin shpresuar se papunësia e kishte arritur majën, kur shënoi në muajin mars nivelin 10 për qind, pasi kishte

qëndruar për dy muaj rresht në këtë nivel, përpara rritjes modeste të shënuar në prill. Papunësia në 16 vendet e eurozonës gjendet tani në nivelin më të lartë, që prej futjes në përdorim të monedhës së përbashkët më 1999, treguan sot të dhënat e rishikuara të publikuara nga zyra e statistikave e Bashkimit Evropian. Papunësia mes të rinjve arriti në 20 për qind, nga 19,9 për qind që ishte në mars. Ajo është mbi 40 për qind në Spanjë. Mungesa e vendeve të punës është një tregues frenues, dhe ekonomistët paralajmërojnë se kjo ka të ngjarë të arrijë majën edhe shumë kohë pasi ekonomia të ketë nisur të rimëkëmbet, duke iu afruar ndoshta nivelit prej 10,5 për qind. Sidoqoftë, Gjermania dhe Holanda ishin të vetmet vende mes ekonomive të eurozonës që shënuan rënie të papunësisë për muajin prill. Për më tepër, të dhënat e Gjermanisë për muajin maj tregojnë një reduktim të mëtejshëm të papunësinë, me 0,1 për qind, në nivelin 7,7 për qind, më i ulëti që prej dhjetorit 2008, treguan të dhënat e Agjencisë Federale gjermane të Punës.

G 20 diskuton taksën mbi bankat
Vendosja e propozuar e një takse mbi bankat dhe mënyrat e ndryshme për të kontrolluar rrjedhat ndërkufitare të kapitalit, do të jenë në krye të axhendës së takimit të kësaj jave të ministrave të financave të G20-ës, që zhvillohet në Korenë e Jugut, deklaroi kjo e fundit të martën. Ministri Koreano-Jugor i financave Yoon Jeung-Hyun deklaroi në një konferencë shtypi se kriza e borxheve të eurozonës po bëhej një faktor që mund të vononte politikat e tërheqjes nga mbështetja monetare në disa vende. Unë pres që çështja e vendosjes së taksës mbi bankat të diskutohet si një pjesë e rëndësishme e axhendës, deklaroi ai, duke iu referuar lëvizjes së propozuar, që synon ti bëjë bankat të paguajnë për rastet e ardhshme të shpëtimit të institucioneve financiare. Ministrat e financave dhe krerët e bankave qendrore të Grupit të 20 ekonomive kryesore të globit, do të takohen në Busan të Koresë së Jugut të premten dhe të shtunën, për të rakorduar pikëpamjet e tyre mbi çështje globale kyçe, përpara se krerët e shteteve të mblidhen më vonë në samitin e Kanadasë. Ekziston mbështetje e gjerë për propozimin e mësipërm, por disa vende, të cilat po përballen me kostot e rënda të shpëtimit të institucioneve financiare, e kundërshtojnë një ide të tillë.

BQE paralajmëron bankat për humbjet
Banka Qendrore Evropiane, paralajmëroi se për shkak të krizës aktuale dhe masave shtrënguese të qeverive të eurozonës, sistemi bankar evropian do të ndiejë rritje të kredive të këqija dhe të humbjeve në 18 muajt në vijim. Banka Qendrore Evropiane vlerësoi se sistemi bankar në periudhën në vijim, do të humbasë deri në 195 miliardë euro. Banka tha se bankat në eurozonë duhet të parashikojnë për këtë vit 90 miliardë euro humbje dhe 105 miliardë euro humbje në vitin 2011. Shifrat e mësipërme do ti bashkëngjiten humbjeve që bankat pësuan gjatë vitit 2009. Kjo është hera e parë që Banka Qendrore Europiane bën vlerësime për vitin pasues. Në raportin e fundit për stabilitetin financiar banka evropiane thotë se humbjet në periudhën 2007 deri në fund të 2010 do të jenë më të ulëta nga sa pritej, por shton se në këtë vit dhe në vitin e ardhshëm humbjet do të jenë më të mëdha, nëse kriza e borxheve do të zgjasë. BQE lajmëroi gjithashtu se ka zgjeruar programin e blerjes së borxheve sovrane, vendim i marrë më 3 maj, për të qetësuar tregjet dhe në mbështetje të paketës 1 trilion dollarë të stabilitetit financiar evropian. Banka tha se programi u zgjerua nga 26.5 miliardë euro në 35 miliardë euro, por ajo nuk tha se borxhet e cilit vend të eurozonës kishte blerë në treg.

Last Updated on E Marte, 01 Qershor 2010 22:39

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›