Bogdani: Do të rikthehem shumë më i fortë
Dëmtime të shpeshta dhe asnjë gol këtë sezon. Erion Bogdani, sulmuesi i i kombëtares dhe i Kievo Veronës, po lë pas një vit "të zi" në karrierën e tij. Eshtë aktivizuar në vetëm tetë ndeshje të Serisë A, këtë vit, dhe kjo si pasojë e dëmtimeve. "Megjithatë, tani jam i qetë. Jam futur me grupin në stërvitje dhe të dielën do të jem në pankinë në ndeshjen ndaj Xhenoas,"- ka thënë ndër të tjera Bogdani, i cili tregon për momentin e keq dhe dëmtimin që pësoi dy herë në të njëjtin vend. 32-vjeçari ka bindjen se do të rikthehet më i fortë se kurrë, qoftë në kampionatin italian, ashtu edhe me kombëtaren.
- Erion, u bëtë disa javë larg fushave. Ç'mund të na thoni për dëmtimin?
- Fillimisht kam bërë tërheqje në adutor dhe qëndrova dy javë pushim. Më pas bëra kontrollin dhe u futa me grupin, por para ndeshjes me Sienën, për fatin tim të keq, pësova një tërheqje tjetër, në të njëjtin vend. Kjo ishte fatale për mua, pasi më duhet të rrija gjatë jashtë fushës. Kam humbur ndeshje shumë të rëndësishme, duke mos ndihmuar ekipin në një moment të vështirë. Megjithatë, falë terapive intensive në pishina, mendoj se ia kam dalë mbanë.
- Tani mund ta quajmë të kaluar dëmtimin?
- Them se po. Në këtë moment jam më i qetësuar, sepse kam kryer stërvitje me skuadrën dhe besoj se në ndeshjen me Xhenoan do të jem në stol. Trajneri Di Karlo beson shumë tek unë dhe tani mezi pres që t'ia shpërblej. Jam i vendosur për t'u kthyer shumë më i fortë dhe me një dëshirë të jashtëzakonshme për të shënuar. Kam kaluar ndoshta një nga vitet më të këqija të karrierës.
- Edhe pse keni shumë vite që aktivizoheni në Serinë A, a ndieni keqardhje që nuk u aktivizuat kundër Milanit apo Interit?
- Për anën personale, natyrisht që ndiej keqardhje. Megjithatë, te Kievo ku bëj pjesë, ndeshjet më të rëndësishme nuk janë ndaj ekipeve të mëdha, por me Xhenoan, Rexhinën, Kaljarin etj.
- Në janar hapet merkatoja. Kjo çështje ekziston për ju?
- Absolutisht jo. Klubi, aq më tepër trajneri i ri që ka ardhur, janë të bindur në vlerat e mia. Kam edhe dy vite kontratë dhe mund të them që do të mbetem i Kievos, pse jo edhe sezonin tjetër.