E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush e do Salihin, duhet të paguajë 700 mijë euro

Klube turke, gjermane, ukrainase dhe franceze, duan sulmuesin. Prishja e kontraës është e majme

Po shijon pushimet në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, dhe nga çasti në çast pret që në telefonin e tij të vijë ndonjë thirrje, e cila mund të jetë mjaft domethënëse për të ardhmen. Hamdi Salihi, sulmuesi i kombëtares dhe Riedit, është nga ata lojtarë që pret të ndryshojë ekip në janar. Pak ditë më parë, shkodrani bëri të ditur se me shumë mundësi do të largohet, pasi është në interes të vetë klubit, i cili përfiton nëse ai transferohet. Megjithatë, deri më tani nuk ka asgjë konkrete, edhe pse menaxheri i Salihit po punon në shumë pista. Gjithsesi, në fund ata që vendosin, janë drejtuesit e Riedit, pasi sulmuesit kontrata i përfundon në verën e 2009-s. Golashënuesi, i kontaktuar dje, tregoi për këtë moment. "Të jem i sinqertë, nuk jam shumë i qartë se çfarë po ndodh. Nëse do të kishte diçka, nuk do të isha këtu në Shkodër,"- shprehet me humorin e tij karakteristik Hamdi Salihi. - Nga bisedat e fundit me menaxherin, di që ka interesim nga disa klube dhe gjërat kanë filluar të lëvizin, pasi edhe në numrin tim të telefonit, thirrjet janë shtuar, nga ata të cilët duan të kontaktojnë me klubin. Ideja është që unë nuk kam asnjë gjë në dorë, pasi gjithçka i përket zgjedhjes që do të bëjë Riedi. Me sa jam në dijeni, ata kërkojnë 700 mijë euro për kartonin tim. Tani shpresoj të bëhet më e mira." Futbollisti 24-vjeçar, i pyetur për ndonjë emër klubi, nuk kërkon të tregohet i rezervuar. "Siç e kam thënë edhe më parë, ka klube të Turqisë, Ukrainës, Bundesligës 2, madje edhe Francës, që janë interesuar. Por kur nuk ka diçka serioze, është e kotë të përmendim emra." Ndërkohë, dje në uebsajtin ukrainas "football.ua", emri i Salihit përmendej në preferencat që kanë drejtuesit e ekipit të Dnjipros, për të blerë lojtarë gjatë merkatos së janarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›