E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali i Këngës në RTSH, sonte nata e parë

Nata e parë e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar nis sonte në Pallatin e Kongreseve. Është natë e rëndësishme sepse publiku mund të dëgjojë, ndryshe nga vitet e tjera, të gjitha këngët në konkurrim, 20 gjithsej. Edicioni i 47-të që mbahet në tri net 19-21 dhjetor pretendohet se po sjell një formulë tjetër konkurrimi, e sugjeruar kjo nga drejtori artistik i festivalit Pirro Çako.

Marrin pjesë krijime të kompozitorëve Alfred Kaçinari, Adrian Hila, Edmond Zhulali, Luan Zhegu, Josif Minga, Armend Rexhepagiç apo Genti Myftaraj, Julian Lekocaj etj. Këngëtarë përmendim Rovena Dilon, Soni Malajn, Besa Kokëdhimën, “West Side Family” apo zëmra më të rinj si Kejsi Tola, Marjeta Billo, Dorina Garuci, etj.

Nesër, në natën e dytë, këngët do të këndohen në duet nga këngëtarë të njohur, këngëtarë karriere të festivalit në RTSH, Irma dhe Eranda Libohova, Aleksandër Gjoka etj.

Kjo natë është menduar nga organzatorët të jetë më shumë spektakël, nën drejtimin e Elsa Lilës, Julian Dedës dhe Gentjan Zenelajt. Regjisor është Pali Kuke, skenografia është realizuar nga Bashkim Zahaj.

Vlerësimi i këngëve do të bëhet nga një juri profesionistësh dhe vetë publiku. Emrat e shtatë anëtarëve të jurisë nuk janë bërë ende publikë por dihet që vota e tyre vlen më shumë se e publikut.

Kënga fituese do të prezantojë për të gjashtë herë në Festivalin Evropian të Këngës që këtë vit do të mbahet në Moskë, në pranverë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›