Bogdani: Duhet kujdes, nordikët janë të motivuar
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka vlerësuar kundërshtarin e 7 qershorit, ku kërkoi nga skuadra përqendrim maksimal, por jo justifikim nga mungesat
Kombëtarja shqiptare po vijon stërvitjen në kompleksin Tropikal në Durrës. Edhe dje, 18 lojtarët e grumbulluar nga De Biazi kanë vijuar normalisht stërvitjen. Në konferencën e programuar për shtyp, sulmuesi Erjon Bogdani u shpreh i kujdesshëm, kur shprehu mendimi e tij në lidhje me mundësitë e kombëtares për të arritur triumfin në ndeshjen e radhës.
Kujdesi i eksperiencës
Në ndeshjen e parë luajtëm ndaj një kundërshtari, i cili luajti nën mundësitë e veta. Ndeshja e 7 qershorit do të na rezervojë një tablo tjetër, ndryshe nga sfida e parë në Oslo. Kundërshtarët vijnë më të motivuar, pasi do të kërkojnë maksimumin si të vetmen alternativë që ata kanë në këtë ndeshje, tha Bogdani. Gjithsesi, sulmuesi i kombëtares theksoi se Shqipëria nuk duhet të justifikohet nga mungesat.
Vërtetë që na mungojnë lojtar të rëndësishëm në ekip, por kjo nuk do të thotë se duhet të fokusohemi dhe të justifikohemi me këtë fakt. Shqipëria duhet të japë maksimumin në këtë sfidë delikate, pasi vetëm në këtë mund të arrijmë qëllimet tona, tha Bogdani. Sulmuesi shtatlartë është një nga sulmuesit më të fuqishëm të skuadrës ndër vite. Mosha e tij duket se nuk njeh fund në lojën e futbollit.
Edhe pse 36-vjeçar, lojtari duket se nuk ndërmend të largohet nga futbolli, ku tashmë po shikon me vëmendje ofertat që po i vijnë në drejtim të tij, kjo pasi Bogdani nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Sienës, e cila ka rënë Serinë B. Në lidhje me këtë çështje, Bogdani nuk preferoi të fliste, duke u fokusuar më shumë te ndeshja e rëndësishme me Norvegjinë.
Norvegjia, përcaktuese dhe e vështirë
Kjo është një ndeshje shumë përcaktuese për ecurinë tonë. E rëndësishme për ne është që të largojmë euforinë, e cila nuk ndihmon aspak në arritjen e objektivit që kemi. Golashënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare, i cili në 76 ndeshje ka shënuar 16 gola, ka një karrierë shumë të pasur, ku Seria A ka qenë vendi i tij i përhershëm në lojën ë futbollit.
Në futbollin italian, Bogdani ka luajtur që nga viti 2000, ku fillimisht e nisi karrierën me Rexhinën. Karrierën si futbollist, Bogdani e ka nisur me Partizanin. Në këtë ekip ka qenë pjesë nga viti 1994 deri më 1998-ën. Eksperienca e madhe e lojtarit e ka ndihmuar shumë skuadrën në momentet më përcaktuese, kujtojmë këtu kontributin e tij në fitoren e parë në eliminatoret e botërorit ndaj Qipros, ku shënoi dhe një eurogol.
Kontributi i tij pritet të jetë shumë i rëndësishëm edhe në sfidën e radhës, e cila si rrallë ndonjëherë ka marrë një rëndësi të veçantë. Theksojmë, se sulmuesi 36-vjeçar është lojtari më i vjetër i kombëtares aktuale, ku pas tij vjen portieri Shehi, i cili është katër muaj më i ri.
