Lilaj: Fryma e re e skuadrës, çelësi i suksesit
Mesfushori i skuadrës kuqezi, shprehet optimist për ndeshjen e radhës ndaj Norvegjisë, duke e bazuar këtë te forca e lojtarëve të rinj
Trajneri De Biazi ka grumbulluar në 18-en e parë edhe lojtarin e Skënderbeut, Sabjen Lilaj, i cili ka bërë një paraqitje shumë pozitive në kampionatin e fundit, ku ka arritur të fitojë titullin kampion. Lojtari 24-vjeçar mendoi ndryshe nga Bogdani në konferencën për shtyp, ku u shpreh optimist për sfidën ndaj nordikëve.
Mesfushori e vuri theksin te fryma e re që është krijuar në ekip. Kemi arritur të formojmë një grup me lojtarë të rinj, të cilët po japin maksimumin në kombëtare. Eshtë pikërisht kjo frymë që do të ndikojë pozitivisht në ndeshjen ndaj Norvegjisë, ku presim të marrim maksimumin, tha Lilaj i sigurt me tonin e tij.
Shqipëria ka disa mungesa të rëndësishme në skuadër, ku mungojnë Cana, Lila dhe Roshi, të cilët janë lojtarët bazë të skuadrës. Mungesa e tyre është e rëndësishme për Lilajn, por ai rithekson besimin që ka te lojtarët që do të formojnë formacionin bazë. Normalisht është shumë e vështirë të zëvendësosh lojtarët që do të mungojnë në ekip, por jo e pamundur.
Skuadra kombëtare e ka formuar fizionominë e saj, ku lojtarët e rinj kanë futur një frymë të re në skuadër. Kjo do të jetë dhe arma me të cilën duhet të luftojmë fort në këtë sfidë kaq delikate dhe të rëndësishme, tha Lilaj. Lojtari i ri i skuadrës ka luajtur në shtatë ndeshje në kombëtaren shqiptare, por ndaj nordikëve ai kërkon të jetë në formacionin bazë.
Shpresoj që të jem në fushë edhe pak minuta, ku unë shpresoj të jap maksimumin tim, tha mesfushori i Skënderbeut. Lilaj nuk është vetmi lojtar nga kampionët e Shqipërisë, pasi ai shoqërohet nga Shehi dhe Arapi. Të tre lojtarëve i është bashkuar dhe mbrojtësi i Teutës, Tefik Osmani. Këta katër lojtarë janë të vetmit nga kampionatin shqiptar, të paktën në listën e parë prej 18 emrash.
Lilaj shprehet i lumtur që trajneri ka grumbulluar lojtarë nga kampionati shqiptar, duke e cilësuar si vlerësim që i bëhet futbollit vendas. Lilaj e ka nisur karrierën me skuadrën e Tiranës, më të cilën ka luajtur në sezonet 2008-2011. Me këtë skuadër ka luajtur 67 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola. Mesfushori ka provuar të luajë edhe në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit, por pa arritur sukses.
Eksperienca e tij jashtë Shqipërisë zgjati vetëm 15 ndeshje në kampionatin kroat. Më pas, lojtari u rikthye në Shqipëri, në nisjen e sezonit të kaluar, ku zuri një vend të rëndësishëm në formacionin bazë me Skënderbeun. Paraqitjet e tij i ranë në sy trajnerit italian, u cili e grumbulloi në kombëtare për ndeshjen ndaj Norvegjisë.