E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Kursi i ri politik i Ramës, bllokimi i integrimit

Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, në një intervistë për “KJ”, komenton zhvillimet më të fundit politike në vend. Lidhur me 10 kushtet e propozuara nga kryetari i PS-së, Edi Rama, ndaj mazhorancës, miratimi i të cilave sjell votimin e ligjeve me 3/5-at në Parlament, deputeti i PD-së, i quan thjesht justifikime të opozitës për të mos bërë detyrën morale dhe politike ndaj shqiptarëve, duke e vonuar përsëri, marrjen e statusit të vendit kandidat. Për deputetin Bogdani, deklaratat në fillim të këtij sesioni parlamentar nga kryetari i PS-së, Rama, se opozita do të ndjekë një kurs të ri politik, janë thjesht një demagogji, sepse thekson Bogdani: "Nuk besoj se kemi të bëjmë me një kurs të ri të opozitës. Të paktën, jo për sa kohë kursi bëhet me instruktorë të vjetër". Nëse Shqipëria nuk merr ftesën si vend kandidat në BE, deputeti i PD-së, fajëson opozitën, e e cila po mban peng integrimin e vendit me qëndrimin e saj bllokues.

Kryetari i Partisë Socialiste ka paraqitur publikisht para pak ditëve, 10 pika në emër të opozitës, si kushte drejtuar mazhorancës, për të dhënë votat në Kuvend. Cili është komenti juaj për këto pika, sa të pranueshme janë ato?

Në fundin e vitit 2010, Shqipërisë dhe shqiptarëve iu dha mundësia e lëvizjes së lirë dhe u rrëzuan përfundimisht muret e Schengen-it, por në të njëjtën kohë, iu kthye përgjigje negative për marrjen e statusit të vendit kandidat. Këto ishin dy vendime shumë të rëndësishme të Bashkimit Evropian, i pari besoj më i rëndësishmi në 20 vitet e fundit për shqiptarët, por edhe i dyti, jo pak i rëndësishëm; kanë dy dallime kryesore nga njëri-tjetri. I pari, varej krejtësisht dhe totalisht nga performanca e Qeverisë dhe arritja e rezultateve, reformave dhe standardeve, dhe si rrjedhojë nuk mund të bllokohej nga opozita (pavarësisht përpjekjeve dhe disinformimit, që bënë në lidhje me këtë proces). Ndërsa i dyti, kishte si kusht themeltar, konsensusin dhe dialogun politik, duke i dhënë kështu opozitës rolin kyç në bllokimin apo zgjidhjen e situatës. Ajo çfarë është e qartë, që prej vitit të kaluar, është gjithashtu edhe udhërrëfyesi që duhet të ndjekë Shqipëria, më saktësisht: klasa politike shqiptare për të përmbushur kushtet dhe për të marrë një përgjigje për statusin e vendit kandidat këtë vit. Këto janë 12 pikat apo rekomandimet e Bashkimit Evropian për klasën politike shqiptare, 6 prej të cilave kanë të bëjnë drejtpërdrejt me bashkëpunimin dhe dialogun mes opozitës dhe maxhorancës. Detyrë parësore është zgjidhja e këtyre pikave dhe plotësimi i këtyre rekomandimeve. Ndaj edhe 10 pikat apo kushtet e bëra publike nga opozita, duken si një tjetër artific për t'iu larguar zgjidhjes dhe për të vonuar përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian. Duken si një justifikim, për të mos bërë detyrën morale dhe politike ndaj shqiptarëve, duke e vonuar përsëri marrjen e statusit të vendit kandidat. Në fillim të muajit shtator kryetari i PS, Rama, paraqiti kursin e ri politik duke vendosur të hyjë në Kuvend. Por, pavarësisht pranisë së grupit parlamentar të PS-së në seancat plenare, ata nuk po votojnë projektligjet që kërkojnë 3/5-at, duke vënë si kusht për miratimin e tyre, ndryshimet që ata kërkojnë në reformën parlamentare. Mendoni se vërtet PS ka një kurs të ri politik apo ishte preteksti për të hyrë në Parlament, pasi qëndrimi i tyre vazhdon të mbetet po i njëjtë, duke mos ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike? Nuk besoj se kemi të bëjmë me një kurs të ri të opozitës. Të paktën, jo për sa kohë kursi bëhet me instruktorë të vjetër. I tërë diskursi politik i z.Rama këto dy vitet e fundit, ka sjellë përtej çdo dyshimi këtë situatë politike dhe këto vonesa në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke filluar nga bojkoti i Parlamentit, protestat e dhunshme, e deri në bllokimin e reformave të domosdoshme, të cilat kanë nevojë për konsensus e për shumicë të cilësuar në Parlament. Edhe pse dy javë më parë, z.Rama deklaronte se opozita do të japë kontributin në integrimin evropian të Shqipërisë, kur kontributi kryesor është votimi i reformave në Parlament, sot kanë faktuar se nuk do ta ngrenë kartonin jeshil për këto ligje. Për më tepër, kërkohet heqja e tyre nga axhenda e punës së Parlamentit. Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka vendosur 12 pika për zgjidhjen e situatës dhe puna duhet të fillojë nga ato, ngrihen artifice për ndryshime mbi mënyrën e punës së Parlamentit, të ashtukonsideruara, rrjedhë logjike të 12 pikave.

Sa do e pengojë qëndrimi bllokues i PS-së marrjen e statusit si vend kandidat për në BE, kur dihet se miratimi i këtyre ligjeve dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit janë dy nga kushtet e vëna nga BE?

Besoj, njësoj sikurse ka bërë deri tani. Nëse Shqipëria, në këto vitet e fundit, ka bërë arritje të rëndësishme, nga ratifikimi i MSA-së, tek plotësimi i mbi 1200 pyetjeve të pyetësorit, tek anëtarësimi i plotë në NATO, e deri tek liberalizimi i vizave, e vetmja gjë që Shqipërisë dhe shqiptarëve po i vonon, është marrja e statusit të vendit kandidat. Sepse është e vetmja gjë, për të cilën kërkohet konsensus politik, pra, edhe pjesëmarrja e opozitës. Të gjitha arritjet e tjera mund të bënin edhe pa këtë, sepse vareshin plotësisht nga performanca e Qeverisë shqiptare. Kjo e fundit tregoi se prioritet të saj ka përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Ky qëndrim bllokues, besoj, shpjegon edhe deklaratën e z.Rama, në fundin e kësaj vere, se "bojkoti ia arriti qëllimit"; shprehje kjo që habiti të gjithë kur e dëgjuan, por që tashmë është e qartë edhe për më skeptikët, se qëllimi ishte bllokimi dhe vonesa e marrjes së statusit të vendit kandidat.

Në fillim të muajit tetor, pritet përgjigja nga Brukseli për kërkesën që Shqipëria ka bërë, për statusin e vendit kandidat. Si mendoni, cila do jetë përgjigjja e BE-së?

Në 12 Tetor do të publikohet mendimi i Komisionit Evropian, të cilin unë nuk e di. Por ajo për të cilën jam i qartë, dhe besoj është i qartë çdo qytetar shqiptar, që ndjek zhvillimet politike në vend, është fakti që opozita shqiptare dhe z.Rama, për më shumë se dy vjet, jo vetëm bojkotuan e protestuan, por edhe kur erdhën në Parlament, bllokuan ato reforma që kërkonin votën e opozitës, pra 3/ 5-at e votave në Kuvend, dhe që për më tepër, ishin rekomandime të qarta të Bashkimit Evropian për Shqipërinë dhe kushte të domosdoshme për marrjen e statusit të vendit kandidat. Mbase është kthyer në klishe të fajësohet opozita dhe z.Rama, për këto vonesa dhe përgjigje negative, por i tillë është realiteti dhe e tillë është e vërteta.

Pritet të nisë puna për reformën zgjedhore, tani janë përcaktuar dhe përfaqësuesit e PD-së dhe PSsë. Mendoni se kjo reformë, këtë herë, do të mbyllet në kohë dhe jo 2 muaj para zgjedhjeve, siç ka ndodhur deri më tani?

Shpresoj që po. Sepse edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e zgjedhjeve. Por, jo vetëm duhet të mbyllet në kohë, duhet të mbyllet edhe në mënyrën më cilësore. Në mënyrë që të mos ngrihen pseudopretendime, çdo herë, sapo përfundojnë zgjedhjet. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishmja, është vullneti politik për të bashkëpunuar dhe për të bashkërenduar punën për këtë reformë. Maxhoranca dhe kryeministri Berisha e kanë dëshmuar këtë vullnet, më shumë se njëherë. Të shpresojmë që edhe opozita do ta bëjë një gjë të tillë. Këtë herë me veprime konkrete, dhe jo me fjalë apo editoriale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›