E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani: Nuk më intereson çfarë bëhet në KombëtareIntervista/Sulmuesi shpreh keqardhje për shokët dhe tifozët: “Nuk më takon të flas për trajnerin. Ai i shikon gjërat vetë”

Jorgis MEMO -Nuk e pranon kurrsesi se është i zhgënjyer për mosthirrjen në kombëtare. Ajo për momentin nuk i intereson fare. Madje, si një profesionist i vërtetë, s’ka ndërmend të bëjë polemika për njeriun që tashmë është kryqëzuar nga të gjithë: trajnerin Ari Han. “Nuk më intereson Kombëtarja. Sinqerisht nuk i kam parë dy humbjet e fundit. Më vjen keq për shokët dhe tifozët. Trajneri i di gjërat më mirë, janë punët e tij. Nuk më takon mua të them, nëse duhet të largohet apo jo”. Kështu është shprehur Erion Bogdani, sulmuesi ikonë i futbollit shqiptar në dekadën e fundit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai mundohet të flasë për ekipin tonë përfaqësues, trajnerin Ari Han, por jo vetëm. Edhe pse nuk ka qenë pjesë e kuqezinjve në dy humbjet e fundit, me Hungarinë dhe Danimarkën, kjo nuk i bën aspak përshtypje 32-vjeçarit, që mendjen e ka te Kievo në Serinë A dhe më konkretisht, te ndeshja me Juventusin, ku ëndërron një gol kundër portierit Bufon. Gjithsesi, rasti i humbur në ndeshjen me Maltën, për sulmuesin kujtohet ende, edhe pse nga ana tjetër pohon: “Futbolli kështu e ka dhe nuk duhej të bëhej qameti për atë rast”. Për më tej, ja si u shpreh ai: 

I keni ndjekur dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, me Hungarinë dhe Danimarkën?
Të them të drejtën nuk kam ndjekur asnjërën prej tyre. Në tipin tim është që kur nuk luaj vetë futboll, pjesën e lirë të kohës nuk kam qejf të shikoj ndeshje nga ekrani. Janë të rralla rastet kur mund të shikoj, qoftë edhe ndeshje të përfaqësueses.

Gjithsesi, Kombëtarja ka humbur. Mendoni se ky edicion ka përfunduar për Shqipërinë?
Sigurisht, më vjen shumë keq që kemi humbur në këto dy ndeshje. Në radhë të parë, për gjithë shokët e mi dhe tifozët, të cilët presin më shumë. Nuk di çfarë të them më tepër, sepse flasin vetë rezultatet.

Në Shqipëri janë mjaft të zhgënjyer nga këto rezultate dhe opinioni sportiv kërkon largimin e trajnerit Ari Han...
Për çështjen e trajnerit mua nuk më takon fare të flas. Nuk kam dëshirë të merrem me këto gjëra, sepse i takojnë Federatës së Futbollit. Unë e shikoj me syrin e futbollistit, kështu që nuk mund të gjykoj, nëse ai duhet të ikë apo jo. Në fund të fundit, është në ndërgjegjen e tij.

Personalisht, ndjeni keqardhje që trajneri Han nuk ju ka grumbulluar së fundmi?
Absolutisht jo. Me sinqeritet mund të them se nuk ndjej aspak keqardhje. Mua nuk më intereson fare, sepse këto janë vendime të trajnerit. Ashtu e mendoi, dhe ashtu bëri. Në fund të fundit përgjegjësitë i mban ai. Si futbollist, unë bëj punën time dhe shpresoj që të jem në formën më të mirë. Pastaj, trajneri shikon gjërat e veta dhe për mua nuk ka asnjë lloj problemi, se pse nuk jam grumbulluar, apo kur do të grumbullohem. Unë di të them që nëse më ftojnë në kombëtare, do të vij, nëse jo, prapë nuk ka asnjë problem.

Në barazimin me Maltën humbët një rast të artë, që mund të kishte ndryshuar shumë gjëra, ndërsa në ndeshjet e tjera përsëri nuk u shënua gol...
Nuk diskutohet që nuk kemi luajtur mirë. Duhet ta pranojmë që kemi pasur shumë probleme në anën e sulmit. Nuk kemi ditur të shënojmë gol. Më vjen keq për atë rast shumë të pastër që kam humbur me Maltën, por mund të them se këto gjëra në futboll ndodhin dhe janë të pranueshme. Nëse nuk shënon, gjithnjë ke vështirësi. Megjithatë, nga ana tjetër, nuk më vjen mirë që për rastin tim në Maltë u bë qameti.

Si e shikon të ardhmen e kësaj Kombëtareje?
Faktikisht nuk e shikoj fare të ardhmen e kombëtares, për arsye se të dielën kam një ndeshje shumë të rëndësishme me ekipin tim, kundër Juventusit, dhe pastaj me Milanin. Jam i përqendruar te ndeshjet e Kievos, pasi të flas për Kombëtaren tani, as vetë nuk e di, nëse do të jem i grumbulluar apo jo. Të them të drejtën këto gjëra nuk më interesojnë shumë.

Titullarët e Kombëtares, Lala dhe Skela, kanë thënë se juve duhet të ishit patjetër pjesë e ekipit në këto dy ndeshje.  
I falënderoj të gjithë, gjithashtu edhe tifozët. Shpresoj që duartrokitjet e tyre të justifikohen nga unë në vazhdimësi. Ngrohtësinë e tyre e shikoj edhe këtu. Ka shumë shqiptarë që na ndjekin nga afër, apo nga ekranet e televizorit. Unë gjithnjë jam përpjekur të jap maksimumin.

Pas problemeve me aktivizimin e paktë, duket se goli që shënuat kundër Lacios ka pasur ndikimin e vet...
Nuk diskutohet, por unë nuk kam luajtur për shkak të formës sime. Gjithnjë jam stërvitur mirë, por ka pasur disa arsye të tjera. Megjithatë, këto arsye kam qejf t’i them pas përfundimit të kampionatit. Jam futbollist profesionist dhe duke luajtur në kampionatin më të fortë në botë, bëj çdo ditë një stërvitje profesionale, për arsye se, nëse futem 10 minuta, apo luaj 90 minuta, të jem sa më në formë. Janë edhe nëntë ndeshje, kështu që shpresoj të bëj sa më shumë gola.   

E mendoni një të tillë ndaj Juventusit?
Së pari, shpresoj që duke luajtur titullar ndaj Juves, të shpëtoj Kievon. Ky moment është shumë i rëndësishëm, sepse duke shpëtuar klubin nga rënie, shpëtojmë edhe kontratat tona. Pastaj, kush nuk do ta dëshironte një gol ndaj portierit më të mirë në botë, Xhanluixhi Bufon?

49 ndeshje
ka luajtur Erion Bogdani me fanellën kuqezi. Në fushë me Kombëtaren për herë të fundit ka qenë më 11 shkurt në ndeshjen kundër Maltës, që përfundoi 0-0. Sulmuesi humbi një rast të pastër.

Problemi

Si sulmuesi kryesor i përfaqësueses, deri në ndeshjen me Maltën, Erion Bogdani mendon se problemi i Shqipërisë është gjetja e golit. “Duhet të pranojmë që kemi pasur shumë probleme në anën e sulmit. Nuk kemi ditur të shënojmë gol. Më vjen keq për atë rast të pastër që kam humbur me Maltën, por mund të them se këto gjëra në futboll ndodhin dhe janë të pranueshme”, ka thënë 32-vjeçari, që ka shënuar vetëm një herë këtë edicion. Bogdani realizoi golin e parë në fitoren 3-0 me Maltën, më 10 shtator të vitit 2008.

Çudia

Ndoshta mund të duket e çuditshme, por ja që Erion Bogdani nuk ka pasur interes të vëzhgojë ekipin kombëtar në dy ndeshjet e fundit. Sulmuesi është i përqendruar totalisht në Serinë A, sepse Kievo e tij tani luan ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. “Po mendoj vetëm për Juventusin, sepse është një nga ndeshjet më decizive ku dua të tregoj veten. Duke luajtur në kampionatin më të fortë në botë, bëj çdo ditë një stërvitje profesionale, për arsye se, nëse futem 10 minuta, apo luaj 90 minuta, duhet të jem sa më në formë”, tha “Princi i Epirit”, siç thërritet në Veronë.

Pasiguria

Erion Bogdani nuk është i sigurt, nëse do të jetë pjesë e Kombëtares në ndeshjet e ardhshme apo jo. I pyetur në lidhje me këtë gjë, ai pohoi: “Faktikisht nuk e shikoj fare të ardhmen e Kombëtares. Të flas për të tani, as vetë nuk e di, nëse do të jem i grumbulluar apo jo. Të them të drejtën këto gjëra nuk më interesojnë shumë, e sidomos në këtë moment”. Emri i mirë dhe kampionati ku luan, gjithnjë e ka bërë Bogdanin që të jetë protagonist në media, e sidomos kur ai është lënë jashtë përfaqësues.

E Shtune, 04 Prill 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›