Partizani – Dinamo, derbi me tri shenjatPas 25 javëve të zhvilluara në kampionatin aktual, Dinamo ka krijuar një diferencë të qartë prej +15 pikësh me të kuqtë. Por, në përballjen e fundit midis tyre, Partizani jo vetëm fitoi, por provokoi edhe

Edicionin e kaluar, Dinamo e Partizani e mbyllën si kampionë e nënkampionë, duke e zhbllokuar çështjen e titullit në javën e fundit, edhe pse formacioni i presidentit Besnik Sulaj e mbylli takimin me nëntë lojtarë.
Pas 25 javëve të zhvilluara në kampionatin aktual, Dinamo ka krijuar një diferencë të qartë prej +15 pikësh me të kuqtë. Por, në përballjen e fundit midis tyre, Partizani jo vetëm fitoi, por provokoi edhe dorëheqjen e trajnerit kroat të bluve, Zllatko Daliçit.
Dy skuadrat, që së bashku kanë qenë sundimtaret e kampionateve të viteve 1950-1990, numërojnë së bashku 42 tituj kampionë, por ndërsa Dinamo është kampione në fuqi (një titull i fituar me kontributin e dy trajnerëve Agim Canaj e Ilir Daja), Partizanit i mungon trofeu prej një kohë shumë të gjatë, qysh nga edicioni 1992-1993.
Dinamo fitoi 2-0 në fazën e parë (gola të Poçit e Plakut), ndërsa Partizani iu përgjigj në të dytën 1-0 (gol i Babamustës). Derbi nr.133 midis dy ekipeve me ngjyrime “ushtarake” është gjithmonë tërheqës e pa parashikueshëm në rezultat.
Dhe të tillë e konsiderojnë jo vetëm me ftohtësinë tipike e kujdesin karakteristik trajnerët respektivë, por dhe kapitenët e dy formacioneve kryeqytetase, edhe pse i pari, Orges Shehi (Partizani), është një durrsak, e tjetri, Arjan Pisha (Dinamo), një elbasanas.
“Skuadra me ardhjen e trajnerit Shkëlqim Muça, është shumë më mirë moralisht, sepse ka një seri rezultatesh pozitive, që shpresojmë t’i vazhdojmë dhe në këtë derbi. Partizani mbetet Partizan e derbi i ka të tre rezultatet brenda”, - parajmëron kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha, i cili u dëmtua në takimin e fazës së dytë me Partizanin.
Kapiteni i Partizanit, Orges Shehi, është dhe një nga lojtarët me më shumë përvojë dhe një nga pikat më të forta të formacioni i Shpëtim Duros, ky i fundit ka ditur t’i japë një tjetër imazh e forcë realizuese skuadrës që e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e fundit.
Shehi përsërit refrenin e Pishës, pavarësisht se dy skuadrat kanë synime krejt të kundërta: Dinamo për titullin kampion e Partizani për mbijetësë në Kategorinë Superiore. “Një ndeshje derbi mbetet gjithmonë një ndeshje derbi, pavarësisht gjendjes së skuadrave. Sesi do të zhvillohet më pas, këtë do ta tregojë fusha e lojës. Do të fitojë skuadra që do të gabojë më pak”.
Dinamo renditet e treta me 44 pikë kur kanë mbetur edhe tetë javë për t’u luajtur me gjashtë pikë më shumë se Shkumbini i vendit të katërt (38 pikë). Blutë janë skualifikuar nga Kupa e Shqipërisë dhe kampionati është synimi i kryesor për të kapur zonën evropiane. Edicionin e ardhshëm në kompeticionet ndërkombëtare të klubeve marrin pjesë katër ekipe nga Shqipëria, një në Ligën e Kampioneve dhe tre në Ligën e Europës.
Për këtë arsye, Dinamos përveç “hakmarrjes” ndaj Partizanit për të marrë hakun edhe të ish-trajnerit Zlatko Daliç, i duhet patjetër fitorja me të kuqtë, për të shpresuar edhe te hapat falsë në transfertë të dy bashkëkryesuesve të kampionatit, Tiranës në Vlorë me Flamurtarin e Vllaznisë në “Ruzhdi Bizhuta” me Elbasanin.
Partizani ka një ecuri mbresëlënëse në vitin 2009, dhe nga ana tjetër vazhdon të jetë në lojë për fitimin e Kupës së Shqipërisë (të mërkurën e ardhshme do të luajë çerekfinalen teke me Flamurtarin në fushën asnjanëse “Niko Dovana”, Durrës). Gjithsesi, pikët në kampionat, tani kur ka dalë përkohësisht edhe nga “zona play-out”, janë të jetike për të kuqtë.
Trajnerit Shpëtim Duro do t’i mungojë fantazisti Rezart Maho, lojtari i cili i dha edhe fitoren në fushën e vështirë të Shkumbinit, por teknikut i rikthehen mbrojtësi Malota e mesfushori Karabeci.
Edhe pse Dinamo ka fituar 17 tituj kampionë, kundrejt 15 të Partizanit (bilanci në Kupë: Partizani, 15; Dinamo, 13), të kuqtë në 132 përballjet e mëparshme ka një bilanc më të mirë se blutë: 47 fitore Partizani, 40 Dinamo (45 barazime).
PARTIZANI-DINAMO, BALLË PËR BALLË
RENDITJETE PËRGJITHSHME
PARTIZANI
Vendi i 8-të, 29 pikë
Nd. 25, 7F, 8B, 10H. Golat:19-24
DINAMO
Vendi i 3-të, 44 pikë
Nd. 25, 12F, 8B, 5H. Golat:38-22
RENDITJET SPECIFIKE
BRENDA, PARTIZANI
Nd. 12, 3F, 6B, 3H. Golat:10-10
JASHTË, DINAMO
Nd. 12, 4F, 4B, 4H. Golat:11-9
BILANCI
Nga sezoni 1990-2000
26 ndeshje, 12 fitore Partizani, 3 barazime, 11 fitore Dinamo.
E Shtune, 04 Prill 2009