Bogdani: PS të lexojë drejt raportin e ODIHR, zgjedhjet ishin kompetitive

“Një nga përmirësimet e ardhshme të Kodit Zgjedhor, duhet të jetë cilësimi si të vlefshme ose jo, të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara”. Kështu u shpreh dje deputeti i Partisë Demokratike Gert Bogdani, i cili deklaroi se zgjedhjet vendore të 8 majit ishin ndër më të mirat e zhvilluara ndonjëherë, ndonëse ka nevojë për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ky mbetet edhe një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2013-ës. Deputeti demokrat parashtroi se raporti i ODIHR zyrtarizon mjaft mirë vullnetin në të mirë të Shqipërisë, duke përmendur dhe emrin e Zëvendës/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Tomas Kantrimen, i cili i cilësoi zgjedhjet e 8 majit, më të mirat sesa ato të mbajtura më parë. “Ne shpresojmë që opozita të lexojë drejt raportin dhe të nxjerrë prej tij përgjegjësitë që i takojnë për nisjen nga puna të reformës së re zgjedhore. Raporti i ODIHR flet qartë se zgjedhjet e 8 majit ishin më të mira se ato të kaluarat”- tha Bogdani. Një tjetër pikë e trajtuar nga deputeti demokrat ishte roli i opozitës në parlament. Bogdani tha se opozita duhet të jetë në Kuvend për të realizuar rekomandimet e Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat. “Ndryshimi për integrimin në BE, vjen vetëm nëpërmjet vullnetit dhe miratimit të ligjeve”- tha më tej deputeti Gerti Bogdani, duke i apeluar opozitës të debatojë për ligjet, sikurse dhe të japë kontributet për ndryshimin dhe përmirësimin e ligjeve.