Berisha: ambasadorja Fialkova, kontribut të rëndësishëm në afrimin e Shqipërisë me BE-në

Krerët e shtetit kryejnë homazhe për ndarjen nga jeta të ambasadores çeke në vendin tonë, Marketa Fialkova
Krerët më të lartë të shtetit si kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe presidenti Republikës Bamir Topi, i shprehën dje ngushëllime ambasadës çeke në Shqipëri, për ndarjen nga jeta të ambasadores Marketa Fialkova. Kryeministri Berisha la një shënim në librin e ngushëllimeve, ku vlerësoi kontributin e zonjës Fialkova në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe njëherësh dhimbjen për ndarjen nga jeta të saj. Pas homazheve në ambasadën çeke, në nderim të ambasadores Fialkova, Kryeministri Berisha u shpreh se ndarja nga jeta e ambasadores Fialkova ishte një pikëllim i thellë për qeverinë dhe mbarë qytetarët shqiptarë. Sipas kryeministrit, ambasadorja çeke luajti një rol të rëndësishëm në lidhjen e bashkëpunimit miqësor mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Çekisë. “Ambasadorja Fialkova u nda nga jeta duke shkaktuar një dhimbje të thellë, një pikëllim të madh për mua, qeverinë e mbarë shqiptarët. Marketa Fialkova, me dashurinë e përkushtimin e saj për Shqipërinë e shqiptarët dha një ndihmesë shumë të çmuar në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin miqësor midis dy kombeve e dy vendeve tona. Unë shpreh me këtë rast, mirënjohjen më të thellë për të gjithë kontributin e saj, nderimin në të madh për kujtimin që ajo lë, ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Marketës, punonjësit e ambasadës çeke në Shqipëri, qeverisë e kombit mik çek dhe i lutem Zotit që shpirti i saj të gjejë paqen e merituar”- tha kryeministri. Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cilësoi veprën e ambasadores Fialkova si heroike ndaj pushteteve diktatoriale. Në emrin e saj personal, por edhe të Kuvendit të Shqipërisë, znj.Topalli shprehu ngushëllimet ndaj familjes së ambasadores Fialkova si dhe Republikës Çeke. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi kontributin e ambasadores Fialkova në rrëzimin e regjimeve komuniste në vendet e Evropës Lindore, ndërsa tha se shqiptarët kanë humbur një mbështesë të madhe të Shqipërisë. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, erdha këtu për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta, Republikës Çeke, familjarëve të ambasadores çeke”- theksoi Topalli. Edhe presidenti i Republikës zhvilloi dje homazhe dhe shprehu ngushëllimet në emër të shtetit shqiptar në Ambasadën e Republikës Çeke në Tiranë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Ambasadores çeke Marketa Fialkova-Nemcova. “Humbja e parakohshme e jetës së Ambasadores së Republikës Çeke në Tiranë, zonjës Marketa Fialkova-Nemcova, ka shkaktuar një hidhërim të thellë tek mua personalisht dhe tek të gjithë ata që e kanë njohur gjatë veprimtarisë së saj diplomatike në Shqipëri”- nënshkroi kreu i shtetit në Librin e Zisë.
...