Ceka: Kërkon të rikthejë krizën politike

Kreu i PAD e cilëson lojë politike të Edi Ramës amendimin e Kushtetutës në nenet e zgjedhjes së Presidentit
Kategorikisht kundër ndërhyrjeve në Kushtetutë shprehet Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka. Si politikan përvoje ai thotë se kërkesa ende jo zyrtare e Edi Ramës është një taktikë hileqare për të marrë pushtetin në tavolinë. “Kjo është një lëvizje që bëhet për interesa personale politike”- tha Ceka. Sipas tij, mazhoranca dhe forcat politike të saj, duhet të propozojë kandidatura të denja për postin e Presidentit të Republikës. “Kryetari i ri i shtetit duhet të marrë konsensusin e gjërë të forcave politike. Mazhoranca duhet të propozojë dhe mbështesë kandidaturën më të mirë të mundshme”- u shpreh kreu i PAD. Për Cekën, në kuadër të raportit të OSBE/ODIHR dhe rekomandimeve të tij, e rëndësishme është mënyra e ndryshimit të menaxhimit të zgjedhjeve në vend. Ceka përjashton mundësinë e votimit në mënyrë elektronike të qytetarëve shqiptarë, pasi sipas tij kjo është e vështirë të realizohet në kushtet e vendit tonë. Ai e lë të hapur këtë mundësi, në zgjedhjet e ardhshme, por për 2013-ën kjo praktikë është e pamundur.